English

Berisha në Shupenzë: Qarku i Kukësit është zotuar për fitore 4 me 0, qarku i Dibrës 5 me 0

Të dashur banorë të Shupenzës,

Vëllezër dhe motra,

Përshëndetjet e mija më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh për mbështetjen tuaj, për këtë takim të zjarrtë, madhështor, me të cilin ju festoni fitoren e 23 qershorit.

Po vij tek ju nga Tropoja, Kukësi, Maqellara dhe ju sjell ju, mesazhin, vendimin historik të banorëve të këtyre zonave për fitore të plotë dhe totale. Qarku i Kukësit është i zotuar për fitore 4 me 0, qarku i Dibrës 5 me 0, votë për të ardhmen, votë për integrimin, punësimin dhe mirëqenien.

Të dashur banorë të Shupenzës,

vij këtu tek ju për tu garantuar, për tu dhënë fjalën, për tu betuar se me deputetet tuaj, me Shrefedin Shehun, Roland Ketën, Bedri Hoxhën, Ekrem Spahiun, Rrahim Kalecin, Dhurata Çupin do të ndërtojmë në Shupenzë infrastrukturën më moderne, do të ndërtojmë çdo kilometër rrugë, në çdo fshat, në çdo vend, do të ndërtojmë shkolla të reja, ujësjellës të ri, sistem vaditje. Shupenza e zhvilluar, Peshkopia e zhvilluar ,Bulqiza e zhvilluar është zotimi ynë solemn.

Ne do të ndërtojë ujësjellës në Shupenzë dhe në të gjithë fshatrat e saj. Ne ndërtuam dhe do të përfundojmë rrugën Ura e Cerenecit-Librazhd, rrugën tuaj dhe fjala ime, betimi im para jush, rruga e Arbrit do të jetë projekti më madhor, së bashku me boshtin e Jugut, dy projektet tona të mandatit që vjen.Ne këtë mënyrë, ju banorë të Shupenzës, të Peshkopisë do të keni lidhje me te gjitha anët e kombit, me Tiranën, me Dibrën, me Prishtinën, me Kukësin, me Librazhdin, me Korçën, me mbarë Shqipërinë dhe trojet shqiptare.

Para meje këtu foli fermeri i kthyer nga emigracioni. E përshëndes dhe e përgëzoj dhe ju jap fjalën ju fermerëve të mrekullueshëm të Shupenzës, njerëzve punëtorë të Peshkopisë dhe të mbarë Shqipërisë, se 4 vitet që vijnë, grantet për projektet tuaja do të rriten tre herë nga 56 milion dollarë do të bëhen 165 milion.

Se 4 vitet që vijnë do të ndërtojmë në Shupenzë, në Maqellarë, Peshkopi dhe në mbarë Shqipërinë sistemin më modern të vaditjes, se 4 vitet që vijnë ne së bashku do të në bëjmë gjithçka për shumëfishimin e turizmit në Peshkopi dhe në mbarë Shqipërinë.

Të dashur banorë të Shupenzës,

Me djersën, mundin tonë, ne në këto vite kemi realizuar disa ëndrra, ndër më të rëndësishmet, tonat dhe të parëve tanë.

Sot ne jemi anëtarë të NATO-s, sot ne lëvizim pa viza në mbarë Evropën. Së shpejti do të marrim statusin e vendit kandidat, do të liberalizojmë gjatë 4 viteve që vijnë vizat me vendin e madh të lirisë SHBA-të.

Së bashku këto vite, nga Kalaja e Dodës deri në Librazhd, nga ura e Cerenecit drejt Tiranës, po ndërtojmë një infrastrukturë ndër më modernet në rajon dhe më gjerë. Kemi dyfishuar pensionet në fshat, kemi rritur rrogat e mësuesve, mjekëve, infermierëve, ndaj dhe sonte nga ky shesh ftojmë çdo socialist të Shupenzës, Peshkopisë dhe të Shqipërisë të bashkohet me alternativën tone, alternativën e djersës, mundit, alternativen e suksesit, të punës, alternativën e ndërtimit të infrastrukturës më moderne, alternativën e rritjes së rrogave e pensioneve, alternativën e ecjes së sigurt drejt integrimit europian. T’i kthejnë shpinën alternativës tjetër, asaj të dëshpërimit që përpiqet të mbjellë kudo dëshpërim, pesimizëm, zhgënjim, alternativës që nxin çdo gjë, vetëm e vetëm për t’i shpallur arritjet tuaja, shtëpitë tuaja të reja, fermat tuaja të reja, shkollat e rindërtuara, studimet e fëmijëve tuaj, rrogat e pensionet e rritura, anëtarësimin në NATO, lëvizjen e lirë si të rreme, këtë Shqipërisë si Shqipëri të gënjeshtërt, se sipas shokut të autobusit, e vërtetë ishte vetëm Shqipëria e etërve të tij.

Çdo socialist, çdo i paparti ka një mijë e një arsye të bashkohet me ne, në projektet e tij të mëdha, të ndahet nga alternativa e dëshpërimit, shpifjes dhe trillimit, të bashkohet ne, në modelin tonë, të grave e burrave që ndërtojnë jetën e tyre me djersë e nder, që punojnë nga mëngjesi deri në darkë për t’u krijuar fëmijëve të tyre një jetë më të mirë, modelin e njerëzve të ndershëm që nuk kanë frikë nga pasuria e të ardhurat e tyre, modelin e njerëzve që respektojnë njeri-tjetrin, që dëgjojnë njëri-tjetrin, pavarësisht nga idetë ndryshe, modelin e grave dhe burrave për të cilët vlerta e familjes janë vlerat kryesore, që i besojnë familjes e të mirave që ndërtojnë sëbashku.

Cili është modeli tjetër? Është modeli i një njeriu që 270 ditë nuk shkel në zyrë, modeli i atij që ndërton vilën 57 metra të gjatë dhe pallatin pesëkatësh e nuk deklaron një qindarkë se ku i mori ato para. Është modeli i atij i cili jo vetëm që nuk dëgjon kundërshtarin, por në salla të huaja i vërsulet dhe e kap për veshi e leshrash dhe pastaj kalon nga sheshi në sheh, duke u kërkuar njerëzve hajde më tërhiq pak veshin, pasi mendon se lan turpin që ka bërë.

Modeli ynë është modeli i nderimit të madh për vendin. Kështu siç e kemi, ne e bëmë Shqipërinë të eci me shpejtësi drejt zhvillimit dhe do ta bëjmë Shqipërinë një vend të zhvilluar. E anëtarësuam në NATO, do ta anëtarësojmë në Bashkimin Europian.

Ndërsa shoku i autobusit shkelmon mbi interesat e secilit prej jush. Në një kohë kur kombi akoma i kishte të pa thara varret e masakrave barbare mbi ta në Kosovë, shoku i autobusit, në një karshillëk ndaj shqiptarëve, i varte Çelësin e Artë të kryeqytetit shqiptar, Goran Bregoviçit, për himnet e tij për xhelatët e shqiptarëve, për himnet e tij për ata që masakruan mijëra e mijëra fëmijë, gra e të moshuar shqiptarë në Kosovë, vetëm e vetëm se ishin shqiptarë.

Miqtë e mi në Shupenzë, në rrethin e Bulqizës kemi dy zgjedhje. Zgjedhim edhe kryetarin e bashkisë. Jam këtu për t’ju dhënë fjalën banorëve të Bulqizës, se me kryetarin e ardhshëm të bashkisë do të bëjmë çdo investim dhe Bulqizën, qytetin e zonën e pasurive përrallore do ta shndërrojmë në zonat më të zhvilluara. Perspektiva e madhe e kromit dhe perspektiva të tjera hapen për banorët e Bulqizës, të Peshkopisë e mbarë Shqipërisë.

Edhe një herë ju ftoj më 23 qershor votoni për deputetët tuaj, për kryetrarin e bashkisë, votoni pesë me zero për veten tuaj, për shqiptarët kudo në Shqipëri, për shqiptarët kudo ku janë. Rrofshi ju! Rroftë populli i Dibrës dhe Bulqizës! Rroftë Shqipëria! Votoni 44-n, votoni fitoren! Dhe dy herë ndjesë për vonesën time, ju garantoj se kam bërë gjithçka që të jem sa më shpejt, por takimet më vonuan. Fitore! Fitore! Fitore!

KOMENTE