English

Kosovë. Marrëveshja e Brukselit fuqizon dhe shtrin sovranitetin në tërë territorin e vendit

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka prezantuar para Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Republikës së Kosovës Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes se parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë dhe të planit të zbatimit për këtë marrëveshje.

Ai me këtë rast tha se qëllimi i Republikës së Kosovës është se përmes këtyre dy marrëveshjeve të bëhet ndërprerje e çfarëdo prezence qoftë të Republikës së Serbisë në territorin e Kosovë, duke lejuar njëkohësisht integrimin e pjesës së shoqërisë së cilës iu pamundësua kjo për shkak të ndikimit të Serbisë në një pjesë të territorit për një kohë të gjatë.

Ai tha se i gjithë spektri politik ne vend ka qenë i njoftuar me procesin, edhe të marrëveshjes së parë edhe me planin e implementimit dhe me takimet bilaterale.

Zëvendëskryeministri tha se marrëveshja ka 4 fusha kryesore. “Fusha e parë ka të bëjë me asociacionin e komunave, ku sa i përket kësaj ne jemi pajtuar që ky asociacion të themelohet pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Fusha e dytë është Drejtësia, ku shumë shpejt pritet ndalimi i funksionimit të gjykatave paralele në veri të Republikës së Kosovës, ndërsa do të hapet konkurs për pranimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin gjyqësor të Kosovës, ku numri i tyre i pranuar do të jetë në përputhje me numrin e popullatës të asaj pjese. Fusha e tretë ka të bëjë me Policinë dhe sigurinë në përgjithësi. Pjesëtaret e komunitetit serb që punojnë në Policinë e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë, por gjithmonë nëse tërhiqen nga të shfrytëzuarit e dy pagave, ndërsa Qeveria e Serbisë të mos financoi këto struktura. Strukturat tjera të sigurisë të gjitha duhet të shpërbëhen. Të gjithë ata që dëshirojnë të integrohen në strukturat e sigurisë të Republikës së Kosovës, duhet të kalojnë përmes procesit të konkursit dhe verifikimit dhe numri do të jetë për aq sa ka nevojë. Fusha e katërt ka të bëjë me zgjedhjet lokale. Ne jemi pajtuar që zgjedhjet lokale të mbahen njëkohësisht në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Për veriun jemi pajtuar që të kemi një lehtësim nga misioni i OSBE-së për mbajtjen e zgjedhjeve, por gjithmonë duke u bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës”, tha Kuçi.

Pas prezantimit të pikave kryesore të marrëveshjes nga Zëvendëskryeministri Kuçi, ai ju përgjigj interesimit të deputeteve lidhur me këtë marrëveshje, interesim i cili përveç aspektit teknik dhe disa çështjeve tjera të kësaj marrëveshje, kryesisht ishte i fokusuar te Ligji për Amnisti.

Zëvendëskryeministri Kuçi ripërsëriti qëndrimin e tij se Projektligji për Amnisti është propozuar nga ai që nga prilli i vitit 2011 dhe se qëllimi i këtij projektligji është që amnistia të përfshije vepra të caktuara dhe jo një etnitet apo një pjesë të territorit, por çdo vepër e amnistuar do të jetë për çdo rast, respektivisht vepër dhe kryes pa dallime etnie dhe në çdo pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Gjithashtu mangësitë eventuale do te përmirësohen, siç është gjuha e marrëveshjeve konform të Drejtës ndërkombëtare të traktateve rreth harmonizimit të tekstit me origjinalin.

KOMENTE