Fjala e Kryetarit të PS, Edi Rama në mitingun e zhvilluar në Burrel.
Përshëndetje të gjithëve!
Është e jashtëzakonshme!
Ju jam shumë mirënjohës për këtë pritje të jashtëzakonshme!
Kam qenë edhe herë tjetër këtu, kam pasur gjithmonë një mikpritje të veçantë, por kjo e sotmja është e jashtëzakonshme!
Në fakt, tanimë, shesh më shesh, nga veriu në jug dhe nga jugu në veri, Era e Rilindjes po sjell me vete aq shumë njerëz, aq shumë gra e burra, vajza e djem sa kurrë ndonjëherë më parë nuk janë mbledhur së bashku për të manifestuar dëshirën e tyre për ndryshim, për të manifestuar vullnetin e tyre për ndryshim, për të manifestuar gatishmërinë e tyre për ndryshim. Sepse, ky i 23 qershorit nuk është një ndryshim si gjithë të tjerët; ky ndryshim është Rilindje!
Unë jam shumë krenar që kam ardhur këtu, sot, bashkë me një skuadër për Rilindjen që është pa as më të voglin dyshim në lartësinë e vlerave dhe të shpresave tuaja. Në radhë të parë, më lejoni që t’i shpreh gjithë respektin, mirënjohjen e dashurinë time kësaj gruas së bukur këtu, kësaj gruaje që ka transformuar njëherë e përgjithmonë historinë e këtij qyteti, duke provuar se jo vetëm ky qytet, por e gjithë Shqipëria ka gra që mund të bëjnë më mirë se burrat atë punë që padrejtësisht në Shqipëri thuhet se dinë ta bëjnë vetëm burrat. Unë ju siguroj që me votën tuaj në 23 Qershor, ju do t’i jepni mundësi Adelinës të tregojë deri në fund se sa shumë vlen falë mbështetjes që, ne do t’i japim për të çuar përpara projektin e transformimit të këtij qyteti.
Unë jam po ashtu shumë krenar dhe mirënjohës që në këtë skuadër të Rilindjes është përfshirë edhe doktori i duhur, doktor Hasani, na e ka lehtësuar shumë punën edhe me demokratët, sepse demokratët e kanë edhe si forcë zakoni që duan me votu patjetër doktorin dhe ja ku e kanë doktorin e duhur ndaj s’kanë pse e hedhin votën tek doktori i gabuar.
Një grua për të udhëhequr transformimin këtu, një doktor për të shëruar plagët këtu dhe në krye të skuadrës së Rilindjes një ekonomist për të rimëkëmbur ekonominë e këtij qarku bashkë me ekonominë e të gjithë vendit.
Motra dhe vëllezër!
Unë ju jam pafundësisht mirënjohës dhe ju siguroj se kjo prani e jashtëzakonshme dhe mbështetja e jashtëzakonshme që ndjehet në çdo rrugë, në çdo stacion ku ndalojmë, në çdo kafene, në çdo oborr shtëpie, në çdo qytet e fshat, është për ne, është për mua, një përgjegjësi që rritet dita ditës, për të mos thënë çfarë nuk mund të bëjmë dhe për të bërë çdo gjë që themi se do ta bëjmë.
Çfarë do bëjmë? Do bëjmë disa gjëra që padrejtësisht këtij populli i janë bërë të pamundura në vite. Mua sinqerisht më vjen shumë zor që në një fushatë elektorale të shekullit të XXI, 100 vjet e kusur pas formimit të shtetit shqiptar, akoma uji është një legjendë elektorale dhe është dita për t’u zotuar se legjenda e ujit do të zhduket njëherë e mirë nga historia e fushatave elektorale. Në katër vitet e ardhshme ne do ta çojmë ujin kudo ku ka një familje që jeton dhe kudo ku ka një metër tokë buke që ka nevojë për ujë.
Ne do t’i japim mundësi të gjithë atyre familjeve të zakonshme të këtij vendi, familjeve të zakonshme të këtij qarku, të kësaj zone, që jetojnë me tokën që nga toka të mos nxjerrin vetëm mbijetesën, por nga toka të nxjerrin mirëqenien. Ne jemi zotuar dhe me votën e 23 Qershorit do ta ulim koston e prodhimit dhe do të lehtësojmë çdo familje shqiptare që sot shkon në pazar duke ju dridhur zemra nga çmimet e papërballueshme.
Ne do t’i japim mundësi, çdo familjeje që jeton me tokën të prodhojë me kosto më të ulët sepse;
Ne do ta heqim akcizën e naftës;
Ne do ta heqim taksën e qarkullimit të naftës;
Ne do t’i heqim taksat nga 20% të Saliut për plehrat, për farërat, për makineritë bujqësore;
Ne do të investojmë 160 milionë dollarë për ujin në parcelë dhe për kullimin e çdo toke bujqësore.
Kështu, duke ndërtuar shkolla bujqësore do t’u japim mundësi djemve dhe vajzave që sot janë të reja e të rinj që të mos e braktisnin tokën e të parëve të tyre, por që të vazhdojnë punën me tokën në një Shqipëri që do të rilindë duke filluar nga rilindja e tokës, e fshatit, e prodhimit. E prodhimit, për të ushqyer ashtu siç duhet një popull që nuk e meriton urinë, një popull që nuk i meriton borxhet për ushqime në dyqan, një popull që nuk e meriton të dridhet përpara ushqimeve në pazar, një popull që duhet të jetojë me prodhimin cilësor të ushqimeve të veta, një popull që duhet të jetojë si gjithë tjerët këtu në mes të Europës.
Tani, ju e dini, nuk jemi vetëm ne në këtë rrugëtim. Nuk është vetëm autobusi ynë në këtë rrugëtim, është edhe një katragjysh me antiplumb e me 200 roje, me makinë të blinduar, me qen antiminë, me snajperë, me shumë autobusë që i shkojnë nga pas për të mbushur sheshet që përndryshe do të ishin të zbrazura. Me autobusë që i mbush me robërit e pushtetit, me ata që i kërcënon me bukën e gojës, më mësues, me infermiere, me nëpunës, me prindër të këtij vendi që jua ul kokën dhe i fut nëpër autobusë. Në 23 qershor, me numrin e bekuar të datës së çlirimit do çlirohet njëherë e mirë çdo nëpunës, mësues, infermiere, mjek, rrogëtar i këtij vendi.
Kur vjen siç erdhi edhe këtu në këtë shesh, ju thotë përralla, përralla nga ato që nuk ka më shqiptar që mund t’i besojë. Ju thotë mos i besoni planit të socialistëve të uljes së taksave për të ulur çmimet e prodhimit, për të ulur kostot e prodhimit, sepse unë thotë ai do jua jap lekët në dorë. A ka ndonjë këtu në këtë qytet, në këtë qark, në këtë pjesë të Shqipërisë dhe në të gjithë Shqipërinë që beson se ajo dorë mund të futet në xhepin tuaj për të lenë ndonjë lekë? Ai lekë në dorë?! Ai t’ju paguajë ju naftën me lekë në dorë, ai t’ju paguajë ju plehrat kimike e farërat me lekë në dorë?! Kush e ha këtë?
Po kur thotë do ju jap rrogën e 13? Ai?! Ai do ju japë rrogën e 13 pasi e hoqi tetë vjet më parë dhe tha se kjo është rroga e parazitëve, rroga e komunistëve dhe rroga e dembelëve? Jo, rroga e 13-të ka dalë sepse ne kemi dalë më parë me një plan që është përpara syve të të gjithëve. Ne do t’i ulim taksat për 95% të shqiptarëve.
Nga ulja e taksave do të përfitojë çdo shqiptar, i punësuar në shtet apo tek privati, që merr nga 300 e ca mijë lekë deri në 1.5 milion lekë të vjetra dhe do të përfitojë mesatarisht 40 mijë lekë në muaj dhe një rrogë më shumë në fund të vitit.
Ky quhet taksimi i ndershëm dhe taksimi i ndershëm do të vazhdojë më tutje me heqjen e taksës së biznesit të vogël për gjithë dyqanet e Shqipërisë; do të vazhdojë me përgjysmimin e tatimit të fitimit për gjithë ata që janë vet punësuar me një biznes të vogël dhe mbajnë familjen me punë të ndershme.
Por, akoma më tutje, sepse ne do të heqim taksa edhe për ata që janë më të moshuar, edhe për ata që janë të papunë, për çdo familje të zakonshme që nuk do të paguajë më 20% taksë për kilen e bukës, nuk do paguajë më 20% taksë për kokrrën e vezës, nuk do paguajë më 20% taksë për kilen e qumështit sepse ne taksën 20% për ushqimet jetike do ta bëjmë zero.
Më shumë akoma miqtë e mi!
A ka mundësi t’u bëj një pyetje? Mund ta ngrejë dorën këtu kush është i papunë? E pra, të gjitha ato duar që u ngritën janë duar njerëzish të papunë jo se s’duan të punojnë por sepse s’kanë mundësi të punojnë sepse askush nuk mendon për punësimin e tyre, sepse në Tiranë vazhdon të rrijë në punë edhe për ca ditë një kryeministër që duhet dhe do të pushohet nga puna në 23 Qershor.
Të gjithë ata që s’janë në punë, që s’janë të siguruar nga ana shëndetësore, katragjyshi thotë mos u sëmurni po nuk patët lekë. Ju e dini mirë që kur sëmundja bie në shtëpinë e dikujt që nuk është i siguruar se është i papunë dhe që nuk ka lekë për të paguar kurimin, atëherë shitet shtëpia, shitet lopa, merren borxhe për të mbajtur në jetë një njeri të dashur të familjes. Këtë ne nuk e pranojmë dhe në Shqipërinë që do të rilindim shërbimi shëndetësor do të jetë falas për të gjithë.
Dera e spitalit do të hapet me respekt dhe pa kërkuar asnjë lekë qoftë për ata që janë në punë e qoftë për ata që janë pa punë, qoftë për ata që jetojnë në qytet e qoftë për ata që jetojnë në fshat, qoftë për ata që janë të pasur, qoftë për ata që janë të varfër sepse për ne, të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë të drejtë të shërbehen nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor falas.
Çfarë ka në gjitha këto për të mos u bërë?! Pse shqiptarëve këto dhe të tjera si këto u janë bërë të pamundura në 20 vjet rresht?! Pse shqiptarët sot duhet të jenë të ekspozuar e të pambrojtur karshi papunësisë, varfërisë, kriminalitetit?! Pse shqiptarët sot duhet të blejnë çifte për të mbrojtur shtëpinë, për të mbrojtur lopën, për të mbrojtur tokën?! Pse shqiptarët sot duhet të thahet për ujë, për ujë në shtëpi, ujë për tokën, pse shqiptarët sot duhet të heqin gjithë këto halle e probleme? E dini pse?! Përgjigja është vetëm një, shqiptarët sot nuk kanë shtet!
Prandaj, edhe zgjedhja e 23 qershorit është një zgjedhje shumë e qartë! Më 23 qershor Shqipëria nuk do të zgjedhë kush do të fitojë, a do fitojë Sala apo do të fitojë Edi Rama, a do fitojë PD-ja apo do fitojë PS-ja, Shqipëria do të zgjedhë nëse do të vazhdojë rrënimi apo do të fillojë rilindja.
Rrënimi nuk merr me vete vetëm socialistët por rrënimi merr të gjithë bashkë njerëzit e zakonshëm e të pambrojtur të këtij vendi, socialistë e demokratë, ashtu sikundër rilindja nuk vjen vetëm për socialistët por vjen për të gjithë socialistë e demokratë, për të gjithë prindërit që nuk duan që fëmija i tyre në fund të 9 vjeçares të jetë një nga dy analfabetët funksional që prodhon sistemi i katragjyshit.
Pra, në 23 qershor zgjedhja është shumë e qartë; ose me katranjosin për ta katranosur fare duke mbajtur katragjyshin si asnjë vend tjetër në botë, se jemi një nga popujt më të ri të botës dhe jemi i vetmi popull në botë me një kryeministër 70 e ca vjeç. Ose pastaj me numrin e ditës së bekuar të çlirimit të këtij vend, me 29 që do çlirojë energjinë e jashtëzakonshme pozitive të këtij populli, që do të çlirojë biznesin nga kthetrat e falimentimit, që do çlirojë mësuesit, mjekët, infermierët, nëpunësit nga kthetrat e frikës ndaj pushtetit. Që do të çlirojë nxënësit nga kthetrat e analfabetizmit, që do të çlirojë familjet në fshat nga kthetrat e urisë, që do çlirojë popullin shqiptar nga kthetrat e një tranzicioni që është kthyer në rrënim.
Nuk diskutohet, do çlirohet edhe katragjyshi nga antiplumbi, do çlirohen edhe qentë antiminë që nuk do kontrollojnë më nëpër mitingje se mos ka ndonjë bombë, do çlirohen edhe snajperat që nuk do rrinë me pushkë mbi turmën se mos ndonjëri ngacmon katragjyshin.
Miqtë e mi!
Në fund fare unë kam vetëm një lutje, në 23 Qershor kush vërtet do rilindjen dhe jo rrënimin, të mos shkojë vetëm tek kutia e votimit por të marrë me vete dikë tjetër që nuk ka votuar herën e shkuar, dikë tjetër që sot vazhdon lëkundet me idenë ç’të bëj? Si t’ja bëj, a ja vlen apo s’ja vlen? Sigurisht që ja vlen dhe padyshim që të gjithë këtë herë nuk duhet ta harrojnë atë fjalën e mençur që thotë kur e keqja e kap për fyti një popull, nuk është faji i të këqinjve, por është faji i të mirëve që rrinë duar kryq.
Askush të mos rrijë duarkryq nëse mendon se meriton një fat më të mirë. Kush do një fat më të mirë ta shkruajë fatin e vet në këtë adresë:
Partia Socialiste e Shqipërisë, numër 29.
Rroftë populli i Burrelit!
Rrofshin gratë e burrat e Matit!
Rroftë Dibra! Gjithë qarku i Dibrës!
Rroftë Shqipëria!
Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!