English

Enver Hoxhaj falënderon drejtuesit e Bankës Zhvillimore të KE-së

Pas vendimit të Bordit Drejtues të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për pranimin e Republikës së Kosovës si anëtare me të drejta të plota në këtë Bankë, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, sot ka zhvilluar biseda telefonike me kryetarin e Bordit të Bankës Raphaël Alomar dhe guvernatorin e Bankës, Rolf Wenzel.
Ministri Hoxhaj i ka falënderuar dy drejtuesit e lartë të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për ndihmën që ata kanë dhënë gjatë procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bankë.

Gjatë bisedës së ministrit Hoxhaj me kryetarin e Bordit, Alomar dhe guvernatorin e Bankës, Wenzel, u diskutua edhe për hapat e mëtutjeshëm, bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bankës, si dhe për rëndësinë që paraqet për Kosovën dhe qytetarët e saj, anëtarësimi në këtë institucion të rëndësishëm financiar.

Republika e Kosovës është anëtarësuar të premten në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës (CEB). Vendimi është marrë në takimin e Bordit Drejtues të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës në Maltë, ku me shumicë të votave, u votua që të pranohet aplikimi i Republikës së Kosovës për anëtarësi të plotë në këtë institucion, degë autonome e Këshillit të Evropës (KE).

Anëtarësimi në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës, që vjen vetëm pak ditë pas njohjes së Kosovës nga disa shtete, përbën një sukses të madh për Republikën e Kosovës, në këtë fazë të aktiviteteve për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit.

KOMENTE