Kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e ndërtimit të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Vlorë.
Me një investim me vlerë rreth 13 milionë euro u realizua jo vetëm ndërtimi i rrjetit të ri të trajtimit të ujërave të zeza, me kapacitet në shërbim të një popullate prej 160 mijë banorë, por edhe ndërtimi i rrugëve dhe trotuareve, si dhe ndërtimi i lidhjeve të shtëpive në Vlorë.
Kryeministri Berisha, ndërsa theksoi se infrastruktura ujore është infrastrukturë jetike për zhvillimin e një qyteti dhe një vendi, shprehu kënaqësinë që përfundimi i këtij impianti e renditet Vlorën ndër qytetet mesdhetare me ujërat më të pastra.
Në fjalën e tij ai u shpreh:
"Ky është zhvillim. Ne po bëjmë gjithçka të ecim drejt zhvillimit. Ndaj unë sot i drejtoj edhe një herë thirrjen më miqësore qytetarëve të Vlorës, banorëve të qarkut të Vlorës, pasnesër të zgjedhin 44-n. Vlonjatet dhe vlonjatët, shqiptaret dhe shqiptarët, përveç mundit dhe djersës së tyre, meritojnë edhe fatin e mirë dhe ky është numri fatmirë. Shqiptarët e dinë këtë, shqiptarët janë të mençur dhe nuk kanë asnjë lloj arsye që të prekin numrin e tersit, numrin 29. Kjo është e vërtetë. I garantoj qytetarët e këtij qarku se në udhëtimin tonë përpara, ne do të bëjmë gjithçka të përfundojmë çdo vepër tjetër që Vlora meriton, by pass-in, projektet e mëdha për ta shndërruar ansamblin natyror Nartë-Sazan-Karaburun në ansamblin turistik më të mirë në Europë e në botë.
Edhe një herë ju ftoj të votojmë 44-n dhe ju ftoj sot të festojmë të gjithë në Tiranë. Vlonjate e vlonjatë, shqiptare e shqiptarë kudo ku jeni, sot në orën 19.44 minuta, nuk mund të ishte tjetër, të mblidhemi e të festojmë sëbashku me shpirtin e fitores, fitores sonë të merituar, me besimin tek e ardhmja, besimin tek njëri-tjetri, besimin tek Shqipëria. Fitore!”