English

Rruga ”Ibrahim Buzhiqi”, i shtohet rrugëve moderne të bëra nga Bashkia Tiranë

Një tjetër rrugë e rikonstruktuar i është shtuar Bashkisë së Tiranës, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës për banorët e kryeqytetit. Degëzimi i rrugës ”Ibrahim Buzhiqi”, në njësinë bashkiake nr. 8, e cila për vite me rradhë është lënë në harresë, është rikonstruktuar tërësisht, duke u kthyer një cilësi të përmirësuar jete, 1500 banorëve që jetojnë përgjatë saj.

Me një investim prej 9 milionë lekësh janë ndërtuar trotuaret, sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha, ndriçimi rrugor, gjelbërim, sikundër përgjatë rrugës janë mbjellë fidanë pemësh. Rikonstruksionit po i nënshtrohen rrugët, në katër blloqe banimi.

“Dua të theksoj këtu se në të dy anët e rrugës së Dibrës, ku po përfundon një investim po kështu i përmasave historike do të thosha, e paprekur kjo arterie për më shumë se 20 vjet.

Në të dy anët e rrugës së Dibrës, ne kemi investuar në blloqet e banimit, faktikisht në 4 blloqe, dy prej të cilëve, kjo rrugë dhe blloku tjetër tek “Riza Cerova” kanë përfunduar. Ditët në vijim përfundojnë edhe dy blloqet e tjera, çka e sjell këtë lagje në parametra normalë e funksionalë dhe me një standard të munguar prej shumë vitesh.

Kjo natyrisht nuk paragjykon në asnjë çast zhvillimin që kjo zonë do të marrë me planin urbanistik, zhvillim po kështu “i ngrirë” për më shumë se 15 vite. Mund të them se ndodhemi në një nga zonat që e pret një dinamizëm i madh sa i përket zhvillimit të pronës, marrjes vlerë të pronës dhe krah këtij zhvillimi të pronës, Bashkia e Tiranës siç po bën sot këtu, do të futet në çdo cep të kësaj lagjeje, për të bërë investimin publik dhe përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve dhe për t’u sjellë atyre më pranë standardin modern, evropian që ne po ndërtojmë kudo në qytet” - theksoi z. Basha.

KOMENTE