Publikohet në Facebook letra e kreut të PS së Korçës drejtuar Edi Ramës. “Kështu hapen 4 mijë vende pune për militantët e PS”.
Socialistët e Korçës i kërkojnë Edi Ramës të spastrojë administratën pas ardhjes në pushtet. Përmes një letre të publikuar në Facebook dhe që mban logon dhe vulën e PS por edhe firmën e kryetares së rrethit, Ana Verushi, kërkohet që nëse PS vjen në pushtet pas 23 qershorit, Partia Socialiste të bëjë spastrime të mëdha në administratën publike pa bërë asnjë seleksionim profesional dhe pa pranuar asnjë ndërhyrje që mund të vijë nga jashtë. Verushi shprehet se, bashkë me letrën e publikuar në Facebook, i ka bashkëngjitur dhe një listë të plotë të të gjithë administratës së rrethit Korçë, e cila është siguruar nga pak socialistë që punojnë në të.
“I nderuar zoti Rama, kërkojmë nga ana juaj largimin e të gjithë kësaj administrate pa përjashtim. Ne po e çojmë te ju, me besimin se ardhja e PS në pushtet do të bëjë të mundur heqjen e të gjithëve, duke mos pranuar asnjë ndërhyrje, duke mos parë asnjë kriter profesional, duke mos pranuar asnjë vlerësim, jo objektiv, që do të vinte nga njerëz që mbrojnë flamujt sa herë cenohet interesi i tyre”, thuhet në letrën drejtuar Edi Ramës. Letra është dërguar zyrtarisht kryetarit të Partisë Socialiste dhe mban datën 8 qershor 2013. Kryetarja e PS-së së rrethit Korçë propozon që ky spastrim të shërbejë për sistemimin e militantëve të PS, që janë hequr nga qeveria e PD dhe që prej 8 vjetësh mbeten të papunë. Madje, ajo propozon dhe ndjekje penale për të gjithë drejtorët e rrethit të Korçës, por nuk jep arsyet apo shkeljet penale që ata kanë kryer.
“Me besim të plotë te ju, kjo reformë do të bënte të mundur hapjen e të paktën 4000 vende pune për militantët e PS, të cilët këto 8 vite janë hequr dhe pushuar nga njerëzit e Berishës. Kërkojmë gjithashtu që të gjithë drejtorët aktualë të administratës së qarkut të Korçës të çohen për ndjekje penale”, thuhet në letrën e kryetares së PS së rrethit Korçë. Pak ditë më parë, në një aktivitet me të rinjtë, kryesuesi i listës së PS në Tiranë, Pandeli Majko, tha se administrata publike nëse PS fiton zgjedhjet, do të ketë lëvizje për shkak të politizimit të saj.