Kryeministri Berisha inauguroi sot rikonstruksionin e godinës së Autoritetit të Aviacionit Civil, në Tiranë, një investim me vlerë 55 milionë lekë. Më këtë investim është ndërtuar një kompleks bashkëkohor dhe mundëson ofrimin e shërbimeve me cilësi të lartë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Shqipëria është pjesë e Zonës së Përbashkët Ajrore Evropiane dhe përmbush të gjitha detyrimet e parashtruara nga Bashkimi Evropian në lidhje me standardet Evropiane të sigurisë ajrore dhe standardet ndërkombëtare për pacenueshmërinë e fluturimit. Në Shqipëri operojnë 12 operatorë ajrorë të skeduluar, në 34 destinacione. Gjatë viteve të fundit sektori i transportit ajror ka pësuar një rritje të qëndrueshme dhe arsyet e rritjes së treguesve janë shtimi i kapaciteteve të qarkullimit dhe tërheqja efektive e kapitaleve private në këto shërbime. Kështu, numri i pasagjerëve është rritur 2 herë, duke arritur ne rreth 1.7 milionë në vitin 2012 nga 784 mijë pasagjerë në 2005. Edhe numri i turistëve për fluturimet charter është rritur 105% krahasuar me vitin e kaluar. Veprimtaria e Autoritetit është vlerësuar pozitivisht në misionet audituese në nëntor 2012 nga ICAO ( Internacional Civil Aviation Organisation), në tetor 2012 dhe maj 2013 nga EASA (European Aviation Safety Agency).
Kryeministri Berisha vlerësoi këtë investim, ndërsa u shpreh se ai dëshmon ritmet e shpejta me të cilat lëvizën qytetarët shqiptarë në këto pak vite. “Ne inauguruam sot këtë ndërtesë të bukur të Aviacionit Civil, e cila dëshmon më bukur se çdo gjë tjetër ritmet e shpejta me të cilat lëvizën qytetarët shqiptarë në këto pak vite. Vetëm pak vite më parë numri i pasagjerëve në aeroportin e Rinasit ishte rreth 700 mijë, sot është 1 milionë e 700 mijë. Duke llogaritur këtu edhe autobusin mavi”, tha Kryeministri.
Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi se po shkohet drejt ditës së zgjedhjeve dhe se Partia Demokratike po shkon me një program që do të shndërrojë Shqipërinë, në mënyrë përfundimtare, në një vend të zhvilluar.
Kryeministri Berisha tha, gjithashtu, se mandati i ardhshëm qeverisës do të jetë mandati i vendosjes së kryeqytetit tonë në piedestalin që e meriton dhe qeveria do të mbështesë fuqishëm, në çdo projekt, bashkinë e Tiranës.
Kryeministri Berisha i përcolli demokratëve mesazhin e tij se “fitorja është dorën tuaj!” dhe kërkoi prej tyre që të prezantojnë te qytetarët e tjerë sa më qartë platformën e Partisë Demokratike. “Nëse ajo do të shpjegohet mirë, asnjë zgjedhës nuk ka arsyen më të vogël ta refuzojë atë. Kjo është platforma e integrimit dhe shqiptarët, pa dallime partiake, mbështesin integrimin”, tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha i ftoi qytetarët që më 23 qershor të votojnë numrin 44-ër. “Le të organizojmë ne dhe të përkthejmë në vota mesazhin e shkëlqyer që japin sheshet e Shqipërisë që nga Saranda, në Kukës, në Peshkopi dhe kudo, të cilat ftojnë për një bashkim të paprecedentë të shqiptarëve në fitoren e 23 qershorit”, tha Kryeministri.