45 familje të Tiranës të cilat kanë ndërtuar shtëpitë deri në gusht të ’91, kanë marrë për herë të parë hipotekën e pronës së tyre. Në të gjithë Tiranën janë rreth 1500 banesa që përfitojnë nga akti normativ i qeverisë, i nxjerrë pas ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës, për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi shumëvjeçar. Kreu i Bashkisë Lulzim Basha ka garantuar të gjithë familjet e Tiranës që e kanë një problem të tillë, se hipotekat do u dërgohen në shtëpi, ashtu si 45 familjeve të Shkozës. Deri tani, pranë Bashkisë së Tiranës janë dorëzuar rreth 200 dosje, 76 prej të cilave kanë përfunduar procedurat dhe pritet vetëm çertifikata e pronësisë nga Hipotekat.
“45 familje marrin sot çertifikatat e pronësisë, e drejtë e tyre të cilën e kanë kërkuar por nuk e kanë gjetur për një kohë të gjatë. I garantoj edhe të tjerët, tek kjo 200-ëshe që kanë aplikuar, se ne do të përmbyllim procesin brenda javëve në vijim, sikundër nxis çdo banor që është subjekt i këtij rregullimi ligjor, pra banesa të ndërtuara deri në gusht të vitit ’91 por të pa hipotekuara (bëhet fjalë për banesa që janë ndërtuar që nga vitet ’50, siç është rasti këtu në Shkozë), të bëjnë aplikimin pranë Bashkisë së Tiranës dhe ne i sigurojmë se në jo më shumë se 120 ditë pas aplikimit, ne do të jemi në gjendje t’ju sjellim çertifikatat e pronësisë, kështu siç po ua sjellim sot banorëve këtu në Shkozë” - deklaroi z. Basha.
Kryebashkiaku Lulzim Basha, ndërsa u ka shpërndarë hipotekat këtyre familjeve, i ka garantuar se Bashkia e Tiranës nuk do të qëndrojë asnjëherë indiferente ndaj problemeve të tyre.
“Është shumë e rëndësishme në këtë moment, për të kujtuar se sa mirë është për qytetarët e këtij qyteti, kur Bashkia vë në radhë të parë interesin e qytetarëve dhe dëgjon, pasi në radhë të parë duhet të dëgjojë, që më pas të mund të zgjidhë problemet. Vlen të kujtojmë edhe njëherë se për 11 vjet me radhë, problemi juaj as nuk u dëgjua e jo më të merrte rrugë, ndaj çdo premtim i atij që kishte shansin për ta zgjidhur këtë problem për 11 vjet dhe nuk e zgjidhi, sot besoj se nuk ka nevojë për koment për banorët e Tiranës, nuk besoj se ka nevojë për koment as për banorët e Kamzës, Paskuqanit, Kavajës, Vlorës apo Shkodrës. Fakti është, që të mund të zgjidhësh një problem të një qytetari apo qytetarëve duhet së pari t’i dëgjosh, së dyti të të bëhet vonë për ta dhe së treti të investosh të gjithë energjinë për t’i ndihmuar dhe jo të bësh veshin e shurdhër e pastaj të mundohesh të gjesh justifikime se përse nuk e zgjidh dot këtë apo nuk zgjidh dot atë. Të gjesh justifikime është gjëja më e thjeshtë në botë, të zgjidhësh problemin është prova e vërtetë e përkushtimit ndaj qytetarëve” – theksoi kreu i Bashkisë Lulzim Basha.
Kryebashkiaku Basha u ka premtuar të gjithë banorëve të ardhur, se ashtu siç po përfundon procesi i hipotekimit, brenda 30 shtatorit do të përfundojë dhe procesi i legalizimit.
“E kam thënë dhe përsëris se për Bashkinë e Tiranës, çdo objekt në proces legalizimi do i çohet tapia, siç ua sollëm sot këtu, brenda datës 30 shtator në shtëpi. Për këtë, të mos ketë asnjë dilemë, sepse siç po përfundojmë procesin e hipotekimit madje edhe për ato ndërtesa që u ndërtuan me leje ndërtimi me firmën e ish-kryetarit dhe që nuk pati asnjë justifikim për mos hipotekimin, ashtu do të përfundojmë edhe procesin e legalizimit. Duke filluar nga data 1 korrik, Bashkia e Tiranës do të marrë të gjithë përgjegjësitë ligjore dhe procesin do e përmbyllim brenda datës 30 shtator për të gjithë bashkinë e Tiranës. Askush nuk mund të ndalë apo të kthejë pas këtë proces apo planin urbanistik, apo projektin e bulevardit, sepse e kemi fare të qartë se kush është interesi më i mirë i qytetarëve, sikundër e kemi fare të qartë çoroditjen, çorientimin dhe çartallosjen e ditëve të fundit të atij që do të marrë përsëri përgjigjen e qytetarëve” - u shpreh z. Basha.