English

Firmosen 20 ndryshime në ligjin për procedurat tatimore. Gjobë për çdo kupon tatimor të palëshuar

Ministri i Financave firmos 20 ndryshime në ligjin për procedurat tatimore. Ndryshimet që kanë hyrë në fuqi dje, parashikojnë një sërë masash shtrënguese për biznesin, që nisin nga gjoba 200 mijë lekë për një kupon tatimor të palëshuar deri në konfiskim të mallit. Një nga ndryshimet më të rëndësishme në këtë ligj është zëvendësimi sekuestros preventive me konfiskim e mallit, çka presupozon faktin se në rast se punonjësi i tatimeve ka dyshime në lidhje me mallin në tregtohet apo magazinohet në një njësi biznesi mund të firmose konfiskimin e tij.

Ndërhyrja e posaçme në procedurat tatimore përmes një urdhri të titullarit të Ministrisë së Financave, rrit ndjeshëm kontrollet dhe përcakton masën e penaliteteve ndaj bizneseve që kryejnë evazion fiskal. Sipas ndryshimeve ligjore, kur administrata tatimore identifikon persona të paregjistruar që ushtrojnë veprimtari tregtare aplikon si dënim gjobën në masë 25 mijë lekë. Përsa i përket detyrimeve për deklarimin e punonjësve, administrata tatimore ka të drejtë që për rastet e shkeljeve, të vendosë gjoba që variojnë nga 250 mijë në 500 mijë lekë. Po ashtu, edhe për rastet kur konstatohen shkelje si moslëshimi i kuponit tatimor, administrata tatimore mund të vendosë gjoba që variojnë nga 200 mijë deri në 500 mijë lekë. Bizneset që shesin produkte apo ofrojnë shërbime pa kupon tatimor, edhe në rast se e kryejnë këtë shkelje për herë të parë, në udhëzim nuk është përcaktuar si masë paralajmërimi, por direkt vendosja e një gjobe 200 mijë lekë. Me përsëritjen e kësaj shkeljeje, gjoba për bizneset rritet gradualisht deri në 500 mijë lekë.

Pavarësisht ashpërsimit të penaliteteve dhe përcaktimit të rregullave të reja që janë më strike ndaj biznesit, udhëzimi i ri i Ministrisë së Financave tenton t’i japë zgjidhje edhe një problematike të krijuar me bizneset që kanë nisur procedurat e çregjistrimit për shkak të mbylljes së aktivitetit. Për rastet kur bizneset janë penalizuar për mosdeklarim të deklaratave tatimore pas datës së nisjes së procedurave të regjistrimit, gjobat ndaj tyre do të hiqen. Sjellja e administratës tatimore me biznesin është vënë jo pak herë në qendër të kritikave. Në forume të ndryshme me bizneset shqiptare apo ndërkombëtare, sjellja arbitrare dhe penalizimi me gjoba ka qenë një nga shqetësimet e shprehura publikisht, shqetësim, për të cilin nuk kanë munguar as apelet ndërkombëtare për zgjidhje.

Kontrollet

Gjatë vitit 2012 kontrollit ndaj biznesit u rritën me 5. 6 herë. Madje në arkën e shtetit shuma e grumbulluar nga penalitetet ndaj biznesit kaloi nivelin e të ardhurave nga tatimtaksat. Gjatë vitit të shkuar mungonin në buxhet nga mosrealizimi i të ardhurave mungojë 4. 674 miliardë lekë të ardhura nga Tatim taksat dhe Doganat. Pothuajse të gjithë zërat e tatimeve rezultojnë negative në bilancin e vitit 2012. Ndërkohë pesë mujat e parë të këtij vitit kanë shënuar një tjetër rekord mosrealizimi. Për shkak të mosrealizimit të të ardhurave dhe rritjes së shpenzimeve deficiti ka shkuar në 420 milionë dollarë duke shënuar një rritje mbi planin në masën 166 %, çka ka çuar sipas ekspertëve ekonominë në pikën e vdekjes.

Likuidimi i biznesit

Në rastin kur ndonjëra nga shoqëritë që do të çregjistrohet pa likuidim si pasojë e procesit të bashkimit/ndarjes së shoqërive është debitore, administrata tatimore mbledh detyrimin tatimor sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara në ligjin. Detyrimi për të deklaruar deklaratat tatimore ndërpritet në çastin e aplikimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (në rastin e personave fizikë) ose në çastin e aplikimit për fillimin e procedurave të likuidimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit ose në gjykatë (në rastin e personave juridikë). Në formularin e njoftimeve për ndryshim në regjistrim plotësohet kutia përkatëse për ndërprerje deklarimi/ kërkesë për çregjistrim.

Dyfishohen gjobat për 5 shkelje administrative

1. Në rastin kur administrata tatimore identifikon persona të paregjistruar që ushtrojnë veprimtari tregtare, aplikon dënimin prej 25.000 lekësh vetëm në rastin kur nga strukturat e administratës tatimore provohet dhe dokumentohet se për arsye të rrethanave ose për shkak të natyrës së veprimtarisë është në kushtet e pamundësisë për të.

2. Në rastin kur nuk lëshon kupon tatimor për qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, për kontrollin e parë, me gjobë, në masën 200 000- 500 000 lekë, për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi fitimin, dhe gjobë.

3. Në rastet kur lëshon një kupon tatimor/dëftesë tatimore/ biletë me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, për kuponin tatimor/dëftesën tatimore/ biletën me vlerë të parashtypur, me gjobë, në masën 30 000 lekë.

4. Në rastin e moslëshimit të biletave të shërbimit me vlerë të parashtypur, të prodhuara nga institucionet e autorizuara, të përdorura në sektorë të ndryshëm, dënohet me gjobë, në masën 10, 000 lekë për çdo biletë. Shoqëritë e autorizuara, që tregtojnë dhe/ose mirëmbajnë pajisje fiskale, dënohen me gjobë 50 000 deri në 100 000 lekë.

5. Shoqëritë e autorizuara, që tregtojnë pajisje fiskale, dënohen me gjobë, në masën 1 000 000lekë, kur konstatohet se tregtojnë pajisje fiskale me funksione të ndryshme nga ato të miratuara nga komisioni i ngritur për këtë qëllim në Ministrinë e Financave.

KOMENTE