English

A e blen demokracinë paraja? A është politika imazh, përmbajtje apo marketing

Afrim Krasniqi - A e blen demokracinë paraja? A shiten vlerat? A është politika imazh, përmbajtje apo marketing? A kanë partitë programeve të mira elektorale apo media dhe grupe propagande të fuqishme pas tyre? A duhet refuzuar imazhi i blerë, lajmi i blerë, kronika e blerë, reklama që as vetë nuk e beson dhe që keni bindjen se nesër, ai që sot paguan e premton, në pushtet do të jetë kërcënim social e politik për ty, për kolegët, për familjen, për median, për publikun, për shtetin dhe shoqërinë?

Janë shumë pyetje që lindin në këtë fushatë elektorale, ku palët harxhojnë, harxhojnë miliona euro reklama, spote, mitingje, banderola, koncerte, etj, dhe nuk kanë ndërmend të ndalojnë! Askush nuk jep përgjigje. Sepse mungojnë institucionet? Jo i kemi kur ata duan, por nuk i kemi kur na duhen! Nuk ndjehet as Banka Qendrore, as Prokuroria, as KQZ, as KLSH, as drejtoria e pastrimit të parave, as antikrimi ekonomik, as avokati i popullit apo shtetit, as OSBE, as grupi i vëzhguesve, as shoqëria civile, as media dhe as institucionet e tjera publike! Të gjithë janë mësuar me realitetin anormal, e pranojnë atë dhe reagimin moral e ligjor e konsiderojnë pritje të tepërt, pa efekt dhe pa ndikim në fatin tonë tragjik të zgjedhjes midis dy pashallarëve, dy oligarkëve, dy modeleve që nuk kanë lidhje as me sistemin e vlerave demokratike, as premtimin e tyre për Shqipërinë Evropiane!

Janë milionerët e rinj të demokracisë, që nuk e krijuan pasurinë përmes trashëgimisë, tregut të lirë, konkurrencës ekonomike, por përmes lidhjeve të duhura politike, me një firmë zyrtari në shtet, me një partner të rëndësishëm në vendimmarrje, me miqtë apo familjarët e atij që ka në dorë vendimet mbi pronat publike, pra përmes rrugëve që ligji i ndalon, demokracia nuk i toleron, por sistemi ynë periodikisht i amniston. Ata nuk e duan mandatin për tu shndërruar në engjëj, por për të fituar imunitet, për të gjetur burime të reja fitimi dhe kështu, për të mbetur edhe më tej padronët e politikës dhe pronës publike!

Dhjetëra kopertina revistash e gazetash në Tiranë kanë në foto të parë atë që paguan më shumë, stendat e reklamave në rrugë gjithashtu, bulevardi gjithashtu, rrugët kombëtare po ato fytyra. Ata dominojnë kudo, madje edhe ne tribunat e mitingjeve me brohoritës të paguar, sepse ATA paguajnë më shumë, sepse ata kanë para më shumë duke harruar “një detaj” të vogël: sepse ata kanë vjedhur më shumë. Ata që duhej të ishin të parët përgjegjës, modestë, llogaridhënës, kokulur dhe të skuqur nga turpi, - pikërisht ata i kemi kudo, në ekrane dhe rrugë, në kopertina dhe lagje, sepse ata paguajnë, paguajnë pa limit, blejnë gjithçka, përfshirë dhe heshtjen! Dhe media, publiku, bashkia, firmat private të reklamave etj, janë të gatshëm ti nënshtrohen rregullit të oligarkisë: hapësira i jepet paguesit më të parë, paguesit më të madh!!

Ata që nuk kanë më asnjë vlerë morale politike, nuk besohen më, nuk kanë çfarë të ofrojnë dhe as të mbrojnë, - përmes reklamave të paguara na paraqiten familjarë dhe të ndershëm, punëtorë dhe menaxherë, të aftë të zëvendësojnë Zotin në tokë dhe të bëhen shpëtimtarët e mëdhenj të halleve shqiptare! Pra blejnë e shesin një imazh ireal, të manipuluar, të deformuar, të degraduar dhe politikisht: apolitik. Nuk shohim një garë midis dy ekipeve, dy programeve, dy alternativave të zhvillimit, por një rivalitet të ashpër të blerjes së shitjes së imazhit, një garë marketingu, një Shqipëri luksi dhe jashtë çdo realiteti, një klasë politike që ofron gjithçka me përjashtim të politikës dhe lidershipit politik! Ky dhe vetëm ky është tipar i këtyre zgjedhjeve!
Përballë kësaj sjelljeve spekulative dhe abuzuese me demokracinë, publiku hesht, nuk informohet, nuk reagon, nuk e refuzon, por pranon, direkt apo indirekt të bëhet pjesë e saj, duke pranuar vendosjen e një çmimi për votën, për heshtjen, për mitingun dhe për shndërrimin në numër elektoral. Një tipar i një shoqërie amorfe, pa nerv reagimi, pa vitalitet përtëritjeje, pa forcë ringritjeje, pa vizion të qartë se çfarë kërkon për të ardhmen e saj! Dhe kjo është Shqipëria e shoqëria që ATA duan: e brishtë, e mësuar dhe bashkëpunuese me të keqen, e dhënë pas konfordit personal e interesave afatshkurtra, e gatshme të shesë sovranitetin elektoral, dhe kështu, e gatshme të jetë sot e mot viktimë e një politikë pa moral, pa identitet, pa alternativë dhe kurajë reformimi, pa aftësi reformash dhe vullnet ndryshimi; - një politikë që nuk udhëheq turmat për ti emancipuar, por bëhet me to, nxit ecjen e tyre të verbër, dhe kështu mbijeton përmes turmave!

KOMENTE