Dy kryetarët e PS-LSI, Edi Rama dhe Ilir Meta, u takuan për rreth 2 orë e 30 minuta në mjediset e Hotel Sheraton për të vendosur piketat e planit të tranzicionit deri në hapjen e legjislaturës së re.
U ra dakord që në funksion të një ndarjeje të përgjegjësive për të përmbushur me sukses detyrimet që burojnë prej votës plebishitare të 23 qershorit për Aleancën për Shqipërinë Europiane, kryetari i PS Edi Rama do të drejtojë qeverinë e re, ndërsa kryetari i LSI Ilir Meta do të drejtojë Kuvendin e ri.
U konfirmua angazhimi publik i PS-LSI për të ndarë mandatin e deputetit nga detyra ekzekutive e ministrit.
U vlerësua se pikësëpari një grup i përbashkët pune nën drejtimin e Sekretarit të Programit të PS, Ilir Beqja, dhe anëtarin e kryesisë së LSI Edmond Haxhinasto, duhet të nisë menjëherë nga puna për planin e detajuar të punës së 300 ditëve të para që do t’i paraqitet publikut në muajin shtator. Ky grup pune do të vendosë kontakte me grupet e interesit si edhe me ekspertë vendas e të huaj të nivelit më të lartë.
U çmua e nevojshme, edhe në vijim të kontaktit që të dy kryetarët patën dje me autoritete përfaqësuese të Azerbajxhanit, që në mbështetje të plotë të projektit të TAP të krijohet një Task Force. Kjo Task Force duhet të bëhet operative për të ndjekur fazën përgatitore të projektit si edhe për të organizuar në bashkëpunim me partnerët në këtë projekt, procesin e kualifikimit të burimeve njerëzore vendase që do të përfshihen në fazën e realizimit të projektit.
U shpreh shqetësimi për të dhënat më të fundit që tregojnë se qeveria në detyrë nuk po bën thjesht kujdestarinë dymujore që imponon verdikti plebishitar i 23 qershorit, por po vazhdon në një inerci që nuk është në dobi të vendit e të qytetarëve. Prandaj dy liderët e koalicionit fitues vendosën të bëjnë apel për urtësi e përgjegjshmëri nga ana e kryeministrit në detyrë dhe e qeverisë së tij, në mënyrë që të mos ndërmerren hapa që bien ndesh me etikën e një qeverie kujdestarie. Të ndalen prokurorimet e reja, të mos merren vendime për koncesione të reja të pasurisë publike, të garantohet që administrata të mos përfshihet në veprime antiligjore apo joetike të orës së fundit me arkën e shtetit.
U nënvizua nevoja për t’i dhënë vendit një skuadër qeverisëse që do të sjellë një model të ri sjelljeje e veprimi në procesin qeverisës, si edhe një model të ri gjithëpërfshirës të parlamentarizmit me një frymë bashkëpunuese jo vetëm me opozitën po edhe me shoqërinë në procesin ligjvënës.
U dakordësua ecuria e mëtejshme e konsultimeve për strukturën dhe përbërjen e qeverisë së re, për të cilën do të dëgjohen me vëmendjen e merituar edhe aleatët e tjerë.