Pasditen e djeshme Partia Socialiste ka festuar 22 vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste por këtë herë iu shtua dhe fitorja e zgjedhjeve të 23 qershorit.
“Si një festë aspak të zakonshme, pasi 1 milion shqiptarë sot i gëzohen fitores dhe ku të gjithë, pas shumë vitesh të trazuara për vendin dhe të majtën, festojmë të bashkuar”, tha në fillim të fjalës përshëndetëse kreu i PS, njëherazi kryeministri i ardhshëm i vendit, Edi Rama.
Fjala e Kryetarit të PS Edi Rama.
- Mirëmbrëma të gjithëve!
Me vetëdije të thellë dhe me përulësi të madhe për privilegjin e jashtëzakonshëm që kam sot si njeriu i fjalës së rastit në një rast krejtësisht të pazakonshëm dua tju uroj të gjithëve ju si dhe 1 milionë votuesve të Aleancës për Shqipërinë Europiane, gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Gëzuar edhe rilindjen e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Faleminderit nga zemra të gjithëve. Faleminderit zgjedhësve tanë. Faleminderit emigrantëve që erdhën për të na zgjedhur. Faleminderit militantëve tanë. Faleminderit drejtuesve tanë, nga fshati më i thellë i Tropojës, në fshatin më të largët të Sarandës. Faleminderit skuadrave tona të Rilindjes në çdo qark. Faleminderit nga e gjithë Partia Socialiste edhe aleatëve tanë.
Më në fund pas vitesh të trazuara për të majtën njësoj si për Shqipërinë, e festojmë këtë ditëlindje së bashku, të gjithë së bashku, me një fitore plebishitare që e arritëm të bashkuar. Të bashkuar do ta fitojmë edhe sfidën e madhe të rilindjes së Shqipërisë.
Lejomëni të falënderoj sonte në mënyrë të veçantë, aleatët tanë strategjikë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe personalisht Ilir Metën, për gjithçka bëri nga ana e tij që interesi i madh i familjes së madhe të socialistëve e progresistëve shqiptarë, interesi i vetë Shqipërisë, të fitonte mbi dasitë e konfliktet e të shkuarës mes nesh.
Jam i bindur se koha do ta provojë edhe në qeverisje atë që 23 qershori provoi në zgjedhje: PS dhe LSI janë dy parti që si një fuqi e vetme mund të bëjnë histori në këtë vend.
1 milionë shqiptarë na kanë dhënë mandatin e plotë për t’i udhëhequr në rrugën e rilindjes së vendit dhe për të ecur më shpejt drejt Shqipërisë Europiane. Ne e dimë mirë se ata nuk votuan për të ndryshuar thjesht qeverinë, po vendin ku jetojmë, jetën e tyre në këtë vend dhe vetë politikën e këtij vendi. Dhe detyra jonë si të zgjedhurit e tyre është t’u përkushtohemi synimeve që i ngritën masivisht njerëzit në revolucionin e heshtur me votë të 23 qershorit.
Por kujdes. Ky që kemi marrë është një mandat sa i fortë numerikisht në sallën e Kuvendit, aq i brishtë politikisht përballë pritshmërisë së jashtëzakonshme të njerëzve. Njerëzit na kanë dhënë një fuqi të madhe për të qeverisur, por edhe na kanë ekspozuar përballë një rreziku që asnjë çast nuk duhet t’a harrojmë që e kemi aty, në çdo hap.
Në se ne, do të harronim se kjo fuqi na është dhënë për vendin, jo për vete, atëherë dëmi që do t’i bënim Shqipërisë do të qe shumë i rëndë. E po ashtu, i pashlyeshëm do të qe edhe zhgënjimi i hidhur që do të linim në zemrat e njerëzve, të të gjithë njerëzve, edhe të atyre që nuk na kanë votuar sepse, besomëni edhe ata presin shumë nga ne tanimë.
Shqiptarët na dhanë në këto zgjedhje provën shembullore të fjalëve të At Gjergj Fishtës se për me sundue nuk asht mjaft dhelpnia, dredhia, intriga, batakçillëku, rrena, tradhtia. Duhet nder, dije urti, burrni, qe se çka duhet.
Kur unë u zgjodha kryetar i Partisë Socialiste, 7 vjet e gjysmë më parë, vendosëm së bashku një sërë objektivash në funksion të rikthimit në qeveri si forcë e re politike. Me një vizion të ri, program të ri, skuadër të re. Rruga nuk qe aq e shkurtër sa ç’e dëshironim. Ndeshëm pengesa të mëdha, zhvilluam beteja jo të lehta. U vodhëm në zgjedhje, u goditëm me baltë në fytyrë e u sabotuam pas kurrizit, u rënduam shpirtërisht prej cinizmit përreth dhe u drobitëm fizikisht në rrugën e rezistencës opozitare, me protesta të panumërta dhe një grevë urie unikale, vetëm e vetëm për lirinë e zgjedhjeve.
Humbëm katër jetë të pafajshme njerëzish, që shpresoj sot janë më të qetë aty ku prehen, edhe pse e di mirë se nuk do të jenë kurë plotësisht të qetë pa u bërë drejtësi për vrasjen e tyre.
Në rrugën e opozitës bëmë edhe gabime padyshim. Le të gjykojë koha nëse duke mësuar prej tyre, e lehtësojmë gjykimin e kohës për to. Por më në fund i’a dolëm dhe i’a kemi dalë në mënyrën më të bukur. I kemi dhënë vetes me fitoren e bujshme të 23 qershorit të drejtën më të plotë që të jemi krenarë me përmbylljen e këtij kapitulli të jetës opozitare të Partisë Socialiste.
Nuk rri dot pa ju thënë se do të kisha dashur shumë që sot të mos mungonin mes të ftuarve në këtë gëzim legjitim, dy shqiptarë të mirë. Dritan Hoxha, njeriu që ndërtoi për këtë popull një institucion të pavarur në mbrojtje të lirisë së të gjithëve. Dhe Ardian Klosi, njeriu që u shkri si qiriri mes nesh në mbrojtje të flakës së lirisë së brendshme qytetare të një individi të vetëm. Është detyrim zemre një falënderim dhe një duartrokitje krejt e posaçme për ta sot.
Por dua të falënderoj edhe të gjithë njerëzit e shtypit, të cilët në vite tejet të vështira të këtij vendi e ushqyen shpirtin opozitar, qoftë duke i rezistuar pushtetit, qoftë duke na kritikuar ne, sidomos mua. Tanimë do të kem mundësinë dhe kënaqësinë e madhe t’u provoj se sa shumë gabojnë, kur më shohin e më friken si një diktator i radhës.
Jam i bindur se nën qeverisjen tonë shtypi do të jetojë ditët e vetë më të mira dhe liria në tërësi do të fitojë një cilësi që s’e ka pasur deri më sot. Unë vetë do të jem papushim i angazhuar, jo vetëm me mendje por edhe me zemër që piciri që kemi hequr në opozitë të na vlejë jo si yshtje për revansh, por si mësim, për çfarë nuk duhet të bëjë një qeveri kundër opozitës. këtu kam parasysh jo vetëm opozitën zyrtare, atë pa diskutim, por opozitarizmin si shqisë shoqërore, kudo ku vihet në lëvizje. Askush në Shqipëri nuk do të kërcënohet më në notën e shkollës, ose në bukën e gojës për shkak të kësaj shqise jetike për lirinë e shoqërisë dhe për cilësinë e bashkëjetesës me njëri-tjetrin.
Jam gjithashtu i bindur se Kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë do të jetë garanti i një kapitulli të ri të parlamentarizmit shqiptar. Jo vetëm për opozitën parlamentare pa asnjë dyshim, po edhe për grupet e interesit në procesin ligjbërës.
Jemi në një Shqipëri të rrënuar, në një Shqipëri që duam të rilindim dhe mund t’a rilindim vetëm të gjithë së bashku. Prandaj ne do ta shohim dhe trajtojmë çdo shqiptar si një partner në përpjekjen tonë historike për t’a rilindur këtë vend dhe për të ecur më shpejt në realizimin e projektit të Shqipërisë Evropiane.
Çdo polic, çdo mësues, çdo mjek, çdo fermer, nëpunës, sipërmarrës i vogël apo i madh, çdo nxënës, student e pedagog, ne do t’a konsiderojmë si pjesë të skuadrës sonë për Shqipërinë. Kur të vijnë përsëri zgjedhjet gjithkush le të votojë i lirë për kë dëshiron, por ne ndërkohë secilit duhet t’i kërkohet dhe bëhet e mundur marrja e pjesës së vet të përgjegjësisë qytetare, për atdheun që të gjithë bashkë dëshirojmë.
Ndihma jonë është vetja jonë, na mëson i urti Jeronim De Rada. Ne duam ta rikthejmë besimin e njerëzve tek politika dhe mundësitë e pafundme të politikës, për të na ndihmuar që të ndihmojmë veten si komb, si shoqëri, si komunitet apo individ. Duam t’i bëjmë njerëzit bashkë për të bërë të mundura gjëra që shqiptarëve u janë bërë padrejtësisht të pamundura në gjithë këto 20 vite shumë të gjata. Duam ta vëmë politikën në shërbim të njerëzve dhe qeverinë në duart e tyre. Duam t’i japim Shqipërisë forcë dhe besim në sytë e botës, përmes një lidershipi që do t’a bëjë këtë vend të shihet me respekt në Europë dhe të shihet me respekt në rajon.
Mandati i 23 qershorit është një mandat i qartë si drita e diellit për të modernizuar Shqipërinë. Për të marrë vendime kurajoze dhe vepruar me vendosmëri. Për të mos përçarë për të sunduar, po për të bashkuar që të ecim më shpejt në rrugën e Rilindjes. Me nder, dije, urti e burrni.
Për tetë vjet ishim në opozitë. Mund të flisnim, po s’bënim dot gjë. Sot mund të flasim, por do të gjykohemi vetëm nga ato që do të bëjmë. Dhe do të bëjmë gjërat e duhura, sepse prandaj quhemi Partia Socialiste e Shqipërisë. Por gjithnjë së bashku me LSI e të tjerët, sepse prandaj quhemi Aleanca për Shqipërinë Europiane.
Edhe një herë gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste
Dhe faleminderit me zemër që të gjithëve.