English

"Kurban" tashmë dhe në gjuhën turke. Së shpejti dhe në italisht

Publikohet “ Kurban” në gjuhën turke
19 qershor 2013

Botuesja e librit ‘Kurban’, Arlinda Duda: “Libri ‘Kurban’ pas suksesit të madh që pati në shqip, siç e dini, i gjithë libri u shit në shumë kopje dhe pati një interes të jashtëzakonshëm, na ka mbledhur këtu për dy lajme të reja. Njëri është botimi i librit ‘Kurban’ në Turqi nga shtëpia botuese “Iletișim”. Është një libër që sapo ka parë dritën e botimit. Është përkthyer nga Falma Fshazi, e cila do të na flasë më shumë për sfidat në këtë përkthim të vështirë të këtij libri. Por, unë dua të bëj me dije se është vërtet një ngjarje që, pikërisht, në këto ditë libri ka dalë në turqisht. Ndërsa lajmi i dytë ka të bëjë me atë çka do vijë më pas, në vjeshtë dhe që është botimi i librit “Kurban” në gjuhën italiane. Sapo është mbyllur shitja e të drejtës së autorit të librit “Kurban” në italisht dhe ajo që ka fituar të drejtën e botimit të këtij libri është shtëpia botuese “Fandango”. “Fandango”, është një shtëpi botuese shumë e njohur në Itali. Është shtëpi botuese dhe njëkohësisht shtëpi kinematografike, e cila ka realizuar filmin “Gomora”, që u bazua në librin e Roberto Savianos. Po ashtu, “Fandango”, është edhe shtëpia botuese e librit të gazetares së vrarë nga regjimi i Putinit, Ana Politikovskaja dhe, gjithashtu, është një shtëpi botuese me shumë reputacion në Itali. Ka shprehur një interes të jashtëzakonshëm dhe në panairin e Librit “Torino 2012” është mbyllur marrëveshja për botimin e këtij libri, që do të dalë në vjeshtë. Tashmë, ka mbaruar përkthimi i librit nga Ada Prizreni, e cila ka bërë një përkthim shumë të kujdesshëm dhe është në procesin e redaktimit. Libri, është pajisur me një parathënie nga regjisori shumë i njohur Ganni Amelio dhe presim që në muajt shtator-tetor libri të dalë për publikun e vendit fqinj. Mendoj se do jetë ndonjë ngjarje shumë e madhe edhe ky botim.
Përkthyesja në turqisht e librit, Falma Fshazi:“Libri ka marrë vendin e vet në libraritë turke në datën 13 të këtij muaji dhe po në atë datë ka qenë në shitje në faqet e internetit më të njohura turke për libra. Është shtëpia botuese që e përmendi Arlinda, “Iletișim”. Dua ta nënvizoj këtë shtëpi botuese, sepse në Turqi ka shumë shtëpi botuese, por janë dy apo tre më të njohurat dhe për sa i përket librave me karakter publicistik, si dhe letërsisë së autorëve më të njohur turq siç është Orham Pamuk më kryesorja është “Iletișim”. Është një shtëpi botuese e themeluar nga një akademik turk shumë i njohur. Kur po flisnim për Shqipërinë drejtuesit e kësaj shtëpie botuese kërkuan të dinin se çfarë librash mund të kishin nga Shqipëria. Unë u përmenda “Kurbanin” dhe në momentin që përmenda historinë e zotit Rama dhe gjithë këtë përpjekje të gjatë, e cila pasqyrohet në “Kurban”, ata patën një interes të menjëhershëm. ‘E duam këtë libër’, thanë, ‘sepse ne duam ta njohim Shqipërinë siç është, me realitetin dhe kompleksitetin e saj, duke ju larguar disi dhe gjithë atyre imagjinatave historike të cilat ndërtohen dhe rindërtohen në vazhdimësi’. Nga ana tjetër unë u thashë se do ta kisha të vështirë përkthimin pasi bëhet fjalë për një gjuhë shqipe shumë shumë të përparuar të përdorur nga zoti Rama. Mendoj, se është një shqipe postmoderne, që akoma nuk është debatuar aq sa duhet në këtë drejtim të gjuhës së përdorur, që është sipas meje shumë e veçantë. Prandaj, për ta përkthyer këtë gjuhë në kompleksitetin e saj, ku ka një lirikë shumë të madhe, një dorë artistike dhe një penë intelektuale ishte gati e pamundur. Ishte e pamundur nga ana tjetër, sepse fjalitë e gjata që janë karakteristikë e librit, nuk janë në natyrën e turqishtes, e cila është një gjuhë ku fjalia merr kuptimin në fundin e saj. Gjithsesi, edhe pse Arlinda kishte thënë që është një libër që besoj se nuk mund të përkthehet, edhe kjo më ngacmonte si sfidë dhe ndaj u thashë përfaqësuesve të “Iletișim”, se nëse zoti Rama ma beson mua përkthimin, le ta bëjmë. E, kështu filloi “Kurbani” në turqisht. Ishte një punë e madhe. Prej 1 viti ishte realizuar kontrata për botimin e tij, por unë arrita të fokusohem veçanërisht 6-mujorin e dytë. Ishte një punë natë-ditë dhe ka pasur momente kur doja t’i shkruaja zotit Rama: ‘Nuk mundem. Nuk bëhet kjo. Të lutem ta lë’. Por, kur vija te ai momenti që t’i shkruaja, të lutem ta lë, i thosha vetes, hajde provoje dhe një herë, sepse nuk ka gjë që nuk bëhet. E, kështu me dy tre pika kulminante kur mendoja se kjo tashmë nuk bëhej, më në fund ia dola.
Sipas botuesit është një libër shumë i veçantë për atë që na sjell nga Shqipëria, sepse në Turqi akoma nuk ka një pasqyrë të tillë, jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë Ballkanit. Një pasqyrë kaq bashkëkohore, kaq reale siç është Ballkani tani, por nuk ka dhe një pasqyrë kaq dinamike të politikës nga një aktor i brendshëm, por që rrëfehet. Në fakt, botuesi e ka shkruar në libër që “është një rrëfim shumë i jashtëzakonshëm, i një politikani krejt të pazakonshëm”. Nga ana tjetër, në Turqi ka një masë të madhe popullsie të të gjitha grupeve, intelektualë, aktorë, artistë, që identifikohen me Ballkanin dhe Shqipërinë, të cilët shtëpia botuese thotë se mezi e presin këtë libër. Ka edhe një grup të cilët e kanë lexuar tashmë librin dhe t’ju them të drejtën unë e kam shumë të vështirë, sepse po përballem me e-mailet e tyre në të cilat kërkojnë jo vetëm që të vijnë në Shqipëri, por të gjithë duan të kontaktojnë me zotin Rama, gjë që të paktën në këtë kohë është e pamundur.”
Arlinda Duda: “Më ngacmoi pak Falma. Dua të shtoj se edhe në Itali është e njëjta situatë. Edhe aty kanë shumë pyetje se çfarë ndodh në Shqipëri dhe si mund të ndodhin disa gjëra. Pikërisht, tani që libri është në proces redaktimi lindin këto pyetje të cilat janë një interaksion, një punë që ne po e bëjmë edhe që këtej nga Shqipëria, sepse nuk ka si të ndodhë ndryshe. Në rastin e botimit në italisht libri është përkthyer nga Ada Prizreni, e cila është gjithashtu shqiptare, por duhet edhe një italian, që të ketë mundësinë t’u shpjegojë italianëve disa gjëra që janë shumë tonat. Në këtë rast, është një fat i madh që parathënia e librit do të bëhet nga Gianni Amelio, sepse për fat të mirë ai është një person që e njeh Shqipërinë dhe shpresoj që të libri të ketë të njëjtin interes dhe sukses.”
 
Kryetari i PS, Edi Rama: “Unë jam, këtu, në një pozitë shumë të privilegjuar, sepse për të folur për “Kurbanin” në rrugën e përkthimeve është e lehtë, pasi siç e shikoni ka dy kujdestare që do t’i kishte zili çdo autor dhe do t’i kishte zili çdokush që është në këtë rrugë. Unë kam qenë me shumë fat që kam pasur qysh në fillim mbështetjen pa kushte të Arlindës për librin origjinal në shqip. Arlinda ka qenë një shtysë e vazhdueshme dhe këtë e nënvizoj se e di mirë se ku jetojmë. Nuk jetojmë në një vend ku është e lehtë, që të jesh mbështetje e kryetarit të opozitës kur në fund të fundit libërprodhimtaria është edhe një sipërmarrje. Nga ana tjetër kam qenë me shumë fat që dy njerëz me një finesë të rrallë në kuptimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe dhe përkatësisht gjuhës turke dhe italiane, si Falma dhe Ada kanë marrë përsipër aventurën e jashtëzakonshme të përkthimit të “Kurban”-it. Unë vetë personalisht kam menduar që është i papërkthyeshëm, jo thjesht për gjuhën, por edhe për shumë pjesë të përmbajtjes që lidhen me referenca shumë lokale, me personazhe, me kujtime, me vende që mund të jenë familjare për njerëzit këtu, por që nuk u thonë asgjë njerëzve që nuk e kanë jetuar Shqipërinë. Kam pasur edhe debate për këtë. Jam kundërshtuar shumë ashpërsisht sa herë e kam hapur këtë bisedë, sepse thuhet se nuk ka gjë të papërkthyeshme. E, jam shumë i lumtur që e kam pasur gabim. Faktikisht, libri është përkthyer. Është përkthyer në turqisht, është botuar nga një shtëpi botuese që më bën të ndjehem shumë i përkëdhelur në sedër, sepse është një shtëpi botuese që, siç e tha dhe Falma, boton autorë të mëdhenj dhe është e njohur për një sqimë të veçantë në përzgjedhjen dhe trajtimin e propozimeve. Po ashtu, jam shumë i përkëdhelur në sedër, për faktin, se libri ësh

KOMENTE