English

Lulzim Basha “Qytetar Nderi i Prishtinës”

Komuna e Prishtinës ka zgjedhur ditën e çlirimit të kryeqytetit të Kosovës, të shpallë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha “Qytetar Nderi të Prishtinës”, për përkrahjen e Kosovës në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, në vigjilje të Pavarësisë si dhe në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Kryebashkiaku Basha tha se këtë titull do ta mbartë me krenari dhe se çdo angazhim që i ka kushtuar Kosovës, ka bërë vetëm detyrën e tij si shqiptar dhe ka kryer detyrimin e tij si nip i Kosovës.

“Çdo minutë, çdo ditë, çdo muaj, çdo angazhim që ia kam kushtuar Kosovës, s’ka qenë asgjë më shumë se detyra ime si shqiptar dhe detyrimi im si nip Kosove. Jam rritur në një familje si shumë të tilla në Shqipëri, ku fjala Kosovë ka qenë po aq e pranishme sa bukë dhe ujë. Gjithçka ndodhte në këtë vend, genocide, persekutim, vrasje, kanë qenë pjesë e vazhdueshme e bisedave, dhimbjes madje dhe lotëve në shtepinë tonë, prandaj unë e quaj veten me fat dhe i falem Zotit që më dha mundësinë të kontribuoj sado pak për Kosovën”

Në këtë 14 vjetor të çlirimit të Kosovës, Kryebashkiaku Basha ka shprehur nderim dhe mirënjohje ndaj arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova, komandantit legjendar Adem Jashari heronjve, luftëtarëve dhe komandantëve të tyre dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Zoti Basha e ka cilësuar si detyrim punën dhe përkushtimin e tij si për rrugën e Kombit e më tej detyrën si ministër i Jashtëm, në procesin e shpalljes së Pavarësisë dhe njohjes së saj ndërkombëtare.

“Kur Kryeministri Berisha më dha porosinë strategjike, se kombi shqiptar ka nevojë për rrugën e Kombit, ndjeva dhe mendova pikërisht se po fitonim kohën e humbur dhunshëm ndër shekuj, sepse shpirtrat e shqiptarëve, hallet dhe gëzimet e shqiptarëve, biznesi dhe interesat e shqiptarëve, tanimë ish koha të lidheshin edhe me një rrugë, përveç lidhjesh vertebrore të gjakut, gjuhës, kulturës dhe historisë së përbashkët. Dhe sot rruga është aty, e gjerë, e dobishme, fisnike dhe si një realitet që na afron edhe fizikisht me njeri tjetrin. Jam pra, në modesti krenar, që këtë porosi, që mbart gëzimin e çdo shqiptari, e kemi sot midis nesh. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, tek e cila kurrë s’kishim dyshuar, dhe për të cilën paguam një çmim të lartë, donte edhe ajo punën e saj të përkushtuar dhe Shqipëria politike qëndroi aty ku e kishte vendin, në rreshtin e parë të lobimit ndërkombëtar, si pjesë boshtore e një kombi të vetëm, për të bërë me përpikmëri të gjithë detyrat e gëzueshme, që koha kish shtruar për zgjidhje, Pavarësinë e përjetëshme të Kosovës” – u shpreh z. Basha.

Zoti Basha ka vënë theksin edhe në punët e tjera që e presin përpara Shqipërinë dhe Kosovën, për t’u ulur së bashku në tryezën e përbashkët evropiane.

“Koha e kombit tonë evropian, për t’u ulur edhe institucionalisht në tryezën e Evropës si vende anëtare po vjen e po afrohet me shpejtësi dhe ne të gjithë më shumë se kurrë duhet të punojmë së bashku. Tirana po ndryshon e segment pas segmenti po kthehet në një qytet modern e evropian. Kështu e shoh, e ndiej dhe e prek se po ndodh edhe në Prishtinë. Ne po integrojmë me sukses kulturën tonë të lashtë e shumë të veçantë me trendin kozmopolit të kohërave globale që po jetojmë” – theksoi z. Basha.

Kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa e ka cilësuar praninë e zotit Basha në këtë ditë në Prishtinë, si nderim për qytetarët e Kosovës.

“Dita e sotme ka një simbolikë tjetër të veçantë, ngaqë Prishtina këtë ditë që vjen po shënon bashkë me Tiranën. Pjesëmarrja juaj nderon qytetarët tanë. Ajo nuk është simbolike por shpreh përkushtimin tonë, që bashkarisht të punojmë dhe të përparojmë kryeqytetet e dy vendeve. Prishtina dhe Tirana përjetuan një zhvillim dinamik vitet e fundit. Bashkarisht ne do të ndërtojmë dhe thellojmë bashkëpunimin e ndërsjelltë të dy kryeqyteteve, Kosovës dhe Shqipërisë”

Më herët, kryebashkiaku Basha ka bërë homazhe tek varri i ish - presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, tek Varrezat e Dëshmorëve si dhe te busti i dëshmorit të kombit, Zahir Pajaziti. Zoti Basha ka kryer homazhe edhe në varrin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, në Prekaz.

KOMENTE