English

Rama: Berisha të përgjigjet përpara Elbasanit për tunelin më të gjatë të papunësisë që ka hapur

Fjala e Kryetarit të PS, Edi Rama në mitingun e zhvilluar në Elbasan.

Kjo që duket nga këtu është një pamje e jashtëzakonshme, është një pamje e jashtëzakonshme dhe unë shpresoj jashtëzakonisht shumë që ne që jemi këtu lart në këtë tribunë të jemi në lartësinë e kësaj mbështetjeje të jashtëzakonshme, e kësaj mbështetjeje të paparë, e kësaj mbështetjeje që unë jam i bindur është mbështetja juaj për ëndrrën e Rilindjes që po vjen.

Motra dhe vëllezër!
Sot Saliu, paradite u shfaq në një tunel, u shfaq në një tunel me shpresën e dëshpëruar se do ta tërheqi të gjithë popullin me vete brenda në atë tunel. Mirëpo, e vërteta e thjeshtë është se rrugët bëhen me paratë e popullit, ndërsa varfëria luftohet me politika. Rrugët bëhen me paratë e popullit ndërsa papunësia luftohet me politika, rrugët bëhen me paratë e popullit ndërsa arsimi dhe shëndetësia ndërtohen me politika. E pra nuk ka rrugë dhe nuk ka tunel që të mund ta fshehë varfërinë, papunësinë, braktisjen sociale dhe rrënimin e arsimit e shëndetësisë në këtë vend.
Saliu ka shpenzuar aq shumë para për të shtruar këto rrugë që kanë mbetur rrugëve dhe për të hapur këtë tunel, sa siç thotë Sami Frashëri, do të kishin mjaftuar për të shtruar të gjitha rrugët e Shqipërisë me flori. Dhe arsyeja pse shqiptarët do ta ndëshkojnë Saliun në 23 Qershor është pikërisht sepse paratë e tyre i humbi rrugëve ndërkohë që shqiptarët sot kanë më pak para për të blerë ushqimin e tyre, kanë më pak para për të arsimuar fëmijët e tyre, kanë më pak para për të prodhuar në fushë, kanë më pak para për të marrë shërbimet e duhura. Shqiptarët, sot janë plotësisht të vetëdijshëm dhe unë jam i bindur që edhe kjo pjesëmarrje e jashtëzakonshme është përgjigja më e vetëdijshme që Elbasani i jep sot katragjyshit për shfaqjen e shëmtuar të tunelit në mes të fushatës.

Sali Berisha nuk mund t’i thotë Elbasanit, shikoni sa i bukur është tuneli që u ndërtua me paratë e popullit! Sali Berisha duhet të përgjigjet përpara Elbasanit për tunelit më të gjatë të papunësisë që ka hapur për gjithë këtë qark; Saliu duhet të përgjigjet përpara Elbasanit për tunelin më të errët të ndotjes që ka hapur këtu në këtë qark; Saliu duhet të përgjigjet përpara Elbasanit për tunelin e gjatë të varfërisë që ka hapur këtu në këtë qark. Në fund të fundit Saliu duhet të japë llogari jo vetëm përpara Elbasanit, por përpara gjithë Shqipërisë për tunelin e stërgjatë të etjes, të mungesës së ujit të pijshëm, të mungesës së ujit në parcelë, të përmbytjes sa herë bie shi, të pamundësisë për të nxjerrë prodhimin në treg dhe të pamundësisë për të jetuar duke ngrënë ushqim normalisht.
Saliu duhet të përgjigjet përpara Elbasanit dhe përpara gjithë shqiptarëve për tunelin e pafund të borxheve në listat e ushqimoreve. Ne jemi të bindur se Saliu nuk do të përgjigjet por pikërisht pse nuk do të përgjigjet ai dhe partia e tij e katandisur në partinë e një familjeje do të ndëshkohen në 23 Qershor, ditën kur me numrin 29-të shqiptarët do të çlirojnë një energji të jashtëzakonshme për Rilindjen.
Miqtë e mi!
Besoj të gjithëve ju kujtohet, 8 vjet më parë Saliu zgjaste përpara jush duart dhe ju thoshte shikojini sa të pastra i kam, ma jepni mua udhëheqjen e vendit, ma besoni mua qeverinë, ma jepni mua votën dhe unë do ta pastroj Shqipërinë nga korrupsioni. Sot, tetë vjet më pas, Saliu duhet të përgjigjet për tunelin më të errët të korrupsionit që u hap ndonjëherë në Shqipëri nga një qeveri shqiptare. Katër vjet më parë dhe katër vjet më pas duarve të pastra, Saliu erdhi këtu dhe u thoshte më besoni, ma jepni mandatin tjetër se bota më beson dhe ju tregonte fotografi pas fotografish ku shtrëngonte duart me botën. Sot nuk thotë më as shikoni duart sa të pastra i kam dhe as bota më beson sepse as duart si ka të pastra e as bota nuk e beson më. E pra, Saliu duhet të japë llogari për tunelin e izolimit të Shqipërisë nga bota.
Ndërkohë që ju të gjithë, Shqipëria mbarë, në 23 Qershor do të vendosi të dalë nga tuneli i këtyre tetë viteve. Vajza dhe djem të këtij vendi do të vendosin në 23 Qershor të dalin nga tuneli i këtyre tetë viteve ku 15 vjeçarët e këtij vendi u katandisën në 57% analfabetë funksionalë, fermerët e këtij vendi do të vendosin në 23 Qershor të dalin nga tuneli i këtyre tetë viteve ku nafta hipi në stratosferë, ku kostot e prodhimit u bënë të papërballueshme, ku thatësira u bë sundimtarja e fatit të tyre dhe ku përmbytjet i sulmuan po aq herë sa ra shi mbi këtë tokë.
Një milion të papunë do të vendosin në 23 Qershor të dalin nga tuneli i stërgjatë i papunësisë për t’i dhënë vetes mundësi që të bëhen pjesë e rrugës sonë të përbashkët ku ne do të krijojmë kushtet për 300 mijë vende të reja pune. Më 23 Qershor, të gjithë ata që kanë një dyqan, do të vendosin t’i ikin tunelit të falimentimeve dhe të borxheve të papërballueshme dhe do të bashkohen me Partinë Socialiste për të hequr taksën e biznesit të vogël dhe për të përgjysmuar tatimin e fitimit.
Në 23 Qershor, ky qark jam mëse i bindur, më shumë i bindur se kurrë sot, që do të kapë numrin 29-të për të dalë nga tuneli i ndotjes dhe për t’i hapur rrugë më në fund përpunimit të gjithë plehrave dhe mbeturinave dhe pastrimit të ajrit për të gjithë qarkun.
Sigurisht që në 23 Qershor, edhe ata që për 20 vjet Saliu i mbajti peng në tunelin e premtimit për legalizime do ta braktisin tunelin e Saliut dhe do bashkohen me Partinë Socialiste për të bërë të mundur që në katër vitet e ardhshme legalizimi i shtëpive në zonat informale të mbarojë dhe të kryhet falas. Shpenzimet të gjitha do të përballohen nga qeveria e Rilindjes.
E pra, a e kuptoni tani se pse Saliu u nxitua ta inaugurojë tunelin?! E kuptoni tani se çfarë ishin gjithë ato tam – tame për tunelin? Sepse Saliu kujton se duke hapur tunelin, të gjithë shqiptarët do hutoheshin e do harronin gjithë këto tunele tjera ku Saliu i mban peng.
Sigurisht që edhe rrugën që lidh Elbasanin me Tiranën nëpërmjet tunelit do ta përfundojmë ne ashtu sikundër do të ndërtojmë në Shqipëri më në fund pas gjithë këtyre viteve shpërdorime skandaloze të parave të popullit, rrugë të standardeve europiane dhe jo rrugë elektorale për të tërhequr popullin për hunde.
Dua të ju bëj një pyetje që e bëj në çdo shesh dhe kam dëshirë që të shikoj a arrin zëri deri në fund fare. Pyetja ime është kush është i papunë në këtë shesh? E pra, janë këto duar, janë këto duar, janë dy milion duar të një milion njerëzve të papunë që do ta nxjerrin Shqipërinë me votën për Partinë Socialiste nga tuneli i stërgjatë kilometrik i papunësisë së Saliut.
Prandaj miqtë e mi, me mirënjohjen më të madhe për praninë tuaj sot këtu; me mirënjohjen më të madhe për këtë pamje që është e paharrueshme; me mirënjohjen më të madhe për këtë energji të jashtëzakonshme pozitive që na jepni neve që jemi këtu; unë ju zotohem se ne nuk do ta harrojmë këtë mbështetje dhe ne do të ju mbështesim me të gjitha forcat.
Ne do t’ju mbështesim në luftën tuaj për të zgjidhur halle dhe probleme që padrejtësisht vazhdoni t’i keni dhe padrejtësisht jua kanë bërë të pazgjidhshme. Edhe një sforco të fundit, edhe vetëm 7 ditë, edhe vetëm një javë, bëni çmos për të shkuar në kutinë e votimit bashkë me një tjetër, me një tjetër që nuk ka votuar herën e shkuar, me një tjetër që vazhdon të jetë i lëkundur, me një tjetër që ju do ta bindni për ta bërë votën tuaj dyfish.
Besojeni që duke votuar për Partinë Socialiste, të gjithë ju votuese dhe votues të këtij qarku votoni për një skuadër të shkëlqyer të Rilindjes për Elbasanin, votoni për deputetë që s’kanë asnjë të krahasuar me ata që ju ka ofruar partia familjare e katragjyshit. Me kë mund t’i krahasosh deputetët tanë? Kush mund të krahasohet prej tyre me Ben Blushin? Kush mund të krahasohet prej tyre me Evis Kushin? Kush prej tyre mund të krahasohet me Damian Gjiknurin? Kur mund të krahasohet me Taulant Ballën, me Musa Ulqinin apo me Ilir Bejten. Kush mund të krahasohet prej tyre me Alfred Pezën, kush mund të krahasohet prej tyre me Luljeta Arapin apo me Agim Lekën? Është krahasim i pamundur! Është krahasimi më i pamundur dhe ndërkohë që Partia Socialiste ju ka respektuar dhe është ngritur në lartësinë e vlerave që ju meritoni duke ju prezantuar këtë skuadër, ata ju kanë fyer me atë palo skuadër që ju thonë se duhet ta votoni.
Prandaj, jo vetëm për Saliun por edhe për skuadrën që i ka sjellë Elbasanit ndëshkojini! Ndëshkojini! Ndëshkojini!
Rroftë populli i Elbasanit, Gramshit, Librazhdit, Peqinit!
Rroftë Shqipëria dhe rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!

KOMENTE