Kreu i delegacionit parlamentar për Ballkanin Eduard Kukan, në një intervistë për Top Channel deklaron se Parlamenti Europian do të jetë me një mision të kufizuar vëzhgimi në zgjedhje.
Ai flet per gati nje ngrirje te marredhenieve mes Shqiperise dhe Parlamentit Europian dhe paralajmeron se raporti i Komisionit per korrupsionin nuk do te jete pozitiv, pasi nuk ka patur rezultate konkrete.
Top Channel: Parlamenti Europian ka mundësi të vizitojë Shqipërinë në ditën e zgjedhjeve. Cili do të jetë roli juaj kësaj here?
Eduard Kukan: “Ka shumë mundësi që të ketë një delegacion ad-hoc, dhe jo një delegacion të rregullt vëzhguesish për zgjedhjesh, të përbërë nga disa anëtarë të Parlamentit Europian. Unë po e mbështes këtë ide, për të cilën nuk ka ende një vendim formal, që unë pres të merret brenda dy ditësh dhe të jetë pozitiv. Dhe pas këtij qëndron gjëja më e rëndësishme, që Parlamenti Europian të duket, dhe që anëtarët e Parlamentit Europian të jenë të pranishëm, dhe flamuri i Parlamentit Europian duhet të jetë i pranishëm gjatë fushatës zgjedhore, si një stërthënie se ne kujdesemi me të vërtetë për Shqipërinë. Kjo është arësyeja pse është e nevojshme të kemi eurodeputetë të pranishëm fizikisht gjatë zgjedhjeve. Sigurisht që ata nuk mund të mbulojnë të gjitha qendrat zgjedhore, por prania e tyre mendoj se do të jetë simbolike dhe simbolet në politikë janë shumë të rëndësishme. Dhe kjo gjë do të përbënte një shenjë pozitive simbolike kundrejt Shqipërisë."
Top Channel: Meqë po përmendni simbolet. Si do ta shpjegonit, apo përmblidhnit, mardhënien mes Parlamentit shqiptar dhe Parlamentit Europian, jo vetëm për takimet e mungura por edhe për ftesën e vonë që ju erdhi për zgjedhjet."
Eduard Kukan: “Do thoja se marrëdheniet mes Parlamentit shqiptar dhe Parlamentit Europian kanë qënë gjithmonë mjaft intensive. Më duhet të pranoj se gjatë muajve të fundit kjo marrëdhënie ngeci. Për shkak të situatës zgjedhore apo për motive të tjera të brendshme, unë nuk e di, por praktikisht nuk ka veprime konkrete apo ndërveprim mes dy parlamenteve. Sigurisht, ne marrim informacione nga burime të tjera. Falë fushatës zgjedhore në Shqipëri, kjo marrëdhënie është lënë pas, disi në sfond. Pres që kjo të jetë e përkohshme dhe jo e qëllimshme dhe pas zgjedhjeve të përgjithshme, shpresoj nga tetori marrëdhëniet tona të mbajnë ritmin e plotë, si më parë."
Top Channel: Për luftën kundër korrupsionit, meqë nuk u përgjigjët, a prisni që Komisioni të raportojë rezultate të verteta ndaj vendeve anëtare, kur dihet sa kohë dhe energji janë humbur për fushatën zgjedhore?
Eduard Kukan: “Raporti i Komisionit mbi këtë çështje posaçërisht: luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, nuk mendoj se do të jetë shumë pozitiv rreth Shqipërisë.”
Top Channel: Pse?
Eduard Kukan: “Sepse pritshmëritë ishin shumë më të larta. Megjithë energjinë e ofruar aty nga të gjitha institucionet europiane, mendoj se ata prisnin më shumë, më shumë rezultate konkrete. Unë jam skeptik, skeptik që Komisioni do të jetë i kënaqur.”