English

Vdesin në aksident Arben Poroçani dhe Dashamir Leka

Ditën e djeshme si rezultat i përplasjes fatale të dy mjeteve, në Peqin kanë humbur jetën 38 vjeçari Arben Poroçani, anëtar i Këshillit Bashkiak të Elbasanit, njëkohësisht pedagog informatike në universitetin “Aleksandër Xhuvani” si dhe Dashamir Leka, 50 vjeç.

Përplasja fatale që iu kushtoi jetën dy personave ditën e djeshme ka ndodhur në aksin Elbasan-Peqin, në vendin e quajtur Paulesh. Pedagogu Arben Poroçani mësohet se udhëtonte me automjetin tip Benz me targa AA 523 BA ndërsa Dashamir Leka udhëtonte me mjetin tip Ford me targa AA 991 AF. Nga pamjet e vendit të ngjarjes shikohet se makina në të cilën udhëtonte 50- vjeçari Leka, i cili njihej në zonën e Elbasanit si një tregtar i armëve të gjahut, është e goditur në derën e shoferit. Goma e parë është spostuar dhe ka dalë në anën tjetër të rrugës, ndërsa automjeti është shkatërruar tërësisht në anën e shoferit, çka duket se goditja ka qenë aq e fuqishme, sa Benzi i anëtarit të këshillit bashkiak ka përfunduar i përmbysur në kanalin anash rrugës. 38-vjeçarit i është mundësuar, jo vetëm nxjerrja nga makina e përmbysur, por madje është tentuar të mbahet edhe në jetë.

Ekspertët më të mirë të Policisë së Elbasanit kanë nisur hetimet për ngjarjen e rëndë me dy persona të vdekur. Janë kryer të gjitha veprimet teknike për të bërë të mundur verifikimet e manovrave momentin e përplasjes, sido që, fatkeqësisht asnjëri prej të dy drejtuesve të mjeteve nuk jeton më. Policia bën me dije se dyshohet se makinat kanë qenë me shpejtësi të madhe, ndërsa mënyra e përplasjes dhe fuqia ka bërë që mos kuptohen as kahet në të cilat kanë qenë duke lëvizur mjetet. Saktësohet se do të jenë ekspertët teknik që do të thonë fjalën e tyre për këtë ngjarje të rëndë, e cila shënohet brenda pak ditëve, pas një tjetër aksidenti të rëndë ku humbën jetën dy të rinj dhe u plagos një tjetër, i cili vijon të jetë në gjendje kritike për jetën.

KOMENTE