English

Rruga Shkodër-Hani i Hotit, tashmë e përfunduar u quajt rruga e komunikimit

Kryeministri Berisha inauguroi sot përfundimin e rrugës Shkodër-Hani i Hotit, një investim me vlerë 34.2 milionë euro. Kryeministri e konsideroi këtë segment të një rëndësie rëndësie shumë të madhe për zhvillimin e qarkut të Shkodrës, por edhe si rruga e komunikimit me Malin e Zi dhe vendet e tjera përtej, Bosnjën, Kroacinë etj..

Rruga Shkodër-Hani i Hotit me gjatësi 39 kilometra ndikon në fuqizimin e korridorit veri-jug që nis në kufirin me Malin e Zi në veri dhe shkon drejt Greqisë në jug dhe Maqedonisë në lindje. Ky aks kalon nëpërmjet qytetit të Shkodrës, duke përmirësuar trafikun, si dhe gjithë infrastrukturën nëntokësore, parkime, trotuare e pistë për biçikletat. Të lidhur me të janë realizuar dy bypass-e, ai i Koplikut dhe i Bajzës, duke mare parasysh trafikun nga Mali i Zi drejt Shqipërisë dhe anasjelltas. Njëkohësisht është rehabilituar pjesa urbane me gjithë infrastrukturën e qytetit Koplik dhe Bajzë, duke i lidhur ato me dy bypass-et. Rruga në fundin e saj përshkon anash liqenin e Shkodrës.

Ndërsa e vlerësoi ndërtimin e saj në parametrat dhe cilësinë më të lartë, Kryeministri u shpreh se ndërtimi i një rrjeti modern rrugor ka qenë një nga zhvillimet madhore që vendi ka arritur në vitet e fundit. “Çdo qytetar që hyn në Shqipëri, nga territori i Morinës së Kukësit, Qafë Morinës së Tropojës apo Vermoshit, udhëton deri në Konispol me rrugë tërësisht të reja, pothuaj në tërësi të ndërtuara nga viti 2006 e deri më sot. Kjo është arritja jonë e madhe.”

Gjatë viteve 2005-2013, në qarkun e Shkodrës janë kryer investime me vlerë 670 milionë dollarë. Në infrastrukturën rrugore janë ndërtuar mbi 930 kilometra rrugë, kombëtare, rajonale dhe lokale, me vlerë mbi 200 milionë dollarë; janë ndërtuar e rikonstruktuar 122 shkolla e kopshte , me vlerë rreth 15 milionë dollarë; 104 sisteme ujësjellës e kanalizimesh, me vlerë rreth 35 milionë dollarë; 94 qendra shëndetësore e ambulanca me vlerë rreth 15 milionë dollarë. Në bujqësi janë investuar mbi 35 milionë dollar, në kanale kullues, diga mbrojtëse ë sistemim tokash, si dhe janë subvencionuar 7 milionë dollarë ose 32 herë më shumë se Partia Socialiste. Gjithashtu, janë restauruar mbi 60 vepra të kulturës dhe të rekreacionit shpirtëror, duke kthyer kështu në identitet rrugët dhe monumentet e mirënjohura të Shkodrës. Në fushën e energjetikës janë investuar 330 milionë dollarë në përmirësimin e rrjetit elektrik, ku përfshihet nënstacioni i Koplikut, Vaut të Dejës, Bushati, si dhe hidrocentrali i Ashtës, janë ndërtim 25 hidrocentrale, me fuqi 240 megavat dhe investim rreth 130 milionë dollarë. Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është rritja e numrit të bizneseve të reja mbi dy herë, nga 3480 biznese në vitin 2005, në 8850 në vitin 2012.

KOMENTE