English

FRD njeh zgjedhjet dhe vlerëson dorëheqjen e kryetarit të PD-së

Fryma e Re Demokratike njohu sot zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve të 23 Qershorit. Në një deklaratë zyrtare për median, kryetari i Frymës së Re Demokratike deklaroi:

“Vendimi i qytetarëve mund të komentohet, por nuk mund të diskutohet. Në emër të Frymës së Re Demokratike shpreh publikisht njohjen e rezultatit zyrtar të zgjedhjeve si dhe vlerësimin më të lartë për të gjithë ata qytetarë që iu bashkuan përgjegjësisë kushtetuese për pjesëmarrje në votime. Ne urojmë fituesit e zgjedhjeve dhe i inkurajojmë të mbajnë premtimet e dhëna, duke siguruar publikun se do jemi forcë aktive opozitare”

Topi shprehu mirënjohje për më shumë se 30 mijë qytetarët që votuan Frymën e Re Demokratike:

“Ndjehem dyfish i nderuar që mbi 10 mijë qytetarë në kryeqytet zgjodhën FRD duke arritur kuotën më të lartë që ka arritur një partie politike jashtë koalicioneve të mëdha. Dëshiroj të falënderoj gjithashtu anëtarët, simpatizantët dhe të gjithë vëzhguesit në emër të FRD-së, të cilët me përkushtim e korrektësi ndoqën procesin elektoral deri në fund.

FRD do të bëjë një analizë të rezultatitit të zgjedhjeve, për të cilën, Z. Topi u shpreh:

“Natyrisht që pritshmërinë dhe pretendimet tona ishin më të mëdha. Për më tepër, sistemi zgjedhor nuk e mundësoi përkthimin e votave tona në mandate parlamentare. Nga ky aspekt rezultati ynë meriton një analizë të thellë, vetëkritike, proces të hapur brenda nesh për të parë gjithçka bëmë, hapat ku gabuam dhe mbi të gjitha, për të marrë vendimin më të mirë për të ardhmen tonë.

Topi theksoi se FRD do të vijojë të jetë e pranishme dhe aktive në politikën shqiptare:

“Ne kemi detyrimin e më shumë se 30 mijë votuesve për ta çuar përpara misionin tonë politik, duke e kryer këtë në javët dhe muajt e ardhshëm me përulje, transparencë e reflektim të thellë duke filluar nga unë si kryetar i FRD dhe deri tek strukturat e çdo niveli përfaqësues”

Kreu i FRD-së adresoi në mënyrë specifike edhe të djathtën shqiptare:

“Në emrin tim dhe të FRD vlerësoj dorëheqjen e kryetarit të PD-së nga pozitat aktive drejtuese dhe e shoh atë si një hap pozitiv, edhe pse ende të pamjaftueshëm, për nisjen e një procesi të reflektimit dhe reformimit të thellë të së djathtës shqiptare” – tha Topi.

Por, pjesa më e fortë e deklaratës së tij ishte apeli i bërë për demokratët në të gjithë Shqipërinë:

“Mijëra demokratët e ndershëm nuk janë të vetëm. Ata meritojnë respekt dhe falje publike nga ata që i çuan deri në ketë pikë kritike. Demokratët e thjeshtë nuk mbajnë përgjegjësi për gabimet e liderëve te tyre. Ata duhet të ngrenë kokën lart, dhe duhet të gjejnë forcë e kurajë për reflektim, për riformatim dhe rithemelim të alternativës që i mbron. FRD është sot partia e vetme e moderuar e qendrës së djathtë, shtëpia e vërtetë e të djathtës së re, dhe natyrshëm ka përgjegjësinë të vijojë të japë kontributin e saj në këtë drejtim”

KOMENTE