Qeveria e Republikës së Egjiptit ka marrë vendim për njohjen e Kosovës, shtet të pavarur dhe sovran.
Vendimi zyrtar i njohjes së Kosovës nga Egjipti i është komunikuar ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, nga ministri i Punëve të Jashtme i Egjiptit, Mohamed Kamel Amr dhe ndihmës presidenti i Egjiptit për Marrëdhënie me Jashtë dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Essam Al-Haddad.
Vendimi i Qeverisë së Republikës së Egjiptit për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur e sovran është publikuar edhe në ueb faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Egjiptit.
“Në kuadër të përpjekjeve të përhershme të Republikës Arabe të Egjiptit për konsolidimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, dhe në kuadër të asaj që thekson Karta e Kombeve të Bashkuara për të drejtën e popujve për vetëvendosje, dhe në përputhje me Opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të nxjerrë më 22 korrik 2010 që e konsideron shpalljen e pavarësisë së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, Qeveria e Republikës Arabe të Egjiptit ka vendosur më 26 qershor 2013 për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Egjiptit.
Në deklaratë, po ashtu theksohet se Republika Arabe e Egjiptit dëshiron me këtë vendim vendosjen e marrëdhënieve të mira me Republikën e Kosovës në të gjitha fushat, dhe në të njëjtën kohë konfirmon angazhimin e saj për vazhdimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve të saj të mira që i lidh gjithmonë me shtetet e rajonit.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe autoritete të tjera të larta të shtetit, kanë zhvilluar aktivitete të shumta lobuese në Egjipt, si rezultat i të cilës dy shtetet kanë konsoliduar raporte shumë të mira për më shumë se dy vjet.
Hoxhaj, gjatë kësaj kohe ka vizituar disa herë Kajron dhe në samite të ndryshme të atij rajoni, është takuar me autoritetet më të larta shtetërore, përfshirë ndihmëspresidentin Al-Haddad, ministrin e Jashtëm Mohamed Kamel Amr, e shumë personalitete të tjera të larta egjiptiane.
Njohja e Kosovës nga Egjipti i hap udhë fuqizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërshtetërore ndërmjet dy vende dhe popujve.