Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndet anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), si një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës.
Ky anëtarësim përbën dëshmi tjetër të perspektivës së qartë evropiane të Kosovës dhe njëkohësisht një nxitje tjetër motivuese për të gjithë shoqërinë kosovare, që po punon intensivisht për plotësimin e detyrimeve dhe kritereve që rrjedhin nga procesi i liberalizimit të vizave dhe studimi i fizibilitetit për hapjen e negociatave për MSA-në.
Anëtarësimi në CEB shënon kurorëzimin me sukses të përpjekjeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjithë aleatëve e partnerëve të saj, që ajo të zërë vendin e saj të merituar në të gjitha organizatat rajonale, evropiane e më gjerë, gjë që do t’i shërbejë forcimit të paqes, sigurisë dhe prosperitetit në rajonin tonë.