English

Nishani në samit: Ballkani dikur “fuçi baruti” , sot “rajon i shanseve të arta”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë në samitin e 18-të të Presidentëve të Evropës Qendrore mbajtur në Bratislavë të Sllovakisë nga 12-13 qershor, ku morën pjesë 20 krerë shtetesh.

Presidenti Nishani në fjalën e Tij e vuri theksin te stabiliteti ekonomik si një dimension shumë i rëndësishëm dhe përcaktues, për sigurinë dhe paqen në rajon.

Në këtë kontekst, Presidenti Nishani u shpreh se vendet e rajonit mund të amortizojnë pasojat e krizës globale dhe të shkurtojnë kohën e saj, duke forcuar bashkëpunimin rajonal, ndërsa shprehu bindjen se projekte madhore rajonale si gazsjellësi “Trans Adriatic Pipeline” i njohur si (TAP) si edhe “Korridori i 8 –të”, Projekti Jonian, Terminali LNG, janë vepra, të cilat do të rrisnin frymëmarrjen ekonomike për të gjitha rajonet e tregjet nëpërmjet të cilave kalojnë.

Kreu i Shtetit nënvizoi se Ballkani, i etiketuar dikur si “fuçi baruti” mund të konsiderohet sot si një “rajon i shanseve të arta”, duke vlerësuar se marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar më 19 Prill 2013 në Bruksel mes Kryeministrave Thaçi dhe Daçic shënon një kthesë domethënëse drejt destinacionit të përbashkët, që është Bashkimi Evropian.

Duke garantuar se Shqipëria do të mbetet një promotore e forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut e bashkëpunimit rajonal, Presidenti Nishani theksoi se është e domosdoshme që vendet e Ballkanit të shkëputen nga hijet dhe atavizmat e së shkuarës, duke shpenzuar energji për të gjetur mënyrat më efektive të bashkëpunimit dhe duke hequr dorë nga sforcimet për të gjetur argumente përjashtimi.

Presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe Zonja e Parë Odeta Nishani të mërkurën në mbrëmje morën pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së samitit të 18-të të krerëve të Europës Qendrore Bratislavë 2013, e cila u mbajt në ndërtesën e filarmonisë “Reduta” të Bratislavës. Pas fjalës së hapjes së Presidentit sllovak Gasparoviç dhe fjalës përshëndetëse të Presidentit të Këshillit Europian Herman Van Rompuy ceremonia vazhdoi me një koncert nga orkestra e Filarmonisë sllovake dhe u mbyll me darkën e dhënë nga presidenti sllovak për nder të të ftuarve.

Në ditën e parë të qëndrimit të tij në Bratislavë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi një takim me përfaqësues të shoqatës së shqiptarëve të Sllovakisë “Iliria”.

Gjatë një bisede të hapur dhe miqësore, Presidenti Nishani i informoi bashkëbiseduesit për zhvillimet në Shqipëri, marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovakisë dhe zhvillimet në rajon.

Një vëmendje të veçantë i kushtoi rrjetit të “Miqve të Shqipërisë”, një nismë e ndërmarrë nga Presidenti i Republikës për të krijuar një komunikim institucional me diasporën shqiptare me qëllim njohjen e problemeve dhe marrjen e opinioneve të tyre në funksion të një bashkëpunimi të ngushtë për promovimin e imazhit të Shqipërisë në botë dhe mundësinë e investimit të shqiptarëve të diasporës në Shqipëri.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e shoqatës “Iliria” e vlerësuan takimin si një mesazh të qartë të përkushtimit të Presidentit Nishani për diasporën dhe problemet që lidhen me të dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me institucionet e shtetit shqiptar, duke shprehur interes të veçantë për të investuar në Shqipëri.

Takimi vijoi me një shkëmbim të lirshëm mendimesh për çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve shqiptare, trashëgiminë kulturore dhe arsimore të shqiptarëve në diasporë, zhvillimet në rajon dhe të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë dhe shtetit të Kosovës.

KOMENTE