Sot hyn në fuqi paketa e re penale, e cila, sipas Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi 'është më e ashpra e këtyre 20 viteve'. Gjatë një konference për shtyp, ministri Halimi theksoi se kjo paketë përbën një garanci më shumë ndaj jetës së qytetarit dhe sigurisë publike.
“Kushdo që do të ngrejë dorë mbi policët dhe do të vrasë për gjakmarrje duhet ta dijë mirë se nuk do të ketë më një dënim më të ulët se 30 vjet burg deri në burgim të përjetshëm.”, theksoi Ministri i Drejtësisë.
“Kushdo që do të ngrejë dorë mbi gruan duhet ta dijë mirë se do të ketë një dënim nga 20 vjet burg deri në burgim të përjetshëm dhe duhet ta kuptojë mirë se s`ka për të shpëtuar askush për të marrë një dënim më të ulët se ai që parashikon kodi penal, duke u përjashtuar nga çdo lloj lehtësie. Gjithashtu dhuna seksuale ndaj të miturve do të marrë 25 vjet burgim dhe për armëmbajtje pa leje s`do të ketë më dënime më të ulta se 7 vjet deri në 15 vjet burg”, tha më tej Halimi.
“Me këtë paketë penale, dënimi minimal do të jetë 10 vjet burg pa të drejtë lirimi me kusht, për veprën penale të armbajtjes pa leje, si dhe 38 vjet pa të drejtë lirimi me kusht, nga 25 vjet që ishte më parë për kryerjen e një vepre penale, si vrasje..etj, dhe në rast se veprat penale janë më shumë se 1 atëhere dënimi do të jetë i përjetshëm dhe pa të drejtë lirimi me kusht”, theksoi Halimi, duke garantuar se "çdo person që kryen një vepër penale do të vuaj dënimin e tij çdo ditë dhe pa asnjë mundësi devijimi, pasi ka ardhur dita që ti themi ndal krimit dhe kriminelëve", përfundoi Halimi.