Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka pranuar notën verbale të njohjes së Kosovës nga Republika e Jemenit.
Në notën verbale drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, bëhet e ditur se Qeveria e Republikës së Jemenit, të martën më 11 qershor 2013, ka marrë vendim për njohjen e Republikës së Kosovës shtet të pavarur e sovran.
“Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Jemenit ka marrë vendimin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës dhe për të punuar për të mirën e përbashkët të dy vendeve mike, në të gjitha fushat”, thuhet në notë.
Në letër, autoritetet e Jemenit shprehin besimin e tyre se Republika e Kosovës do të luajë rolin e saj aktiv si anëtar i ri i komunitetit ndërkombëtar, duke i shërbyer sigurisë e stabilitetit në Ballkan dhe në botë.
Në notën verbale të nënshkruar nga ministri i Punëve të Jashtme i Jemenit Dr. Abu Bekr Abdullah al-Qirbi, shprehen urimet e Qeverisë së Republikës së Jemenit për vazhdimin e progresit e përparimit të Kosovës, si dhe urimet personale për ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj, me 28 prill 2013, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Jemen, ku ishte pritur nga homologu jemenas, Abu Bekr Abdullah al-Qirbi.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës, me ç’rast pati marrë premtimin e ministrit Abu-Bakr Al-Qirbi për njohjen e shpejt të Kosovës.