English

Rama: Shqipëria nga këto zgjedhje do të dalë me kokën lart

Deklaratë për Shtyp e Kryetarit të PS, Edi Rama.

Përshëndetje!
Dje ju thashë që Rilindja ka fituar mbi rrënimin, sot ju them se fitorja do të jetë edhe më e thellë nga sa duket, por ka kohë akoma për të festuar. Tani është koha për të përmbushur dy aspekte themelore, të kontratës sonë me Shqipërinë;
E para, thirrja ime për çdo deputet, për çdo drejtues dhe koordinator, për çdo numërues të Partisë Socialiste dhe të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”:
Asnjë votë, asnjë votë, asnjë votë nuk duhet të cenohet!
Duhet të numërojmë çdo votë në respekt të çdo shqiptari. Duhet të sigurojmë se çdo votë që zgjedhëset dhe zgjedhësit shqiptarë kanë çuar në kutinë e votimit të numërohet dhe të shkojë në atë adresë ku ata e kanë çuar. Të mbrojmë çdo votë, të çdo subjekti zgjedhor, të koalicionit tonë dhe çdo subjekti opozitar.
Sot është dita e parë e Rilindjes!

Sot ne duhet të sillemi me votën e çdo shqiptari si fuqia që do të rilindë Shqipërinë dhe Rilindja duhet sot respektohet me respektin për çdo votë. Prandaj, në çdo moment të jemi në lartësinë e Kushtetutës, të jemi në lartësinë e ligjit zgjedhor, të jemi në lartësinë e moralit të kësaj fuqie të madhe të rilindjes që quhet “Aleanca Për Shqipërinë Europiane”.
E dyta, por jo më pak e rëndësishme. Sot kemi detyrimin t’i japim Shqipërisë dhe shqiptarëve mundësinë që të krenohen përpara botës mbarë, për këtë proces zgjedhor, nga ku Shqipëria duhet të dali e pastruar prej njollave të së shkuarës. Nga ku Shqipëria duhet të dalë si një vend europian dhe nga ku shqiptarët duhet të dalin si populli europian, që me pjesëmarrjen e tyre, me votën e tyre, dëshmuan përkatësinë e tyre shpirtërore ndaj këtij atdheu të cilin e shpëtuan.
Ndaj, unë dua t’i drejtoj një mesazh kundërshtarit tonë;
Ka gjithmonë një kohë për të humbur dhe sot është koha për ta bërë këtë me nder në nderin e Shqipërisë, duke bashkëpunuar në çdo tavolinë numërimi, për të garantuar paprekshmërinë e dinjitetit të popullit shqiptar dhe të Shqipërisë në këtë proces. Që do të thotë se, ky proces duhet të vazhdojë pa pengesa, në këtë proces, të gjithë ata të cilët janë dërguar nga partitë për të numëruar votat e sovranit duhet të jenë në lartësinë e kësaj detyre fisnike. Kështu që, besoj se pavarësisht se në këto zgjedhje ka fituar Partia Socialiste, “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe ka humbur Partia Demokratike dhe aleanca e tyre, është detyrim i barabartë si i yni dhe i tyre që të nxjerrim të fituar Shqipërinë nga ky proces dhe bota të na përgëzojë me të drejtën e plotë, që do t’i japim vetes duke e çuar procesin deri në fund me dinjitet dhe duke u ndarë njëherë e përgjithmonë nga zgjedhjet e cenuara, të manipuluara dhe turpëruese për Shqipërinë.
Shqipëria nga këto zgjedhje duhet dhe do të dalë me kokën lart. E, ky është ai moment në politikë kur të humburit mund të marrin pjesë në fitoren e vendit të tyre.

KOMENTE