Rezultatet e deritanishme tregojnë pjesëmarrjen më të madhe ndonjëherë të bastioneve të Partisë Demokratike, duke rikonfirmuar edhe një herë se qytetarët kanë votuar për të ecur përpara me Partinë Demokratike.
Deri tani, sipas të gjithë treguesve tanë, Partia Demokratike është fituese dhe ne jemi të gatshëm të udhëheqim Shqipërinë në katër vitet e ardhshme.
Modeli i bllokimeve, bojkoteve dhe konflikteve politike të Partisë Socialiste, është ndëshkuar bindshëm nga votuesit të cilët kanë zgjedhur të ecin përpara.
Ne përgëzojmë komisionerët dhe vëzhguesit që garantuan sot zgjedhje të lira dhe të ndershme si dhe qytetarët që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, pamvarsisht incidenteve të blerjes së votës, frikësimit të votuesve dhe dhunës vdekjeprurëse të shkaktuar nga koalicioni opozitar.
Ne gjithashtu e dimë fare mirë rëndësinë e punës që i pret ekipet e numërimit të votave. Mbi të gjitha, është e rëndësishme që në votime morrën pjesë më shumë qytetarë se kurrë më parë.
Ne tani bëjmë thirrje që çdo votë të numërohet dhe kështu të dëgjohet zëri i çdo qytetari.
Ndërsa jemi në pritje të rezultateve zyrtare menjëherë pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, bëjmë thirrje për qetësi në pritje të çertifikimit të tyre.
Por sot ne festojmë zgjedhje demokratike, të lira dhe të ndershme dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë të punojmë për të mirën e qytetarëve për të krijuar më shumë vende pune, të arrijmë integrimin në BE dhe të ndërtojmë një Shqipëri moderne europiane.
Pyetje- Zonja Bregu unë këmbëngul sërish tek të dhënat që ju jepni. Ju keni sondazhet tuaja apo u besoni sondazheve të Civitas Albania e Anzalone Research?
Sondazhet tona por dhe sondazhet që tashmë janë bërë mediatike të Anzalone Research e Civitas Albania e besoj që janë rezultati më i mirë i bindshëm për çdo qytetar shqiptarë. Anzalone Research, siç edhe mediat e kanë raportuar, është pikërisht kompania e cila ka bërë dhe sondazhet e presidentit Obama në dy zgjedhjet presidenciale të 2009-ës dhe 2012-ës. Prandaj besoj se është kompania më serioze për të garantuar atë që ka thënë pak më parë, fitoren e bindshme të Partisë Demokratike.
Pyetje- Po nga të dhënat e komisionerëve a keni ndonjë pritshmëri, sepse krahu tjetër ka dalë me numra?
Krahu tjetër më shumë sesa me numra poflet me çehre, siç thotë Shqipëria e mesme. Të vrarë dhe të errësuar. E sigurtë është që të dhënat tona nga burimet të cilat janë jo vetëm Exit Poll-et që cituam më lart, por dhe nga burime të brendshme të Partisë Demokratike vërtetojnë fitoren tonë të thellë dhe bindshëm.