Fjala e Kryetarit të PS, Edi Rama në Tepelenë
Ky takim, sot, këtu është një surprizë e jashtëzakonshme. Unë ju jam mirënjohës që të gjithëve pa përjashtim, sepse e keni ndezur flakë në mes të natës gjithë këtë shesh të paanë dhe keni sjellë këtu gjithë pasionin e flaktë të Tepelenës për ndryshimin dhe Rilindjen.
Motra dhe vëllezër!
Unë dua të ju them disa fjalë shumë të thjeshta sot. Së bashku ne do të bëjmë të mundura ato gjëra që padrejtësisht 20 vjet i janë bërë të pamundura këtij populli, së bashku ne do të rimëkëmbim ekonominë, do të hapim 300 mijë vende të reja pune, do të ulim taksat për 95% të shqiptarëve, do të çojmë ujin në çdo familje dhe në çdo parcelë, do të pesëfishojmë financimin e shtetit për bujqësinë dhe për blegtorinë, do t’u japim fëmijëve të këtij vendi arsimin më të mirë, sepse mësuesit nuk do të hyjnë më në punë duke paguar para dhe as me urdhër partie, por mësuesit do t’i zgjedhim së bashku me komuniteti e prindërve. Ne që në 100 ditët e para do ta bëjmë zero taksën e biznesit të vogël për të gjithë ata që janë vetëpunësuar dhe mbajnë familjen e tyre me një dyqan dhe do t’ju përgjysmojmë edhe tatimin e fitimit.
Motra e vëllezër!
Ne nuk do të lejojmë më që dera e spitalit t’i përplaset në fytyrë një njeriu të varfër që nuk ka para, ne do ta bëjmë shërbimin shëndetësor falas për të gjithë, të varfër apo të pasur, në fshat apo në qytet, në punë apo të papunë.
Ne do t’i japim fund braktisjes së fshatit dhe do ta fillojmë Rilindjen aty ku fillon edhe rruga e prodhimit të ushqimit për popullin, tek fshati. Ne nuk do t’i kërkojmë më familjeve të zakonshme të këtij vendi të paguajnë 20% taksë për kilen e bukës, 20% taksë për kilen e qumështit, 20% taksë për kokrrën e vezës apo kilen e vajit, miellit e orizit, do t’i bëjmë zero taksat e ushqimit për popullin.
Ne do të heqim edhe taksën e sëmundjes që katragjyshi me antiplumb i vuri ilaçeve. Saliu doli një ditë dhe u tha shqiptarëve se do u sillte kokën e Ali Pashë Tepelenës nga Turqia në Shqipëri, e në fakt i uli kokën Tepelenës, Përmetit, Gjirokastrës, duke mos jua ndërtuar kurrë rrugën që merituat. Prandaj edhe Tepelena, Përmeti, Gjirokastra, e gjithë Shqipëria do t’ia heqë kokën pushtetit të korrupsionit, pushtetit të një grushti njerëzish, pushtetit që varfëroi tërë popullin shqiptar për t’u pasuruar për vete.
Vota e Tepelenës, vota e Gjirokastrës, vota e Përmetit, vota e këtij Qarku të harruar, të braktisur, të varfëruar, do të shkojë tek numri i bekuar i çlirimit, tek 29-ta për të çliruar energjinë e jashtëzakonshme të këtij populli të marrë peng dhe për t’i hapur rrugë Rilindjes që duam.
Të dashur tepelenas, unë ju zotohem se nuk do ta harroj kurrë këtë pritje të jashtëzakonshme dhe nuk do të ju tradhtoj kurrë, hallet tuaja do të jenë edhe hallet e mia, problemet tuaja do të jenë problemet e mia dhe në përpjekjet për të dalë nga varfëria, nga papunësia, nga izolimi unë do të jem në krahun tuaj.
Rroftë Tepelena!
Rroftë përjetë kujtimi i heronjve dhe dëshmorëve të gjithë kësaj treve!
Bekuar qoftë për jetë gjaku i atyre që luftuan për një Shqipëri të lirë, Shqipëri të mirëqenë, për një Shqipëri të njerëzve dhe për njerëzit!
Rrofshin gratë e burrat trima të Tepelenës, rrofshin vajzat e djemtë, gjenerata e re e këtij qyteti, e këtij rrethi, që trashëgon pasionin, energjinë dhe vlerat fisnike të traditës së Tepelenës.
Rroftë Shqipëria!
Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!
Rilindje! Rilindje! Rilindje!