English

Komuniteti i Tiranës flet për një Rilindje Shqiptare

Kryetari i socialistëve Edi Rama ka mbajtur sot një takim me familjet e vjetra tiranase ku opinione të ndryshme janë shprehur lidhur me një Rilindje Shqiptare.

Adem Reli: “Slogani i biznesit Foto Reli është: ‘Ju dini të zgjidhni’. Mendojmë që ne këtë herë do dimë të zgjedhim. Si gjithë shqiptarët edhe ne kemi problemet e kohës, më tepër të improvizuara nga pabarazia ndaj bizneseve, pabarazia në konkurrencë e iniciuar nga shteti. Këtë e vuajmë ne kur paguajmë dritat, taksat etj.
Disa shquhen për punë dhe disa shquhen për fjalë. Ata që shquhen për punë dhe ata që shquhen për fjalë mendojnë që të zgjedhin gjithmonë njeriun model, pra që është edhe i punës dhe i fjalës. Ai njeri është këtu midis nesh, pa komplimentet e rastit, por mendoj që është Edi Rama. Për mua personalisht ka qenë për mënyrën si punon dhe këmbënguljen që ka. Prandaj, familja ime, miq, shokë, njerëzit që punoj, të gjithë ata që kanë qenë të lëkundur tani do të votojnë 29.”
Myrshit Vorpsi: “Dikur, kur erdhën të ardhurit e parë në Tiranë, ne tironsit i hapëm dyert dhe ata u bënë pjesë e Tiranës. U bënë pjesë e Tiranës ku të dy palët dhanë nga vetja. Kështu eci Tirana. Tironsit i hapën dyert, kurse ata i sollën të mira Tiranës sepse filloi të rritej, të zmadhohej. Në fillimin e viteve ’90 Tirana ka qenë diku tek 200 mijë banorë, sot është diku tek rreth 1 milionë. Tirana nuk është më e tironsve dhe këtë tironsit e kanë ditur, që në momentin e parë që kanë ardhur njerëzit e parë. Po të kishte qenë Tirana e tironsve, nuk do të ishte kjo që është sot. Tirana nuk është e tironsve, por ama tironsit janë të Tiranës. Ashtu si ne tironsit jemi pjesë e Tiranës ashtu edhe të ardhurit janë pjesë e Tiranës. Në këtë marrëdhënie them që Tiranën e çoi përpara, pikërisht, ai kohezion.
Sot jemi në një moment që nuk na duhen më dasitë. Unë e kuptoj që bastionet i interesojnë partive politike, në momente të caktuara elektorale. Bastionet janë pak a shumë që të ndash popullsinë me thikë. Jo! Shqipëria është e të gjithëve ne dhe prandaj ne duhet të kontribuojmë për Shqipërinë. Asnjëri nga tironsit nuk duhet ta ndjejë veten keq, sepse disa sot votojnë për PS, disa për PD, FRD dhe gjithë partitë e tjera, nuk kanë pse ta ndjejnë veten keq. Të gjithë jemi tirons, të gjithë jemi qytetarë të këtij vendi dhe ky vend ka nevojë për ne dhe ne kemi nevojë për këtë vend. Kjo është ajo thirrje që unë ju bëj të gjithëve ju.
Partitë politike kanë nevojë për tironsit, por edhe tironsit kanë nevojë për partitë politike. Nuk mundet që tironsit të shkojnë vetëm në një vend, janë njerëz të lirë kanë të drejtë të bëjnë zgjedhjet sipas dëshirave të veta. Mua më vjen mirë dhe është koha për një ndryshim, i cili ka ardhur, dhe shoqëria shqiptare ka nevojë.”
Sadi Vorpsi: “Nesër me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste dhe me në krye dhëndrin e Tiranës, Edi Ramën do ketë një derë të hapur për interesat legjitime të familjeve të vjetra të Tiranës.
Unë, personalisht, doja të bëja thirrje të sinqertë votoni, në 23 Qershor, NR.29 si e vetmja rrugë e ndryshimit. Votoni për të ardhmen e fëmijëve tanë, votoni për të rikthyer demokracinë e cila sot ndodhet në udhëkryq. Votoni për t’i thënë ndal kaosit dhe për të rivendosur ligjin dhe shtetin. Votoni për një Shqipëri europiane, për një ëndërr të kahershme të vitit të largët 1991.”
Blend Nallbani: “Faleminderit që jemi mbledhur sot. Nuk është nevoja të përsëris fjalët që kam thënë nëpër sheshe dhe në zonën ku kandidoj, por besoj që duhet të them diçka. Z. Edi Rama në në 2010 më ka përzgjedhur në 10 personalitetet e vitit të Tiranës. Këtë nuk e ka bërë as bashkia e mëparshme që kishte qenë me tironcat tonë. Ishte një vlerësim i madh që unë nuk e prisja. Edi Rama e dinte mirë se në cilin kamp politik bëja pjesë. Ai më jepte çmime dhe unë vazhdoja i dilja kundër në fushatë. Dua të përshëndes dhe kryetarin e skuadrës së Tironës, z. Pandeli Majko.”

Pandeli Makjo: “Në fakt të gjithë përballë jush jemi të ardhur. Tirana mbetet nga qytetet e rralla që është sfungjer, i thith njerëzit dhe ata dalëngadalë bëhen më trima sesa vetë tironsit, e thonë jam nga Tirana. Kjo fotografi flet më shumë sesa çdo fushatë elektorale. Këtu nuk është vendosur akoma Skënderbeu. Ne sot jemi përballë njerëzve të cilët përfaqësojnë fillesën. Fillesën, e një qyteti që ka ekzistuar pa emrin kryeqytet, por që përbën ADN e kësaj që, sot, duke mbledhur njerëz nga veriu dhe nga jugu, po krijon një fenomen të ri të shqiptarit. Fenomen, i cili ngrihet mbi dasitë veri-jug dhe po krijon një brez të ri, i cili shikon me përbuzje, pikërisht, këtë ndarje të veriorëve dhe jugorëve.
Ne të gjithë jemi rritur nga pak duke rritur edhe Tiranën. Të mendosh që Tirana ishte me 360 mijë banorë, sot është me 1 milion.
Arsyeja pse unë kam ardhur i veshur pa kollare, ndryshe nga z.Rama – dikur i thoja unë atij të vinte kollare, tani jam unë që bëj të kundërtën e asaj që i këshilloja- por, thjesht për faktin se përballë jush, përballë tironsve, sa do flokë të bardhë të kemi, ne ndjehemi fëmijë, ndjehemi të ardhur.
Më shumë respekt, unë e di që të gjithë ne në raste fushatash themi tironsit, tironsit, tironsit, problemi është që tironsit në të gjithë këtë histori vetëm kanë dhënë dhe nuk kanë marrë. Po ju këtë e dini më mirë sesa unë. Ne të gjithë problemin bazë që kemi, si fenomen janë dy të paktën legalizimi i atyre që kanë ardhur dhe kompensimi i atyre që u është marrë. Shteti shqiptar nuk duhet të dorëzojë më asnjë tokë, asnjë centimetër tokë me një euro pa filluar kompensimi fizik. E, nëse fillon kompensimi fizik kjo do të fillojë nga ata që kanë dhënë më shumë, nga tiranasit.”
Linda Rama: “Kur Edi më pyeti a ke dëshirë të vish në një takim ku do mblidhen tironcit, më shkoi mendja në oborrin e shtëpisë së fëmijërisë sime me avlli qerpiçi, ku bisedohej nën aromën e trëndafilave e të karafilave, selfijonit e hidershasë, mes ngjyrave të luleve të borës e mullagave, poshtë kumllave, kajsive e hurmave. Gratë e shtëpisë vinin rrotull miqve duke i qerasur me ujë brisk të ftohtë nga pusi në hajat, shurup trëndafili e reçel të mrekullueshëm përgatitur nga petalet e luleve dhe frutat e pemëve të oborrit. Ende sot ai oborri është me mua dhe gjyshi e gjyshja ime apo “nona” siç i thërrisnim, janë aty, megjithëse me vite larguar nga jeta. Kujtimi i tyre është këshilla më e mirë për mua.

U lindëm këtu, këtu u rritëm, mësuam në fillim mësimet e urta të shtëpisë pastaj ato të shkollës, kaluam vite vështirësish, pune, gëzimesh e hidhërimesh, lindjesh e ikjesh. Këtu, në Tiranë u lindën mu në kufirin e një kohe tjetër, edhe Rea dhe Gregu. Koha tjetër e bëri tjetër edhe Tiranën. Tirana ku fëmijët tanë u rritën ishte shumë e ndryshme nga Tirana ku u rritëm ne. Edhe më e ndryshme akoma është Tirana e fëmijëve që lindin sot.

Nuk do të kisha ardhur sot nëse nuk do ta shihja si rast për të qenë mes tiranasve që duan një Tiranë dhe një vend ku të mos tretet për fare kultura qytetare e oborreve të bashkëbisedimit e të bashkëjetesës së urtë. Nuk do ta kisha marrë fjalën si një prej këtyre tiranansve nëse nuk do të ndjeja detyrimin për të nderuar gjyshërit e mi për gjithçka më dhanë e më bënë të kuptoj nga mënyra e vjetër tironse e të qenit njeri e qytetar. Sot dua të flas edhe për ta dhe kam një dëshirë të thellë të besoj se ata janë këtu duke më dëgjuar, siç dëgjova unë para pak ditësh gjithë kërshëri mbesën time Alesian duke i rënë pianos në saxhon e saj të fundvitit. Shpresoj që ata të jenë krenarë për mua, si unë për Alesian që rritet bukur.

Mënyra e jetesës dhe e sjelljes së familjes së vjetër tiranase ishte natyrshëm busulla që drejtonte frymën e qetë të bashkëjetesën në qytet. Në krah të shtëpisë sonë ishte një familje përmetare, në krahun tjetër një familje nga Leskoviku, pak më tej nënë Aliseja nga Shkodra, tek rrugica përballë familje dibrane, pak me tutje, Vesht, Durisht e Gugallt, familje të vjetra Tiranase. Të gjithë fqinj të mirë e të urtë, punëtorë dhe fjalë ëmbël që i ndanin sëbashku gëzimet dhe hidhërimet e tyre, që shkëmbenin vlerat dhe kulturën e origjinës si pasurinë dhe investimin më të mirë për veten, komshillëkun, brezat. Tironsit e vjetër thoshin para shpis blehet komshiu! Prindërit e gjyshërit na mësonin që fëmijët e fqinjëve i kishim motra dhe vëllezër dhe që njerëzilliku ishte vlera më e paprekshme e njeriut dhe tek njeriu. Kështu u rritën prindërit tanë, kështu u mësuam ne.

Tironcit e panë jo si fillesën e një skenari lufte po si bulevardin e një paqeje të qëndrueshme detyrimin për të bashkëjetuar me të tjerët kur Tirana nuk ishte më vetëm e tyrja, po kryeqyteti i Shqipërisë dhe qyteti i gjithë shqiptarëve. Dhe është fakt: Tiransit si tërësi autoktone nuk u deformuan në qytetarinë e tyre, as kur deformimet dhunuan hapësirën dhe bashkëjetesën qytetare. Ata u përfshinë thuajse si komunitet i tërë në zhvillimet demokratike. Por me protagonizmin e tyre të urtë kolektiv, pa u shquar në asnjë rast si protagonistë të shkeljes së oborrit të tjetrit, të dhunimit të pronës a pasurisë së shtetit, të rregullave të të jetuarit nën ligjësinë e vjetër të mosprekjes të asaj që s’është jotja dhe të respektit për atë që është ndryshe nga ty.

Tirancit i kanë ofruar në dekada qytetit dhe shoqërisë talentin dhe përkushtimin në profesionin e tyre. Me dhjetëra familje tiranase kanë qenë të njohura për talentin e punën artizanale e zejtare në mjaft raste të trashëguar brez pas brezi. Jam e bindur që ju sot kujtoni këtu ustallarë të mëdhenj me shumë emër në qytet që nuk jetojnë më. Asnjë usta i madh i kohëve të shkuara nuk do të na e falte sot situatën në të cilën është katandisur tradita dhe arsimi në qytet që po e le pa punë, pa farë zanati, rininë duke i kërcënuar seriozisht të ardhmen. Nuk do të na e falnin situatën në arsim as shumë mësues e mësuese të vjetër tiranas apo profesorë të shquar universitetit, që kanë investuar me përkushtim për arsimimin e brezave të qytetit tonë. Dhe kur? Sot kur mundësitë janë të pafundme, sepse bota e madhe është bërë shumë e vogël e ka ardhur tek porta e oborrit.

Tirancit i kanë ofruar mjekësisë shqiptare emra të mëdhenj, të paharruar, që brezi i prindërve tanë i kujtojnë me respekt dhe nostalgji për humanizmin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm. Të gjithë ata merituan dhe morën vetëm një çmim, pa letra e medalje, çmimin e mirënjohjes së thellë në kujtesën e qytetarëve të cilëve u shërbyen. Kujtohen edhe më shumë sot, këta mjekë të devotshëm kur shëndetësia është në gjendje katastrofale. Nuk do të na e falnin sot mjekët e mëdhenj tiranc të kohëve të shkuara ankthin që provojnë mijëra shqiptarë nga pamundësia për t’u diagnostikuar, nga shërbimi tepër problematik shëndetësor, nga pamundësia për të blerë ilaçe, nga mungesa e gjerë e humanizmit në mjekësi. Dhe kur? Sot kur botën e madhe e kemi prapa portës së oborrit të cilën mjafton ta hapim për të mirëpritur të rejat e pafundme saj.

Tirancit janë respektuesit më fanatikë të ligjit dhe të shtetit. Të tillë kanë qenë të parët tanë, të tillë janë prindërit tanë, të tillë jemi ne. Dhe aq e vërtetë është kjo sa rëndom këtë respekt i’a kanë marrë për frikë e për dobësi duke abuzuar jo pak, sidomos në vitet kur pronat e tyre shteti në njëzet vite i la pa asnjë mbrojtje. Të prirur për t’i trajtuar gjërat me tolerancë, pothuaj të gjitha familjet e vjetra tiranase apo njëlloj si ata, familjet e qytetarëve të ardhur herët në Tiranë sot gjenden të zhgënjyer, rropatur vite të tëra dyerve të gjyqeve dhe zyrave të shtetit, duke u ndjerë çdo ditë dhe më jabanxhi në qytetin dhe pronën e vet dhe pa mundur të shohin jo vetëm zgjidhje, por asnjë fije drite në fund të tunelit. Të parët tanë, ata që me shumë mund, djersë e ndershmëri e krijuan pronën, do të ishin krenar për ne pasardhësit e tyre që respektojmë ligjin dhe shtetin, por nuk do të na e falnin kurrë qëndrimin duarkryq përpara kujt në emër të shtetit shkel ligjin, dhunon të drejtën e pronës dhe ngatërron çdo mot e më keq çështjen e pronave në këtë vend. Dhe kur? Sot kur sfida jonë është ta bëjmë oborrin tonë pjesë të oborrit të madh të familjes europiane dhe kur të mos rrish duarkryq do të thotë edhe fare thjesht, të përdorësh votën tënde për të mos u bërë palë me të ligën që i ka hyrë shtetit e përmes shtetit gjithë shoqërisë.

Gjyshja ime thoshte “Masi ti nigjosh fjalën tjetrit vreji punën tkeqen nona”. Dhe puna e secilit sot është që masi ka nigju fjalët të vrejë punën e vet si qytetar duke votuar që punët në oborrin tonë të shkojnë ndryshe. Tirana s’do jetë më kurrë ajo që ishte. Shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë, të tjera për keq. Por siç mund të bëhen më mirë gjërat janë keq, mund të bëhen më keq edhe gjërat që janë mirë. E, ja pse sot s’desha thjesht të jem krenare në krah të Edit, për gjithçka ka bërë për Tiranën, po desha të flas si njëra nga ju për të trokitur me fjalën time në portën e oborreve të tironcave dhe për t’ju thënë: Eshtë koha të vreni punën me votë! Për Tiranën. Për sigurinë e jetës, punës, pronës. Për fëmijët tanë që duhet të trashëgojnë një vend më të mirë. Për Shqipërinë që sytë i ka gjithnjë nga Tirana.”

Kryetari i PS, Edi Rama: “Tani u komplikua pak puna, se zakonisht thuhet “omëlsina n’fund”, por pas omëlsinës s’mbetet asgjë. Dhe unë tani jam “mas omëlsinës”. Megjithatë, dy fjalë dua të shtoj.

Linda në fakt më kapi në befasi, se më tha: Në qoftë se unë vij aty, unë do flas. I thashë, fol, por harrova që Linda asnjëherë nuk i bën gjërat pa u përgatitur dhe nuk e prisja të dëgjoja këtë fjalim që me thënë të drejtën më bëri të ndjehem në vështirësi edhe pse e kam njëfarë ustallëku për të bërë fjalime. Kështu që, me shumë sinqeritet dhe me shumë modesti do të tërhiqesha nga fjala ime më tej. Besoj që pas fjalëve që tha gjysma ime më e mirë, s’më mbetet tjetër veçse të pohoj se kjo është e vërteta dhe se shpresa që në 23 qershor edhe tironsit të zgjedhin Partinë Socialiste nuk lidhet me zgjedhjen time, apo të atyre që janë bashkë me mua pjesë e skuadrës sonë të Rilindjes, por me një zgjedhje që është shumë më tepër se sa zgjedhja midis dikujt dhe dikujt tjetër. Ka momente në historinë e një vendi kur zgjedhjet janë më shumë se sa një zgjedhje mes palësh. Ky është një moment i tillë. Zgjedhjet në vitin 1992 nuk ishin një zgjedhje mes palësh, ishin një zgjedhje mes një kohe dhe një kohe, mes të shkuarës dhe të ardhmes. Sot nuk janë zgjedhje mes dy palësh. Nuk janë as zgjedhje mes dy njerëzish. Janë zgjedhje mes rrënimit të mëtejshëm për të gjithë dhe një Rilindjeje të të gjithëve bashkë. Janë zgjedhje për të marrë një vendim se çfarë Shqipërie duam të kemi nesër. Një Shqipëri që t’i ngjajë akoma më shumë për keq asaj që kemi sot: krim, pasiguri, konflikte pronash, katrahurë letrash, papunësi e madhe, arsim jo cilësor, analfabetizëm që rritet, analfabetizëm funksional që tanimë ka kapërcyer mbi 50% të 15-vjeçarët, sistem shëndetësor i falimentuar, shërbim shëndetësor me para në dorë ngado që kthen kokën, korrupsion i madh, ndotje, plehra, plehra që importohen nga jashtë. Një vend që ka ujë aq sa s’kanë të tjerët, por që është i vetmi që s’pi dot ujë, nuk vadit dot tokën, – dhe një Shqipërie normale. Një Shqipërie, ku puna të mos jetë privilegj, por të jetë shprehja e dinjitetit të secilit; Një Shqipërie ku të mos paguajnë më shumë ata që kanë më pak dhe ku ata që kanë më shumë i kanë të gjitha dhe nuk i lënë gjë atyre të tjerëve dhe ata të tjerët nuk janë disa, ata të tjerët janë ata që quhen popull; Një Shqipëri normale ku ne të mund të ujisim tokën tonë, të mos e lëmë të thahet për ujë në verë dhe të mos e lëmë të përmbytet sa herë bie shi. Ku të çojmë ujë për çdo familje dhe të mos kemi më nëna që e ngarkojnë ujin në krah dhe familje të tëra që nuk e prekin dot ujin e rrjedhshëm në buzë. Të prodhojmë ushqimin. Të prodhojmë ushqimin, në një vend që Zoti, se ju tironsit e keni me Zotin, nuk e keni me natyrën, ia dha të gjitha. I dha ujin, i dha tokën, i dha detin, i dha kodrat, i dha malin, ja dha të gjitha, i dha dhe tironsin. Çfarë duam më shumë?!
Ju falënderoj! Ju jam shumë mirënjohës dhe ju siguroj vetëm për një gjë, që 29 nëntori çliroi Shqipërinë, numri 29 e ka brenda një magji të vetën, por duke votuar Partinë Socialiste dhe duke votuar tek numri 29 ne nuk do të bëjmë asnjë magji, sepse ne nuk kemi asnjë shkop magjik. Ne nuk premtojmë mrekulli dhe as tregojmë përralla. Ama, një gjë mund të zotohem me siguri se do ta bëjmë; hallet e njerëzve do të jenë hallet tona, problemet e njerëzve do jenë problemet e mia dhe përpjekjet e njerëzve për një jetë më të mirë do jenë përpjekjet e mia dhe të gjithë miqve, shokëve, bashkëpunëtorëve të mi, sepse unë kam bindjen e palëkundur që Shqipërisë nuk i mungon asgjë dhe deri më sot i ka munguar gjithçka. I ka munguar shteti për shkak se Shqipërinë nuk e kanë qeverisur njerëzit që e duan.

KOMENTE