English

Berisha: 70 përqind të vlerës së legalizimit do ta paguani me letra me vlerë (VIDEO)

Rindërtimi i rrugës së “Dibrës” është vetëm një nga veprat më të cilat bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Lulzim Basha po ndryshon Tiranën.

- Më 23 qershor të bëjmë çdo gjë për të marrë pjesë të gjithë në votime që të firmosim sëbashku fitoren. 23 qershori është një ditë përcaktuese për zhvillimin e Tiranës, për zhvillimin e Shqipërisë!

-Legalizimin do ta bëjmë brenda këtij viti me çmimet e reja, ku 70 përqind të vlerës së legalizimit do mund ta paguani me letra me vlerë

Kryeministri Berisha inauguroi sot rikonstruksionin e rrugës së “Dibrës”, në Tiranë, një investim bashkëkohor me vlerë 98 milionë lekë. Krahas ndërhyrjes në ndërtimin e sistemit të kanalizimeve dhe vendosjen e 112 copë ndriçuesve rrugorë, në këtë rrugë janë mbjellë edhe 350 fidanë bliri dhe janë hapur vende parkimi për automjete. Rruga e “Dibrës” do të jetë arterie kryesore e qytetit, në kuptimin e transportit publik dhe në veçanti, të parapërgatitjes për projektin e tramit, një ndër arteriet e rëndësishme të linjës Kinostudio-Kombinat, ndërsa janë zhvendosur të gjithë kabllot ajrore.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se rindërtimi i rrugës së “Dibrës” është vetëm një nga veprat më të cilat bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Lulzim Basha po ndryshon Tiranën. “Ne do të bëjmë të mundur që Tirana të ofrojë shërbimet më të mira, më të merituara për ju, qytetarë të mrekullueshëm të saj”, tha Kryeministri.

“Ju garantoj, - tha Kryeministri, - se legalizimin do ta bëjmë brenda këtij viti me çmimet e reja, ku 70 përqind të vlerës së legalizimit ju do mund ta paguani me letra me vlerë”.

Duke falënderuar qytetarët e Tiranës për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha i ftoi ata dhe mbarë qytetarët shqiptarë që në 23 qershor të marrin pjesë në votime, për të firmosur së bashku fitoren. “23 qershori është një ditë përcaktuese për zhvillimin e Tiranës, për zhvillimin e Shqipërisë! Projekti i katër viteve që vijnë është projekti i Tiranës së zhvilluar, i Tiranës së punësimit masiv të qytetarëve të saj, i Tiranës metropol i vërtetë evropian, i Tiranës së integruar në Bashkuar Evropian, si motra të tjera në Evropë”, tha Kryeministri.

Më pas, Kryeministri Berisha u përshëndet me banorë të njësisë bashkiake nr. 8 dhe u ndal në stendat me gatimeve karakteristike tiranase, të ekspozuara përgjatë rrugës së inauguruar.
1792

KOMENTE