Në datën 24 qershor 2013, në zyrat e Ambasadës së Shqipërisë në Paris u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Protokollit të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë nga njëra anë, dhe organizatës evropiane të telekomunikacionit satelitor EUTELSAT IGO (Inter Governmental Organisation) dhe EUTELSAT S.A.
Në emër të Ministrit shqiptar për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, protokolli u nënshkrua nga Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola, dhe nga ana e organizatës evropiane, ajo u nënshkrua nga Sekretari Ekzekutiv i EUTELSAT IGO, Christian Roisse, dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i EUTELSAT S.A., Michel De Rosen.
Nënshkrimi i këtij protokolli shënon një hap të ri në marrëdhëniet e Shqipërisë me këtë organizatë ndërkombëtare të fushës së telekomunikacionit. Protokolli parashikon aksesin dhe përdorimin nga qytetarët, ndërmarrjet private dhe institucionet publike, të transmetimeve nëpërmjet satelitit të shërbimeve të internetit me bazë të gjerë të ofruara nga EUTELSAT-i, të cilat përfaqësojnë teknologjinë e së ardhmes në këtë fushë. Ai përfshin edhe realizimin e projekteve për instalimin e pajisjeve dhe asistencën teknike që do t'u mundësojnë enteve publike, si shkollat, spitalet, shërbimet e urgjencës, shërbimet e sigurisë, etj., të kenë akses në këto shërbime, veçanërisht në zonat rurale dhe malore dhe në të gjithë territorin e Shqipërisë.