Gjatë vizitës në qarkun e Beratit, Kryeministri Berisha inspektoi punimet për ndërtimin e rrugës Lushnje-Berat, e projektuar me gjerësi asfalti 8.2 metra dhe gjerësi totale 9.5 metra.
Kryeministri u ndal në lotin e parë të saj, segmentin Berat-Poshnje, që nis nga rreth-rrotullimi në daljet Lushnjes deri tek kthesa e fshatit Kosovë, Lushnje, investim me vlerë 432 milionë lekë.
Kryeministri Berisha u njoh nga drejtuesit e kompanisë ndërtuese me ecurinë e punimeve, të cilët raportuan se vlera e punimeve të realizuar përbën rreth 71 përqind të vëllimit të përgjithshëm.
Gjithashtu vazhdojnë punimet edhe në lotin e dytë të rrugës Lushnje-Berat, nga kthesa e fshatit Kosovë, Lushnje deri në dalje të fshatit Poshnje, Berat, me vlerë investimi 1.36 miliardë lekë. Ndërsa loti i tretë, me vlerë financimi 1.17 miliardë lekë, fillon nga dalja e fshatit Poshnje deri tek dogana e qytetit të Beratit.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për ritmet e shpejta të punimeve. Kryeministri u shpreh se krahas rrugës Lushnje Berat, një vepër prioritare është edhe Boshti i Jugut, duke bërë në këtë mënyrë që Berati të lidhet me infrastrukturë moderne nga të gjitha anët e tij. Kryeministri tha se në ndërtimin e Boshtit të Jugut është projektuar një tjetër tunel malor që do të lidhë Beratin me Tepelenën.
“Ne kemi marrë vendimin përfundimtar që malet që ndajnë Tepelenën me Beratin t’i hapim, do të bëjmë tunel, pasi ato nuk mund të pengojnë. Berati do të ketë komunikim nga të gjitha anët. Në radhë të parë, këtë e meritojnë qytetarët, por edhe Berati, ky qytet 2500 vjeçar që ka ardhur kaq madhështor, nuk mund të jetë kurrë xhep. Ata para nesh ruajtën kodikët, ruajtën Beratin, ne tani i japim Beratit infrastrukturën e këtij shekulli,” - u shpreh Kryeministri, gjatë inspektimit të segmentit Poshnje-Berat.
Kryeministri Berisha tha se një tjetër drejtim i rëndësishëm, ku janë përqendruar investimet në infrastrukturën rrugore, është edhe lidhja e Beratit me bregdetin. “Rruga që e lidh Beratin me Fierin, - u shpreh Kryeministri - ka filluar ndërtimin nga kthesa e Roskovecit dhe është një investim me 500 milionë lekë. Së shpejti do të fillojë edhe këtu dhe është rrugë e standardeve më të mira. Ne bëjmë reale projektet e infrastrukturës më moderne që ekziston. Lidhjet e Beratit do të jenë të shumta, por të gjitha ky qytet i meriton, pasi Berati është trashëgimi kulturore botërore, por është edhe vendi i qytetarëve të mrekullueshëm, që me djersën e tyre kanë qëndisur çdo gjë.”