Afrim Krasniqi - E mbani mend periudhën komuniste? Sa herë sheshet e Tiranës u mbushën me urdhër për të mbrojtur e qarë Titon, Stalinin, Hrushovin, Cu EnLai, Kastron? Sa miliona dollarë u harxhuan nga buxheti i shtetit shqiptar për të financuar lëvizje terroriste dhe komuniste? Sa libra, urime dhe buste u ngritën për politikanë që në vendet e tyre historia i ka vendosur në pjesën negative të saj? Sa shumë lule, telegrame dhe poezi iu kushtuan atyre që në fakt ishin diktatorë të vendit të tyre ndërkohë që në Burrel, Qafë Bari, Spaç, deri në Sarandë vdisnin në burgjet komuniste dhjetëra e mijave disidentë politike, familjarë të tyre, kritikë të regjimit, shkrimtarë, krijues, prelatë fetarë apo pinjollë të firmëtarëve të Pavarësisë? E mbani mënd vitin 1991 kur për herë të parë u organizua një protestë simbolike në kujtim të studentëve antikomunistë të sheshit Tiananmen? Në të parat ishin mijëra vetëm, në këtë të fundi 30 vetë! Sepse regjimi ishte ndryshuar, nuk kishte më urdhër, por nisma civile.
Sot Shqipëria dhe bota ka ndryshuar. Sot ne kemi prioritete të tjera, nuk kemi pse shfaqemi dicka që nuk jemi, - internacionalistë apo të ndjeshëm ndaj pjesës tjetër të botës. Ajo që nuk ka ndryshuar është vullneti për tu keqpërdorur dhe për të shërbyer vullnetarisht apo për shkak të sportit financiar për modele që nuk ia vlejnë, nuk të nderojnë, nuk kanë justifikim dhe nuk përputhen as me interesat tona madhore publike e shtetërore. Ja p.sh, ngjarjet në Turqi. Atje ka qeveri, ka shtet, ka edhe protestues kritikë, ka gjithçka që ndodh në një shtet gjysëmdemokratik. Ngjarjet e fundit sollën reagime kudo në botën demokratike. P.sh, në Evropën Perëndimore u shënuan disa dhjetëra protesta të vetë komunitetit turk pro lirisë dhe vlerave të demokracisë në vendin e tyre të lindjes. Çdo qeveri evropiane u solidarizua me protestën dhe aktet civile dhe secila bëri thirrje, siç ndodh midis shteteve mike e partnere, për dialog, zgjidhje përfshirëse dhe garantim të lirive qytetare. E bëri çdo vend tjetër në NATO, e bëri çdo vend i BE-së dhe brenda tyre edhe SHBA, aleati ynë kryesor dhe modeli i demokracisë!
Po ne shqiptarët? Qeveritë tona këtej e andej kufirit zyrtar heshtën. Dhe mirë bënë. Një vend që vret 4 qytetarë drejtpërsëdrejt përpara mediave në një protestë të zakonshme të vendeve në krizë përfaqësimi e institucionesh, nuk ka ndonjë epërsi morale të japë leksione demokracie. Jashtë qeverive, në Tiranë, Shkup e ndonjë qytet tjetër shqiptar të Kosovës u gjetën disa që menduan të dalin në rrugë! Përse? Për të mbrojtur vlerat ku beson çdo shoqëri perëndimore dhe ku duam të bashkohemi edhe ne? Për të dëshmuar se shqiptarët nuk e kanë humbur sensin e reagimit dhe solidaritetit kur bëhet fjalë për demokracinë dhe standardet e saj? Jo. Ato grupe dolën në rrugë për të kundërtën, për të mbrojtur ata që janë në pushtet në një vend tjetër, në favor të pushtetit, jo të qytetarëve!! Ata kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan, kanë arsyet dhe bindjet e tyre. Siç bënë më 1914 kundër princit perëndimor W.Wied. Siç ka ndodhur disa herë të tjera kritike në botën e trazuar shqiptare, madje deri në foltoren e parlamentit në Prishtinë apo në qytetin e Lidhjes së Prizrenit! Dhe nuk besoj se do jetë akti i fundit, përkundrazi.
Tipike për një shoqëri në krizë që zgjedh prioritete të gabuara dhe që edhe pas 100 vitesh vijon të jetë në dilemë nëse pushtimi 5 shekullor mund të quhet pushtim, apo që në shkëmbim të disa favoreve politike pranon që pala tjetër t’ia rishkruajë historinë, madje t’ia ndryshojë edhe emrin e heroit kombëtar!
Turqia është vend mik me Shqipërinë dhe anasjelltas. Jemi vende mike, shtete mike dhe partnere politike në shumë fushata bashkëveprimi. Siç jemi edhe me disa shtete të tjera, siç prioritet dhe model për ne mbeten SHBA e BE dhe jo ndonjë vend tjetër. Problemet në Turqi janë probleme të saj, të institucioneve, ligjeve, sistemit dhe të qytetarëve të saj. Ne nuk mund, nuk duhet dhe nuk kemi të drejtë të ndërhymë. Por edhe nëse ia lejojmë vetes, - për shkak të natyrës globale të problematikave standarde të sotme, - ne nuk kemi luksin të vijojmë të mbetemi vendi e kombi i vetëm i identitetit evropian që midis pushtetarit të radhës dhe qytetarëve, - zgjedh të parin. Pushtetarët votohen, fitojnë, humbin, zëvendësohen, - qytetarët janë dhe mbeten aty sot e përjetë! Dhe një shoqëri serioze bën sjellje serioze. Gjë që ne nuk e bëmë as këtë herë.
Duke treguar në disa detaje të vogla periferike se modeli ynë politik, idhulli ynë politik vijon të jetë njeriu i fortë me pushtet, jo njeriu i lirë në një shoqëri të lirë. Duke dhuruar solidaritet me modele të tilla, në fakt dëshmohet luajalitet e mbështetje për modelet tona politike këtu, individë që zgjidhen me vota pastaj na bëhen sundimtarë, që sillen me qytetarët si pashallarët e dy shekujve më parë, që përdorin dhunën për mbrojtjen e pushtetit, dhe qytetarët i duan vetëm atëherë kur ata janë luajalë, të bindur, numër formal por turmë dhe për ditën e zgjedhjeve!
Me 23 qershor ka 66 parti në garë, por në fakt modelet numërohen më pak se gishtat e njërës dorë. Shumica kanë modelin e adhurimit për sunduesin, pushtetin, forcën, arrogancën, refuzimin e kritikave të huaja dhe pakica, një pakicë shumë e vogël beson ende tek qytetari, liria, vlerat dhe standardet që mbajnë themelet e shtetit ligjor dhe funksional demokratik!
A nuk kemi secili prej nesh diçka për të thënë? A nuk mund ta ndryshojmë këtë realitet të trishtë? A nuk meritojmë të jemi më shumë sesa një provincë me sjellje otomane dhe pretendime maksimale aksidentale? A nuk duam të jemi de facto pjesë e familjes evropiane, e vlerave dhe standardeve të saj? A nuk është koha për të marrë një vendim? Unë besoj se po.