English

Florion Serjani: Kemi fituar zgjedhjet

Deklaratë për Shtyp e zëdhënësit Florion Serjani

Populli e ka futur fitoren në kutitë e këtij votimi historik. Detyra jonë, detyra e çdo komisioneri dhe numëruesi, është ta nxjerrë atë të paprekur duke mbrojtur çdo votë.
Shqiptarët e bënë detyrën e tyre karshi Shqipërisë. Ata duan Rilindjen dhe votuan Rilindjen. Tani është detyra e administratorëve të pjesës së dytë të procesit zgjedhor që vota për Rilindjen të numërohet me përpikmërinë më të madhe.

Asnjë votë të mos keqtrajtohet. Çdo subjekt zgjedhor opozitar, brenda dhe jashtë “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, duhet të marrë një për një çdo vote që i ka dhënë populli.
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë të përgatitur, të gatshëm dhe të vendosur, ta kryejnë këtë detyrë me ndjenjën më të lartë kushtetuese dhe atdhetare.
Kemi fituar zgjedhjet, tani duhet të fitojmë edhe standardet e këtyre zgjedhjeve historike për Shqipërinë. Do ta bëjmë këtë me përkushtimin më të madh. U kërkojmë qytetarëve ta ndjekin procesin me qetësi, por me vëmendjen më të madhe.

U kërkojmë drejtuesve të Policisë së Shtetit të këpusin fijet që i mbajtën sot lidhur gjithë ditën me pushtetin. U kërkojmë kundërshtarëve të respektojnë vullnetin e popullit sovran dhe të bashkëpunojnë për të pasur një numërim transparent, të qetë, të ligjshëm dhe të saktë.
Zgjedhësit e Partisë Demokratike, demokratët e ndershëm e të zakonshëm, nuk duhet të ndjehen sot të humbur, por të fituar. Ka humbur Saliu dhe Çeta e tij e Rrënimit, nuk kanë humbur qytetarët që kanë votuar Partinë Demokratike. Rilindja ka ardhur edhe për ata. “Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të mirëqeverisë edhe për ata. Është mbyllur një epokë krize dhe është hapur epoka e rimëkëmbjes së Shqipërisë.

KOMENTE