English

Hoxhaj: Vlerësim i lartë për Gjermaninë

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar dje një telefonatë nga ministri Federal për Punë të Jashtme i Gjermanisë, Guido Westerwelle.
Ministri Westerwelle i ka uruar ministrit Hoxhaj miratimin e autorizimit për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim–Asocimit me Kosovën, nga Samiti i liderëve të Bashkimit Evropian, i cili u mbajt në Bruksel.

Westerwelle ka thënë se kjo është një ngjarje shumë e madhe për Kosovën, duke përgëzuar Qeverinë dhe popullin e Kosovës për punën dhe angazhimin në avancimin e agjendës integruese evropiane.

Westerwelle po ashtu ka shprehur mbështetjen e mëtejshme për Kosovën, duke siguruar ministrin Hoxhaj se Gjermania do të jetë gjithmonë një partner i fuqishëm evropian i Kosovës.

Ministri Enver Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen dhe konsideratat më të larta të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës për kontributin që Gjermania dhe personalisht ministri Westerwelle po japin për të Kosovën, me theks të veçantë në rrugën e saj euro-integruese.

“Vendimi i Këshillit Evropian për MSA-në është një hap historik dhe i pakthyeshëm i të ardhmes evropiane të Kosovës. Në këtë aspekt, mbështetja gjermane ka qenë vendimtare”, tha Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj theksoi se Gjermania mbetet ndër partnerët kryesor strategjik të Kosovës evropiane.

KOMENTE