English

Studentë jashtë Shqipërisë: mos shisni votën

Deklaratë për media e kandidates për deputete Milena Harito.

"Ne kemi denoncuar pak ditë më parë faktin që trupi diplomatik shqiptar në bashkëpunim me kompaninë ajrore private Belle Air, monopol i Lulzim Bashës, ofrojnë bileta falas për emigrantë e studentë shqiptarë me kusht që ata të votojnë për kryeministrin në ikje dhe ta provojnë këtë duke e fotografuar votën e tyre.
E përsërisim!
Sali Berisha bën mirë ta ketë të qartë se PS, trupa e komisionerëve dhe vëzhguesve të PS, vetë mbështetësit dhe votuesit e PS, nuk do lejojnë asnjë votues të fotografojë votën.

Siç nuk do të lejojmë asnjë votues që të shkeli procedurën, e parashikuar në ligjin zgjedhor.
Ndërsa ata sekserët e votave që kanë dyndur ambasadat, bëjnë mirë ta shënojnë që sot se pas 23 qershorit do të bëjnë shlyejnë hesapet e tyre me drejtësinë për çdo veprim të paligjshëm.
Nëse ata mendojnë sot se duke i bërë këtë shërbim Sali Berishës i garantojnë vetes mbajtjen me padrejtësi të privilegjeve të marra po me padrejtësi, gabojnë.
Sot, i vetmi interes të cilit ata do të duhej t’i shërbenin është interesi i mbrojtjes të demokracisë dhe të lirisë së votës me çdo kusht.
Sa për kompaninë në fjalë, aksionerët dhe drejtuesit e kësaj kompanie, të jenë të bindur se pas 23 qershorit interesi publik i konkurrueshmërisë të ndershme në treg do të vendoset e do të mbrohet me çdo kusht.
Do t’i çmontojmë pozitat monopol duke kryer një hetim kapilar që nga çmimi i biletave deri te shërbimi ndaj klientit, pagesën e detyrimeve fiskale dhe lidhjet e saj me pushtetin, si edhe përfshirjen e kësaj kompanie në skemën e dështuar të manipulimit.
PS u bën thirrje studentëve dhe emigrantëve të mos hipin në avionët e korrupsionit elektoral. Të mos e shesin votën për një udhëtim falas me kompaninë që nxjerr paratë e këtyre udhëtimeve nga çmime skandaloze që u vë shqiptarëve. Të mos pranojnë fotografimin e votës për një udhëtim falas. Vëzhgimi do të jetë shumë i rreptë në çdo qendër dhe kush fotografon votën do të kapet dhe ndëshkohet sipas ligjit.
Duhet ta kini të qartë se një biletë falas për të takuar prindërit, nuk i shpëton ata prindër nga rrënimi i vendit të tyre. Një biletë falas nuk e shpëton ekonominë familjare të prindërve dhe të afërmve tuaj që jetojnë këtu në Shqipëri nga varfëria dhe skamja dhe shkatërron të ardhmen e tyre në Shqipëri.
I kujtojmë të gjithë atyre që janë sot në anën e gabuar të historisë, të angazhuar për shërbesën e fundit ndaj këtij kryeministri në ikje që asgjë nuk do të mund t’a ndryshojë rezultatin e 23 qershorit. Shqiptarët duan Rilindje dhe me votën e tyre do ta bëjnë të mundur Rilindjen në 23 qershor, do apo nuk do Sali Berisha, dhe sekserët e tij.
Kjo makineri elektorale famëkeqe dhe e lodhur do të dështojë.
Çdo shkelje e ligjit dhe e Kushtetutës do të ndiqet nga drejtësia pas 23 qershorit."

KOMENTE