Toni Bler, pas kësaj fundjave nëse Partia Socialiste e Shqipërisë fiton zgjedhjet pritet të nisë punën si këshilltar i qeverisë së re.
Gazeta britanike “The Guardian” në një artikull me titull: “Toni Bler gati për t’iu përgjigjur thirrjes së Shqipërisë”, flet për atë që mund të ndodhë pas 23 qershorit.
Opozita shqiptare ka rreshtuar Blair për të ofruar këshilla mbi riorganizimin e qeverisë si dhe modernizimin e situatës politike në Ballkan.
Kreu i PS-së, Edi Rama u takua me Blerin muajin e kaluar në zyrën e këtij të fundit. Ende nuk ka një kontratë formale por pritet që Bler të këshillojë për modernizimin dhe reformat e vendit që kërkon të bëhet anëtare e BE-së.
Një video e takimit të tyre tregon Blerin që i thotë Ramës: “Do të isha shumë i kënaqur t’iu ndihmoja juve, jam shumë i interesuar për vendin tuaj.”
Ish-kreu i Bashkisë së Tiranës thotë: “Nëse fitoj zgjedhjet, do të ishim shumë të kënaqur të punonim dhe të dëgjonim këshillat më të mira për formimin e qeverisë dhe riorganizimin e politikave në Shqipëri. Partia jonë është e frymëzuar dhe e lidhur me vizionin dhe mënyrën e të menduarit të gjerave nga ana e Partisë Laburistë dhe Toni Blerit.”
Bler ka një marrëveshje të tillë me Kolumbinë dhe Brazilin. Ai mbetet një figurë popullore në Shqipëri lidhur me rolin e tij për mbrojtjen e shqiptarëve etnikë në Kosovë duke orkestruar bombardimin e Jugosllavisë nga NATO-ja në vitin 1999.
Edhe ish-drejtori i komunikimit për Blertin, Alastair Campbell ndodhet në Shqipëri si këshilltar për strategjinë elektorale pranë PS-së. Campbell thotë se ka qenë disa herë në Shqipëri dhe se ka dhënë disa këshilla miqësore. “Edi duket si historia më e suksesshme e qendrës së majtë në Evropë për periudhën tonë”, thotë Campbell.
Rama pritet që të mundë Berishën, i cili ka dominuar jetën politike në dy dekadat e fundit. Sondazhet e fundit i japin koalicionit të Ramës 50% të votave, shtatë pikë më shumë se sa koalicioni i Berishës.