Dje në Prishtinë është mbajtur Task Forca për Integrim Evropian me prezence të përfaqësuesve të qeverisë, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit, akademisë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.
Takimi u udhëhoq nga Ministrja Citaku dhe Z. Haziri ndersa diskutues ishin edhe Ambasadori Gjerman z. Blomeyer, Shefi i zyrës së BE-së z. Zbogar si dhe përfaqësues të të USAID-t dhe SIDA-a Suedeze. Me këtë rast u prezantua draft-Strategjia Nacionale për Integrim Evropian, “Kosova 2020 – një qasje përfshirëse”. Ky është dokument i parë i kësaj natyre që ka për qëllim të avancojë procesin e Integrimit Evropian të Kosovës si një vend më të përgatitur në proces të integrimit evropian. Draft-Strategjia Nacionale për Integrim Evropian përcakton pesë objektiva në të cilat institucionet dhe shoqëria Kosovare do të fokusohen me qëllim të avancimit të agjendës evropiane të vendit, për t’u përballur me kërkesat e integrimit evropian deri më 2020. Pesë objektivat e pashtruara janë arritja e: Efektshmërisë Qeverisëse; Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; Zhvillimi Ekonomik; Përfshirja e Palëve me Interes; dhe Marrëdhënieve të Avancuara (kontraktuese) me BE-në.
Me rastin e prezantimit të draft-Strategjisë Nacionale, Ministrja Ҫitaku theksoi se ajo çfarë e bënë unike këtë Strategji Nacionale është angazhimi i akterëve të ndryshëm relevant për këtë proces, pjesëmarrja dhe kontributi nga të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces, ndërsa për dallim prej strategjive tjera, kjo strategji është rezultat dhe produkt vendor i cili i reflekton sfidat dhe prioritizon nevojat ashtu siq ne i shohim ato. Në këtë frymë bashkëkryesuesi i Task Forcës për Integrim Evropian njëherësh Kryesues i Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian z.Lutfi Haziri u shpreh se në implementimin e kësaj strategjie buxhetimi i prioriteteve është i një rëndësie të veqantë. Të dy kryesuesit falenderuan angazhimin e kryesuesve, bashkryesuesve dhe stafit mbështetës të cilët me angazhimin e tyre e bën të mundur hartimin e kësaj strategjie.
Draft-Strategjia Nacionale për Integrim Evropian është rezultat i aktiviteteve intensive një vjeçare të Task Forcës për Integrim Evropian, si dhe shtatë Tryezave Tematike, në kuadër të cilave janë trajtuar çështjet e administratës, drejtësisë, ekonomisë, tregut, arsimit, bujqësisë, ambientit. Gjatë kësaj periudhe në kuadër të TFEI, dhe Tryezave Tematike janë mbajtur dhjetëra takime në të cilat kanë marrë pjesë zyrtar, ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile, publikut, hulumtues dhe sferës akademike, përfaqësues të komunitetit dhe organizatave ndërkombëtare prezente në Kosovë. Më saktësisht, në kuadër të 50 puntorive kontribuan mbi 1000 pjesëmarrës. Task Forca dhe Tryezat Tematike kanë përpiluar me dhjetëra dokumente në lidhje me fushat relevante për procesin e integrimit evropian. E gjithë kjo ndërmarrje është rezultat i një fryme mirëkuptimi, konsultimi dhe konsensusi në lidhje me gjendjen aktuale dhe kërkesat në proces të integrimit.
Në lidhje me rëndësinë e kësaj Strategjie për procesin e integrimit evropian kryesuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z.Samuel Zhbogar u shpreh se një ndër vlerat evropiane është agazhimi gjithëpërfshirës i të gjithë akterëve në këtë proces, ai e përgëzoi Task Forcën për seriozitetin dhe sinqeritetin në evidentimin e sfidave dhe të arrituave në mënyrë të qartë duke shtuar se për implementimin e këtij dokumenti nevojiten mekanizma konkret implementues, si dhe një ndërlidhje me dokumente tjera strategjikë, përfshirë planet e veprimit në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Puna e Task Forcës dhe Tryezave Tematike e cila rezultoi me këtë strategji nacionale u përshëndet edhe nga Ambasadori Gjerman, z. Blomeyer i cili përgëzoi Ministrës për Integrim Evropian në angazhimin e këtij numri të madhë dhe gjithëpërfshirës të akterëve relevante në këtë proces, ai theksoi se pjesëmarrja në procesin e konsultimeve dhe draftimit të Strategjisë siguron edhe pranueshmërinë e saj, dhe kjo është mëse e nevojshme për fazën e zbatimit.
Gjatë ditëve në vijim, draft–Strategjia Nacionale do t’i prezantohet Këshillit Nacional për Integrim Evropian i cili në takimin e radhës do ta procedojë si dokument final i përkrahur nga ky mekanizëm. Puna e Task Forcës dhe Tryezave Tematike është mbarëvajtur nga Ministria e Integrimit Evropian përkrahur nga Projekti i GIZ-it “Përkrahje Procesit të Integrimit Evropian” në Kosovë. Në fund task forca aprovoi draft strategjinë kombëtare për Integrim Evropian.