English

Shqipëri- Norvegji. Rama uron kuqezinjtë. Policia merr masa

“Uroj shumë që sot Kombëtarja të bëjë atë që të gjithë shqiptarët dëshirojnë. Sukses çunave kuqezinj dhe trajnerit tonë të mençur!”, ka qënë mesazhi që shkruan kreu i PS-së, në rrjetin social Twitter.

Ekipi ynë kombëtar i Futbollit luan sot në orën 20.30 ndeshjen me Norvegjinë për eliminatoret e Kampionatit Botëror të Futbollit, Brazil 2014.

Kjo është ndeshja më e pritur e historisë së kombëtares shqiptare e që pritet të jetë edhe më e ndjekura pas takimit Shqipëri-Greqi në vitin 2004.

Ndeshja Shqipëri-Norvegji, e vlefshme për kualifikueset e Kampionati Botëror “Brazil 2014”, është më shumë se elektrizuese pasi të gjithë kanë nisur të besojnë gjithnjë e më shumë për një kualifikim të mundshëm të kombëtares sonë, që drejtohet nga italiani Xhani De Biazi, në Botërorin e Brazilit, që do të ishte jo vetëm një rezultat historik, por, mbi të gjitha, edhe një dalje për herë të parë në finalet e tilla.

Policia e Tiranës do të ndërmarrë një sërë masash për sigurimin e rendit e qetësisë në kryeqytet ditën e sotme kur luhet ndeshja e kombëtares me Norvegjinë, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror të Futbollit.

Sipas një njoftimi zyrtar bëhet e ditur se policia do të ushtrojë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve gjatë hyrjes në stadium për të parandaluar futjen e sendeve të ndaluara si mjete e sende të forta, fishekzjarrë, shishe të ndryshme, kapsolla, flamuj me shkopinj, parulla me mbishkrime jo të përshtatshme, etj.

Ndërkohë janë parashikuar edhe kufizime në qarkullimin e automjeteve. Kështu njoftohet se do të bllokohen segmentet rrugore që të çojnë për në stadiumin “Qemal Stafa”, duke filluar nga ora 14:00 deri më 24:00, konkretisht rrugët “Dervish Hima”, “Asim Zeneli” dhe “Perlat Rexhepi” si dhe Sheshi “Nënë Tereza” deri tek Presidenca.

KOMENTE