Mesazhi i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani drejtuar qytetarëve për ditën e votimit të 23 qershorit
22 qershor 2013
Të dashur dhe të nderuar bashkëqytetarë,
Nesër do të votojmë.
Pra do të kryejmë aktin më të natyrshëm në një shoqëri të lirë.
Që është veprimi politik, qytetar, shoqëror, më i rëndësishëm, që përmban në vetvete, thelbin e Demokracisë.
Si të tillë, kjo ditë dhe ky akt, kërkojnë prej të gjithëve ne, përqendrim, seriozitet, përgjegjshmëri, për gjithçka që ka lidhje me këto votime.
Të votosh provon se di të jesh i përgjegjshëm për fatet e tua, di ta përdorësh Lirinë, për vete dhe për të tjerët, për të tashmen dhe të ardhmen.
Të mos votosh, është pasivitet i pafalshëm që nuk justifikohet nga asgjë.
Të mos harrojmë për asnjë çast rëndësinë e jashtëzakonshme që ka dita e nesërme lidhur me punët, problemet, perspektivat e brendshme.
Të vlerësojmë si duhet rëndësinë që votimet e nesërme kanë lidhur me marrëdhëniet tejet të rëndësishme të vendit me botën, me të cilat liria, begatia, fatet tona të tashme dhe të ardhshme janë ngushtësisht të lidhura.
Të votojmë duke respektuar në përgjithësi rendin, veçanërisht procedurat e votimit, vetë ne si zgjedhës së pari, pastaj autoritetet e ngarkuara me zbatimin e atyre procedurave.
Të bëjmë kujdes për një sjellje sa më qytetare gjatë ditës së votimit.
Të votojmë me bindjen se të tjerët që votojnë parti të ndryshme, votojnë ndryshe sepse mendojnë në mënyra të ndryshme, por së brendshmi jemi të gjithë të njëjtë dhe dallimi se për cilën parti apo individ votojmë, nuk është dallim që na ndan, por dallim që na bashkon.
Të kuptojmë si duhet gjënë kryesore; Se partitë dhe ideologjitë për të cilat votojmë janë disa, por Shqipëria dhe e ardhmja e saj janë një.
Të mundësojmë sa më tepër të rinj të votojnë, posaçërisht ata që votojnë për herë të parë…që dita e nesërme të jetë një ditë e bukur.
Votim të mbarë!