Rezultatet konfirmojnë fitoren e koalicionit të majtë në zgjedhjet shqiptare. Edi Rama, i cili njoftoi fitoren e tij që darkën e së dielës, do të bëhet kryeministër. Ai flet për sensin e angazhimit të tij në politikë dhe për rivalin e tij, Sali Berisha. Takim me një burrë që bën politikë për të mashtruar vdekjen.
Intervista është parashikuar të zgjasë pesë minuta. Zgjati një orë. E diela në darkë në Tiranë, një lloj topitje ka trullosur selinë e Partisë Socialistë Shqiptare. Jashtë, një grup i vogël militantësh të moshuar tundin këmbët dhe pinë cigare. Brenda, një trupë gazetarësh të televizioneve, të trullosur nga vapa, duket sikur po vdesin nga mërzia. Por asgjë nuk duket që e justifikon këtë lodhje. Që nga mbyllja e qendrave të votimit në orën 19.00, Edi Rama ka shpallur fitoren e koalicionit të opozitës së majtë.
Pritje, pritje, pritje… Dhe në fund, ja ku është. Shefi u shfaq. Mban një T-shirt lejla, ngjyrat e partisë, ngjyra e lëkurës e nxirë dhe dhëmbët të bardhë. Pamje e fortë prej basketbollisti. Nofullat e shtrënguara. Pamje e rraskapitur. “Urime, zoti kryeministër i ardhshëm?” “Bah! Po…Duket sikur kemi fituar.” Edi Rama bën thirrje për qetësi. S’do të ketë grumbullim. S’do të ketë manifesim. Po numërojmë votat.” “Amá, një fitore duhet festuar, apo jo?” “Bah, Po…Kësaj radhe, po. Kemi 13-14 pikë diferencë. 75-78 deputetë në parlament, është e sigurtë.” Në ketë moment, numërimi i votave akoma nuk ka filluar. “Por militantët tanë po na nisin informacione. Në çdo lagje, në çdo godinë, ne kemi kontakte që dinë për kë kanë votuar njerëzit.”
Pas 8 vjetësh përballjeje të acaruar, një ndjenjë revanshi?
Më e vështira është të humbësh kur kundërshtari ka manipuluar votën. Në 2009, komuniteti ndërkombëtar na tradhtoi duke pranuar rezultate të falsifikuara. Gjatë zgjedhjeve lokale në Tiranë në vitin 2011, ishte akoma më keq. Një situatë plotësisht kafkjane! OSBE-ja botoi një raport, në të cilin thuhej, nga njëra anë që një e treta e votave ishte falsifikuar, dhe nga ana tjetër që nuk kishte pasur manipulime. M’u desh të pranoja humbjen për 10 vota…
Dhe aleati i juaj i ri, Ilir Meta, që u bashkua me Berishën, a besoni ju tek besnikëria e tij?
Politika është harmonia e interesave. Jo, e idealeve. Shikoni Sarkozinë. Flirtoi me Frontin Kombëtar. Por atij nuk i eci.
Edi Rama merr një cigare. Një militante hap derën e zyrës së tij, dhe sjell me vrap një çakmak. Ai flet për Michel Rocard-in, kur erdhi në Shqipëri për të bërë një kontroll të situatës politike në Shqipëri përpara zgjedhjeve të 2009-ës, dhe që e kishte pyetur: “Dëshironi ju të bëheni Kryeministër? A dëshironi me të vërtetë?”
A dëshironi ju akoma të bëheni kryeministër?
Po, pa asnjë dyshim.
Polarizimi shumë i fortë që ekziston në Shqipëri midis Partisë Socialistë dhe Partisë Demokrate, a është një lloj strategjie?
Nga ana e Berishës…Për një kohë të gjatë unë refuzova përballjen me të. Thonin që isha shumë skandinav për Shqipërinë. Por në 2009, pas falsifikimit të zgjedhjeve, u futëm në një përplasje monumentale, një polarizim i një dhune ekstreme…Për rreth dy vjet ishte e tmerrshme. Në janar 2011 disa manifestues u vranë në rrugë. Ishte aty që komuniteti ndërkombëtar filloi të kuptonte që kishte një problem me Berishën. Por disa muaj më vonë, OSBE-ja dha prapë një raport të pabesueshëm mbi zgjedhjet lokale.
Kjo fitore, a është një mënyrë për të shpëtuar lëkurën tuaj në politikë?
Por unë nuk bëj politikë për të shpëtuar lëkurën. Sigurisht, ka gjithmonë një aspekt personal. Politika është edhe një mënyrë për t’u afirmuar, apo jo?
Ka 15 vite që ju jeni në politikë…
Po, po, por unë nuk u bëra Edi Rama nëpërmjet politikës. Unë isha Edi Rama përpara. Ne qoftë se qëndroj, është për të bërë diçka. Kam një problem me vdekjen. Vjen nga fakti që jam një artist. Kam një problem me vdekjen dhe me Historinë. Dua të lë një emër. Nuk më intereson për të tjerat. Bëj politikë për të luftuar idenë e vdekjes.
Marre nga (Le Courrier des Balkans)