Afrim Krasniqi - ATA po thonë se fajin e kanë qytetarët! ATA po thonë se populli nuk i kuptoi. ATA po thonë se janë e mbeten më të mirët. ATA po bëjnë sikur po ndryshojnë. ATA kanë humbur sensin e përgjegjësisë, sensin e masës, sensin e moralit dhe sjelljes institucionale. ATA erdhën në pushtet me 1.2 milion vota PRO (1992) dhe po dëbohen nga pushteti me 1 milion vota (2013). ATA po kërkojnë alibi. ATA nuk kanë kuptuar asgjë nga vota, politika, demokracia dhe përgjegjësia.
Bilanci është kaq i thjeshtë: nuk e kanë fajin qytetarët kur humbin me votë pushtetarët arrogantë. Nuk e kanë fajin qytetarët që "nuk kuptuan reformat" e qeverise! Nuk e kanë fajin qytetaret "mosmirënjohës" që nuk kuptuan rëndësinë e përfitimet nga tuneli e rrugët! Nuk e kane fajin qytetaret "që u blenë" me paratë publike te marra nga LSI ne aleancën korruptive me LSI. Nuk e kane fajin qytetaret "pasive" qe PD-së i mbeti jashtë listës politikani i vetëm i burgosur antikomunist V. Zhiti dhe ne vend te tij do jete me mandatin e saj kryetari i fundit i parlamentit me shumice komuniste K.Islami. Nuk e kanë fajin demokratët e thjeshtë që ministra, deputetë e zyrtarë të lartë si G.R, L.Xh, A.I, kanë 20 vjet në pushtet, majtas e djathtas. Nuk janë fajtorë ata që sot në kupolën më të lartë mediatike, publike dhe administrative të PD janë një shumicë ish zyrtarësh lokalë militantë të Partisë së Punës, BRPSH apo familjarë të kupolës drejtuese të PD, pa lidhje historike me të djathtën, pa kontribut, ide, vizion apo sistem meritokracie. Nuk e kanë fajin demokratët e Shkodrës që qyteti i kulturës u qeveris si sulltanat i 2-3 personave për 15 vjet, duke ua dhuruar tashmë qytetin të ”fortëve” të PS-së! Nuk e kanë fajin demokratët e Vlorës që votuan më 2007, 2009, 2011 dhe 2013 kundër të njëjtit kryetar lokal, një biznesmen politik! Nuk e kanë fajin qytetarët e Gjirokastrës që prej 22 vitesh u servilet i njëjti emër, ata të Korçës që sundohen nga dy-tri zyra doganore prej vitesh, ata të Durrësit që u imponohen kandidatë banalë nga Tirana, ata të Tiranës që duhej të votonin për emra që nuk i njohin, nuk i kanë parë asnjëherë përveçse në anën tjetër politike ose në skandalet e orëve të vona të natës, që nuk përfaqësojnë as elitën, as mendimin politik, as jetën akademike dhe as modelet pozitive administrative. Nuk e kanë fajin qytetarët e Lezhës që u trajtuan si seksion shtesë i kryetarit 8 vjeçar të PS-së, as ata të Kurbinit që u lanë nën mëshirën e të fortëve, as ata të Beratit që u fyen duke iu imponuar nivele mediokre të politikes, as ata të Fierit që u injoruan nga një kupolë politike e lidhur fort me krimin....!
Nuk e kanë fajin demokratët dhe e djathta që kupola e tyre nuk bën zgjedhje prej 7 vitesh, nuk votohet, nuk pranon mendimin ndryshe, nuk bën analizë dhe as llogaridhënie, nuk pyet anëtarësinë për asgjë por e trajton atë si turmë numrash për mitingje! Nuk e kanë fajin demokratët e thjeshtë që periodikisht shpallet armik çdo ambasador amerikan, çdo President tjetër i të djathtës, çdo kryeministër tjetër i së djathtës, çdo seli dhe media tjetër e së djathtës! Nuk e kanë fajin qytetarët e djathtë kur pushteti vret me cinizëm e refuzim dialogu dy ish të përndjekur politikë, ndërkohë që mban në krye të ambasadave dy ish anëtarë të Komitetit Qendror të PPSH-së! Nuk e kanë fajin qytetarët që e djathta ndëshkohet nga votat e LSI sepse kjo e fundit u pasurua në qeverisjen e djathtë, dhe se kupola e PD-së në vend të distancimit prej tyre u bë avokate e fortë, madje zgjodhi që me spote elektorale të sulmonte të djathtën liberale, jo të majtën e modelit klientelist. Nuk kanë faj demokratët e Shkodrës, Tiranës, Korçës apo Fierit që u detyruan të votojnë emra kryetarësh të partive të tjera, duke dhuruar mandate, përfaqësim, para dhe kontribute tek palë që nuk dihet nëse janë të djathta apo të majta, politikanë të gatshëm ta tregtojnë mandatin e tyre në rastin më të parë. Nuk e kanë fajin demokratët që PD erdhi më 2005 në pushtet me premtimin për duar të pastra dhe arrestimin e bujshëm të një kreu të Klanit të Zemunit, dhe sot, pas 8 vitesh, zgjedh një tjetër përfaqësues të këtij klani për të djathtën republikane në Durrës e Shijak!.....etj, etj!
U tha se qytetaret ishin të parët, por koha tregoi se pushteti dhe klani në krye të tij ishin e mbetën të parët! Ata krijuan rreth tyre një realitet tjetër, iluzionist, një imazh virtual, dukshëm të ndryshëm nga jeta reale.
Kadare e thotë bukur: ra ky mort dhe u pamë dhe se çdo e keqe nuk vjen për keq. Atë që politika e djathtë nuk e kuptoi dhe as e bëri më 2009; atë që prijësit “legjendarë” nuk patën durimin dhe as mençurinë ta lexonin në raport me 1 milion qytetarë kritikë, - sovrani e vendosi në pak orë. Vendi kishte nevojë për rotacion, e djathta ka nevojë për rotacion, - në dy rastet jo rotacione karrigesh por elitash, vizionesh, projektesh, idesh, platformash dhe gjithçka tjetër që e bën politikën më të moralshme, me qytetare, më produktive dhe më evropiane.
Sot në kryesinë formale të demokratëve nuk ka fitues e të mundur, të gjithë janë të mundur, të gjithë janë i njëjti model, disa mbrojnë mandatin, disa bizneset, disa postet, disa klientelën, disa imunitetin – pothuajse të gjithë përfaqësojnë aleancën e humbjes, - aleancë që fatkeqësisht refuzon ndryshimin, bunkerizon të djathtën dhe rrezikon të qëndrojë më gjatë se një legjislaturë jashtë shanseve për alternativë reale pushteti. Një ngjashmëri me 1986 apo 1991, që nuk ka vend të përsëritet në Shqipërinë e vitit 2013. Siç ka ndodhur dekadën e shkuar në Poloni, në Hungari, në Bullgari, në Rumani, në Kroaci dhe që sot po ndodh edhe tek ne. Në këto vende procesi i ndryshimit ishte total, gjithëpërfshirës, cilësor ndaj edhe dha rezultate brenda 3-4 viteve të para, kurse tek ne refuzimi i kësaj përvoje dhe këtyre elementëve rrezikon të zgjasë shumë më tepër, - nëse nuk ka reflektim!
Ndaj është koha për NDJESË, për FALJE publike, për PRANIM të gabimeve të mëdha, për REFLEKTIM, për DORËHEQJE PA KTHIM, për akte MORALE, për KURAJË, për HAPJE, për REFORMIM, për RITHEMELIM. Ata që e duan të djathtën, që respektojnë parimet e saj, që kanë respekt për veten dhe vendin, që dinë të shohin e lexojnë tej interesave të vogla të ditës, - ata duhet të flasin, të dëgjohen, të respektohen. Nëse vijohet me himnizime, refuzime, deklarime klishe dhe urrejtje ndaj kritikës, - ata i bëjnë dëmin më të madh vetes, vendit, të djathtës dhe njëherësh, dhuratën më të çmuar të majtës dhe pushtetit të saj jo-rilindas!
Do zoti kanë sy të shikojnë, mendje të mendojnë, veshë të dëgjojnë....ndryshe....2013 nuk është thjesht humbje e thellë, por rrezikon të mbetet data e kapitullimit politik shumëvjeçar të së djathtës në Shqipëri, - një lajm dramatik jo për një parti apo pak persona, por për vendin, demokracinë dhe sistemin tone politik!