Në datën 3 qershor 2013, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Traktatit mbi Tregtinë e Armëve (ATT).
Për vendin tonë, Traktati u nënshkrua nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë pranë Misionit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, z. Ferit Hoxha.
Sipas këtij Traktati, secili shtet duhet të vlerësojë përpara çdo transaksioni, nëse armët që do të shesë, do të përdoren nga grupe terroriste për të anashkaluar një embargo ndërkombëtare, për të kryer akte gjenocidi, krime lufte ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Në të gjitha këto raste, vendi eksportues është i detyruar që të mos e autorizojë këtë transfertë.
Në këtë mënyrë, Shqipëria bëhet një ndër vendet e para që nënshkruan këtë traktat të rëndësishëm. Vendi ynë konfirmon edhe një herë angazhimin e tij në funksion të paqes e stabilitetit ndërkombëtar, duke qenë një kontribues dhe një partner i rëndësishëm i komunitetit ndërkombëtar në fushën e sigurisë globale.