Drejtori i Inspektoriatit të Ndërtimit, Florenc Hoxha, gjatë një aksioni për prishjen e një ndërtimi pa leje në zonën e Don Boskos, ka bërë të ditur se Inspektoriati Ndërtimor dhe Policia Bashkiake janë 24 orë në terren, për të monitoruar dhe goditur çdo ndërtim pa leje.
“Inspektoriati Ndërtimor po vazhdon në mënyrë të pandërprerë goditjen e çdo ndërtimi pa leje në qytetin e Tiranës. Ne jemi të vendosur të godasim dhe nuk do të tolerojmë asnjë ndërtim, pra asnjë ndërtim pa leje në qytetin e Tiranës nuk do të mbijetojë. Gjithashtu, u kërkoj qytetarëve që të na ndihmojnë, duke telefonuar në numrat tanë pa pagesë për të denoncuar çdo konstatim të ndërtimeve pa leje. I garantojmë ata se Inspektoriati Ndërtimor dhe Policia Bashkiake e Tiranës janë në dispozicion të tyre 24 orë në 24, për të parandaluar të gjithë ndërtimet pa leje” – u shpreh z. Hoxha.
Pavarësisht tentativës së disa individëve, për të ndërtuar dhe përdorimit të saj për përfitime politike në fushatë elektorale, Z. Hoxha ka garantuar se çdo ndërtim pa leje në territorin e Bashkisë së Tiranës do të ketë të njëjtin fat që parashikon ligji, prishjen e tij.