Prononcimi për mediat i Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili së bashku me familjen e tij ka votuar sot paradite në qendrën e votimit 1902/2 në kryeqytet. Menjëherë pas votimit, përmes mediave të pranishme, Rama ka dhënë një mesazh të qartë për një pjesëmarrje sa më të lartë të qytetarëve në votime.
“Asnjë, që më dëgjon dhe që është sot në Shqipëri, të mos e harrojë atë fjalën e madhe që kur e keqja e kap për fyti një popull, nuk është faji i të këqijve, por i të mirëve që nuk bëjnë asgjë. Dhe në kushtet e mundësisë për të votuar, kjo do të thotë: I të mirëve që nuk votojnë. Prandaj, apeli im është pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje. Në pak minuta vendosen jo 4 vitet e ardhshme, por fati i një gjenerate. Kështu që, ju lutem të gjithëve, s’ka asgjë më të rëndësishme sot për të bërë si një qytetar, si një familjar, si një shqiptar, se sa te qendra e votimit, për të marrë fletën e votimit dhe për të shprehur vullnetin sovran me votë. Sot është populli në veprim. Pjesëmarrja është shprehja më kuptimplotë dhe e thjeshtë e popullit në veprim.
Unë nuk dua të bëj asnjë koment tjetër lidhur me pjesëmarrjen, sepse deri sa të mbyllen kutitë e votimit është momenti vetëm për të nxitur pjesëmarrjen. Jam shumë i keqardhur për ndodhinë e Laçit. Jam shumë i keqardhur për rolin e Policisë së Shtetit në disa zona të Shqipërisë. Jam shumë i keqardhur për bashkëpunimin me forca kriminale të segmenteve të policisë, por megjithatë këto mbeten shprehje sporadike dëshpërimi, që nuk do të ndryshojnë në asnjë mënyrë fatin e këtyre zgjedhjeve. Kudo është e mundur të votohet, kudo është e hapur rruga për të votuar, kudo qendrat e votimit janë në pritje të qytetarëve dhe kudo qytetarët duhet të shkojnë të votojnë. E përsëris, askush sot të mos rrijë pa votuar, askush! Gjithkush që ka të drejtën për të votuar, duhet të kujtojë se sa shumë njerëz në këtë vend janë vrarë, janë burgosur, janë syrgjynosur, janë shkatërruar për të drejtën e votës, se sa shumë njerëz sot ëndërrojnë për të drejtën e votës dhe ushtrimi i të drejtës së votës nuk është vetëm shprehje e një vullneti individual, por edhe shprehje e një respekti për gjithë ato sakrifica që ka bërë qoftë ky popull, qoftë gjithë njerëzimi për të arritur tek vota e lirë. Jini të lirë të votoni. Votoni! Votoni! Votoni! Kjo është thirrja ime dhe absolutisht mesazhi është i qartë për të gjithë votuesit edhe në Laç. U lutem shumë të shkojnë të votojnë, mos të kenë asnjë frikë. Ka kaluar situata dramatike. Tani qendrat janë të hapura. Votoni! Votoni! Votoni!
Është barbare që në një ditë votimin mes të Europës të humbasë një jetë njeriu dhe të plagosen të tjerë me armë zjarri nga kriminelë të mbështetur nga policia dhe policia të mos jetë aty në rakordim të plotë me këta kriminelë. Por, kjo nuk ndryshon fatin e vendit, nuk ndryshon rrotën e historisë dhe sot dihet se çfarë drejtimi ka rrota e historisë.”