English

Korçë: Berisha inaguron fillimin e projektit të rrjetit të transmetimit 110 kV të Jugut të vendit

Gjatë vizitës në qarkun e Korçës, Kryeministri Berisha inauguroi sot fillimin e punimeve për zhvillimin e rrjetit të transmetimit 110 kV të Jugut të Shqipërisë, investim 35 milionë dollarë, financim i qeverisë gjermane nëpërmjet Bankës KfW, të cilën e quajti “autostrada energjetike e Jugut”. Projekti startoi me fuqizimin e nëntacionit 400/110 kV Zemblak, me vlerë 4.4 milionë euro dhe që përbën Lotin 1 të tij.

“Ndërtimi i asaj që quhet unaza e Jugut apo autostrada energjetike e Jugut, - u shpreh Kryeministri, - është i një rëndësie kapitale për t’iu përgjigjur në mënyrën më të shpjetë e të mirë, kërkesave të mëdha të zhvillimit të shpjetë të zonës jugore të vendit, për shkak të bumit të pakrahasueshëm turistik, të iniciativës së lirë të qytetarëve të këtyre zonave, të resurseve të jashtëzakonshme energjetike që kanë lumenjtë e zonave të Jugut dhe që janë për t’u zhvilluar.”

Projekti përfshin edhe Loti 2, ndërtimin e linjës 110 kV, me gjatësi 250 kilometra dhe vlerë investimi 30.5 milionë euro. Linja 110 kV përfshin ndërtimin e linjës dyfishe Vlorë-Sarandë, 105 km; Ersekë-Përmet, 55 km; Përmet-Këlcyrë-Memaliaj, 36 km; ndërtimin e qarkut të dytë të linjës 110 kV Zemblak-Korçë, 13 km; zgjerimin e impianteve në nënstacionet Babicë, Sarandë, Memaliaj, Përmet dhe Korçë.

Ndërtimi i linjës Babicë-Sarandë, mbyll në unazë një pjesë të rëndësishme të rrjetit elektrik 110 kV të zonës Jugperëndimore, duke rritur sigurinë dhe përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji elektrike të kësaj zone. Kalimi i linjës së re 110 kV në zonën e bregut të Jonit krijon mundësinë e ndërtimit të nënstacioneve 110/20 kV në këtë zonë, që përmirëson infrastrukturën elektrike si një domosdoshmëri për zhvillimin e turizmit cilësor. Kështu, fuqizimi i nënstacionit 400/110 kV Zemblak dhe zgjerimi i rrjetit 110 kV në zonën juglindore do të mbyllë në unazë një pjese të rrjetit ekzistues 110 kV në zonën Juglindore. Kalimi i linjes 110 kV në luginën e Vjosës do të krijojë mundësinë e lidhjes në rrjetin transmetues të hidrocentraleve që do të ndërtohen në rrjedhjen e sipërme të këtij lumi.

Projekti në tërësi ka një impakt të konsiderueshëm nga eliminimi i ndërprerjeve për shkak të defekteve dhe mbingarkimit të rrjetit, në përfitimin e madh që sjell në reduktimin e humbjeve të energjisë elektrike.

Në sektorin e energjisë janë investuar 720 milionë euro në përmirësimin e cilësisë dhe rikonstruksionin e rrjetit, pa investimet në burimet ujore; janë nënshkruar 130 kontrata koncesioni për ndërtimin 365 hidrocentraleve, me fuqi të vendosur 1650 MGW dhe investim 2.8 miliardë euro; kanë hyrë në prodhim 66 HEC, me fuqi të përgjithshme të instaluar prej 205 MGW dhe investim total 280 milionë euro; vetëm gjatë ketij viti janë lidhur 12 kontrata për ndërtimin e 46 hidrocentraleve të reja. Të punësuar direkt janë më shumë se 5 mijë punonjës dhe indirekt deri në 12 mijë. Gjithashtu janë licensuar 15 kompani për të ndërtuar parqe eolike, me një fuqi të instaluar prej rreth 1600 MW, të cilat shtrihen kryesisht në zonën bregdetare të vendit, duke filluar nga qarku i Lezhës në Veri e deri në rajonin e Sarandës në Jug.

KOMENTE