Bujar Bukoshi Ish-ministri i Shëndetësisë i Kosovës, është çliruar nga akuza e ngritur ndaj tij për afera korruptive në rastin e tenderit për kompaninë "Jona Med".
Në përfundim të seancës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Bukoshi e ka cilësuar proçesin gjyqësor si të drejtë e të rregullt.
“Unë mendoj se sot ka qenë një vendim i drejtë e i rregullt. Unë mendoj se duke gjykuar në bazë të këtij proçesi konkret dhe të kësaj gjyqtareje korrekte, Kosova ka predispozita të mira që në të ardhmen siguria juridike e qytetarëve të jetë ashtu siç duhet”, ka deklaruar Bukoshi.
Ndërkohë, Ilir Tolaj ish-sekretari i përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë, është shpallur fajtor për veprat penale të nxitjes së falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe shmangie të deklarimit të të ardhurave nga jashtë.
Tolaj është dënuar me 18 muaj burg, 1 mijë euro gjobë dhe 3 vjet ndalim të ushtrimit të funksionit të tij në administratën publike, raporton “RTK” në edicionin online.
Sipas burimit, Ilir Tolaj, i cili akuzohej edhe për korrupsion në lidhje me tenderin për kompaninë “Jona Med”, ka deklaruar se do ta apelojë vendimin.