Nazim Bllaca, i vetëdeklaruari agjent i SHIK-ut, është shprehur se "avokatët s’kanë faj që frikësohen", të cilën e ka argumentuar duke thënë se nuk kanë faj. Ata e dinë që kanë të bëjnë me njerëz të krimit, ata e dinë se çka flitet në aktgjykimin Bllaca 2”, raporton e përditshmja "almakos".
Avokati i cili i ishte caktuar Bllacës, Emin Shkodra, nuk ishte paraqitur në seancën e kaluar, ndërsa të enjten është bërë e ditur se ai ka dhënë dorëheqje nga ky rast. “Çdo avokat që më mbron mua duhet ta drejtojë gishtin nga Azem Syla, duke u bazuar në aktgjykimin Bllaca 2” është shprehur Nazim Bllaca.
Bllaca gjithashtu ka kërkuar “burg special” pasi nuk është i gatshëm të shkojë në asnjë burg që menaxhohet nga Qeveria e Kosovës.“As në shprehje nuk vijnë burgjet e Kosovës për Nazim Bllacën” është shprehur ai.
Bllaca ka shtuar se gjykimi ndaj tij nuk do të jetë i fundit.“Unë do marrë pjesë edhe në gjykime tjera, madje edhe në nivel më të lartë, gjë që do ti befasojë shumë njerëz” ka thënë për infoGLOBI-në Bllaca, por ai nuk ka saktësuar se për cilin rast konkret e ka fjalën. Përndryshe në Rastin “Bllaca 2” gjykata ka dënuar Sadik Abazin me 12 vjet burg, Driton Hajdarin me 7 vjet burg, Bekim Sylën 12 vjet, Shaban Sylën 8 vjet dhe Shpresim Ukën 15 vjet.
Të dënuarit janë akuzuar për një vrasje dhe dy tentim vrasje, ndërkaq aktakuza ndaj tyre ishte ngritur pas denoncimeve publike që i kishte bërë Bllaca në nëntor të vitit 2009. Ndërsa në rastin “Bllaca 1” është gjykuar Fahredin Gashi, i cili është shpallur fajtor për vrasje të kryer në qershor të vitit 1999 dhe është dënuar me 18 vjet burgim. Ndërsa vetë Bllaca akuzohet se në bashkëpunim me Abazin, Sylën, Gashin dhe Ukën kanë vrarë Ibush Kllokoqin.