English

Fitojnë shtetësinë shqiptare të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare që jetojnë nëpër botë me dokumente te rregullta

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për dhënien ose fitimin e shtetësisë shqiptare për qytetarët me origjinë shqiptare me banim në vendet e tjera. Vendimi përcakton procedurat për dhënien ose fitimin e shtetësinë shqiptare për të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare që jetojnë me dokumente te rregullta apo kanë marrë shtetësi në një nga vendet e zonës Shengen apo vendet me të cilat Bashkimi Europian aplikon regjimin e lëvizjes së lirë pa viza si SHBA, Kanadaja etj.

Ky vendim nuk aplikohet për shtetasit e Republikës së Kosovës me banim në Kosovë. Kryeministri u shpreh se Bashkimi Europian ka hapur negociatat me Republikën e Kosovës për liberalizimin e vizave dhe është interesi i tyre jetik dhe i Kosovës që problemi i vizave me BE të zgjidhet në mënyrën më procedurale, në respekt të plotë të udhërrëfyesit që Brukseli i ka dorëzuar autoriteteve të Kosovës për liberalizimin vizave.

Konkretisht lidhur me këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh:


“Zotërinj ministra, zonja ministre,

në këtë mbledhje ka një seri vendimesh, ndër të cilat vendimi që u bllokua prej më shumë se 4 muajsh, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të Shqipërisë. Ky vendim ka të bëjë me procedurat për njohjen dhe fitimin e shtetësisë shqiptare nga persona me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës, të cilët janë shtetas të një shteti të pavarur dhe për të cilët, qeveria e Republikës së Shqipërisë nuk ka dhe nuk mund të ketë autoritet pa një marrëveshje midis dy qeverive dhe për faktin se Kosova është tani në një proces shumë të shëndetshëm, pas firmosje së marrëveshjeve me Serbinë në Beograd, të cilat ne i kemi mbështetur plotësisht si marrëveshje historike jo vetëm midis këtyre dy vendeve, por për rajonin në tërësi.

Ky vendim e shtrin efektin e tij për të gjithë shqiptarët që jetojnë në hapësirën e Shengenit, në hapësirën me marrëdhënie vizash me zonën e Shengenit të njëjtë me Shqipërinë.

Me këtë akt, Shqipëria është vendi i fundit që u ofron bashkëkombasve të vet atë që të tjerët ia kanë afruar vite e vite më parë, në rajon. Ky akt nuk duhet të konsiderohet nga askush si një akt tjetër, veçse në interesin më të mirë të shqiptarëve, të paqes dhe stabilitetit ku ata janë.

Zonja e zotërinj, janë qindra mijëra shqiptarë, të cilët për shkak të kundërshtive me regjimin komunist emigruan në vendet e lira dhe pothuaj asnjë prej tyre nuk gëzon shtetësinë shqiptare. E vërteta është se ligji ekzistues parashikon fitimin e vetvetishëm të shtetësisë dhe bëhet fjalë për këta qytetarë, por asnjëherë nuk u përcaktuan procedurat. Në favor të marrjes së vetvetishme të shtetësisë, pra, pa dekret presidencial, të këtyre qytetarëve kanë vendosur edhe gjykatat e vendit, të cilat i kanë legjitimuar atyre në çdo rast, kërkesën, pa pasur nevojë të dekretohet shtetësia e tyre. Këta janë kategoria e shqiptarëve, pasardhësit e të cilëve jetojnë në vende të ndryshme të Europës apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kanada, por që shtetësia ka mbetur një mollë e ndaluar për ta, për shkak të burokracisë, ngathtësisë, mefshtësisë dhe pse jo, dozave të caktuara të mentaliteteve të vjetra ndaj tyre.

Krahas këtij emigracioni që në tërësi ka qenë politik, ekziston një emigracion tjetër i fuqishëm shqiptar, nga Poli i Veriut deri në Mesdhe. Emigracion, i cili duhet të ketë të drejtë të aplikojë për shtetësi shqiptare. Këtë drejtë duhet ta kenë shqiptarët në të gjitha vendet e tjera, përveç atyre që janë me banim në Republikën e Kosovës. Unë e kuptoj që qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëndohen nga ky vendim, por kërkoj mirëkuptimin e tyre, sepse është interesi i tyre jetik dhe i Kosovës që problemi i vizave me Bashkimin Europian të zgjidhet në mënyrën më procedurale, në respekt të plotë të udhërrëfyesit që Brukseli i ka dorëzuar autoriteteve të Kosovës për liberalizimin vizave. Respektimi i këtij procesi dhe vendosja e standardeve që e bën Kosovën të përshtatshëm për liberalizimin e vizave, është interes më i mirë i çdo shqiptari, i shqiptarëve në Kosovë, i shqiptarëve në Shqipëri, i shqiptarëve kudo ku janë. Ndaj duhet kuptuar se për Republikën e Kosovës nuk mund të jetë Shqipëria, por Brukseli ai që vendos për lëvizjen e lirë qytetarëve të Kosovës në hapësirën e Shengenit. Për të gjithë të tjerët, kudo ku ndodhen në hapësirën e Shengenit dhe në hapësirën me të cilat Shengeni ka marrëdhënie të liberalizimit të vizave, ata mund të aplikojnë me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, për të marrë shtetësinë shqiptare.

Jam i bindur se ky faktor do t’i shërbejë forcimit të mirëkuptimit, bashkëpunimit me vendet fqinjë. Ky vendim është një qëndrim i drejtë, tepër i vonuar, vendim që e kisha dekretuar në 17 korrik të vitit 1992. Dekreti presidencial në atë kohë përfshinte edhe Kosovës, e cila ishte nën pushtimin e Milloshevicit. Ata, të cilët bërtasin se do të na zbrazen trojet, të marrin e të shohin sesa shtetësi u kërkuan pas dekretimit në vitin ’92.

Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme duhet të marrin të gjitha masat, të instalojnë në datën 1 gusht, në të gjitha pikat e parashikuara në këtë vendim, shërbimin për aplikimin e qytetarëve me origjinë shqiptarë për fitimin e shtetësisë shqiptare. Natyrisht, për shqiptarët që nuk e fitojnë në mënyrë të vetvetishme siç parashikon ligji ekzistues, ne duhet të respektojmë ligjin, pavarësisht se ai mund të ketë nene që janë absolutisht të papajtueshme me materien kombëtare, por do të respektohet siç është.

Ky vendim bazohet në nenin 9, pika 7 e ligjit 8389, datë 5.8.1998. Një vendim paraprak që u diskutua në mbledhjen e qeverisë, për akordimin e shtetësisë shqiptare për shtetas që investojnë 200 mijë dollarë në Shqipëri bëhet i paqenë, pra, anulohet, pasi ky projektvendim shtrihet në hapësirën e Shengenit dhe i intereson të gjithë shqiptarëve. Shqipëria duhet të miratojë një ligj tjetër për rezidentët, pasi edhe atë ligj e ka jashtë standardit dhe me një kontroll të pamerituar. Shqipëria duhet të miratojë ligjin, me të cilin paraqitja, qëndrimi në vend duhet të ketë hapësirat më të mëdha të mundshme. Mbi bazën e një koncepti të ri të ligjit do të shihet mundësia e akordimit të shtetësisë bazuar në investime. Por, njëherë për njëherë, kjo është shtetësi bazuar në origjinë.

Me këtë vendim nuk i jepet ende përgjigje diasporave të hershme shqiptare, arvanitasit dhe arbëreshët. Por ky është një proces në vazhdim. Nuk mund t’u mohohet, por tani për tani vendimi parashikon këto. Diasporat, arvanitasit në Greqi dhe arbëreshët në Itali kanë shekuj që japin një kontribut të madh historik në këto vende mike, apo diaspora jonë në Turqi që është dy herë më e madhe se popullata shqiptare. Shqipëria, unë mendoj se duhet të përpiqet t’i ndihmojë e mbështesë ata me qendra kulturore, në forma nga më të ndryshmet, në përputhje me Konventat ndërkombëtare, për të ruajtur gjuhën, identitetin, kulturën. Por, në qoftë se do shkohej më tutje, edhe ajo mund të bëhej, por ka një problem. Ne po ecim drejt Bashkimit Europian dhe faktikisht me anëtarësimin në BE, këto probleme marrin zgjidhjen më përfundimtare. Shqipëria është një vend që nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë vendi tjetër. Gjatë këtyre 20 viteve, ne kemi kundërshtuar çdo përpjekje për ndryshimin e kufijve në këtë zonë, jo se kufijtë nuk mund të mos ndryshonin, por sepse kemi gjykuar se ky është interesi jetik i shqiptarëve. Ne besojmë se projekti i bashkimit të tyre në Bashkimin Europian do t’i japë përgjigjen më të mirë çështjes së tyre kombëtare. Por, natyrisht, do të jenë shqiptarët që do të jetojnë të integruar plotësisht në BE, ata që do të vlerësojnë situatën e tyre. Një gjë është e sigurt, progresi që kanë bërë shqiptarët është i jashtëzakonshëm. Është po kaq e sigurt se përsëri është e domosdoshme një progres më i madh i tyre. Mjafton të theksoj të se sot në Greqi, pothuaj 10 përqind e popullatës janë shqiptarë dhe në mediat greke nuk ka as edhe një emision të vetëm në shqip.

U ndala në një moment të caktuar, por këto çështje padiskutim marrin zgjidhje në kuadrin e proceseve integruese në Bashkimin Europian. Këta qytetarë që jetojnë në Greqi kanë pasur një progres të padiskutueshëm, së pari, në trajtimin e tyre, së dyti, në të drejtat e tyre si emigrantë. Mora këtë shembull, por nuk mund të them se ka një zë shqiptar në Turqi. Gjatë periudhës sime në Këshillin e Europës u përpoqa shumë që në rezoluta të përfshiheshin emisione në radiot turke për shqiptarët, por kjo nuk ndodhi. Madje këtë vit, kur një futbollist ngriti zërin, pati një valë shumë të pandershme kundër tij, çka detyroi Kryeministrin Erdogan të qëndrojë në anën e këtij futbollisti. I theksoj këto se çështja e lirive dhe të drejtave njerëzore të shqiptarëve është dhe duhet të jetë një problem për t’u shtyrë përpara, në përputhje me marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare. Shqiptarët kanë arritur shumë. Kjo është e vërtetë e pamohueshme. Shqiptarët kanë shumë arsye të persistojnë për të drejta më të mëdha aty ku janë, në përputhje me konventat, për të mundur të ruajnë identitetin e tyre kulturor e kombëtar si shtetas luajalë të vendeve ku jetojnë.

Ky është një hap shumë i rëndësishëm dhe kam besim se do të mirëpritet nga qytetarët me origjinë shqiptare kudo ku ndodhen. Janë qindra e mijëra në vendet perëndimore, janë një milion pothuaj në Greqi që po të mos jetë ky akt rrezikojnë të humbasin lidhjet me shtetin, janë emigracioni i ri, 500 mijë në Itali, të cilët për shkak të mosjetimit në Shqipëri, akti i heq detyrimin që të jesh rezident në Shqipëri. Ne nuk kemi paragjykim. Shqiptarët të kenë edhe rreth 5 shtetësi, por po qe shqiptar dhe do që të marrë shtetësinë shqiptare, le të vijë ta marrë.

Duhet të kërkoj ndjesë për vonimin, pasi bashkëkombas të mi në mënyrë të përsëritur më kanë kërkuar se ç’u bë me fjalën e thënë. Unë e bllokova vendimin në mënyrë që të ketë zero interferencë për zgjedhjet. Ky ishte një proces themelor dhe nuk doja që ky vendim të ndërhynte në këto zgjedhje. Për zgjedhjet e ardhshme, ata që kanë frikë nga vota e tyre, t’i proporcionojnë, pasi edhe rregulli i proporcionimit ekziston dhe e përdorin shumë vende, sikurse shumë vende përdorin votën direkte. Si të bien dakord forcat politike, se ato japin zgjidhje, por një gjë është e sigurt se frika nga vota e shqiptarëve është forma më e egër e albanofobisë. Kjo nuk duhet të ketë mëdyshje. Ai që ka frikë nga vota e qytetarit me origjinë shqiptare, ai ka një substancë në vetvete, është albanofob, është shqiptar i denatyruar si i tillë. Proporcioni është logjik dhe ka vende që e përdorin atë. Forcat politike po të duan të ulen, pasi nuk mund të ecet me hipokrizi. Emigracioni duhet të votojë, siç voton në të gjithë botën. Silvio Berluskoni para pak vitesh humbi zgjedhjet për shkak të votave të italianëve në Argjentinë. Natyrisht, kjo bëhet në dy mënyra, proporcion ose direkt. Por këto janë gjëra që do t’i zgjidhim më vonë. Unë hapa siparin e këtij procesi. Një proces që duhet të eci. Uroj që pas fitimit të vizave me Republikën e Kosovën, dy qeveritë të shqyrtojnë qëndrimin që do të mbajnë ndaj këtij problemi. Rëndësi kryesore në këtë periudhë është zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, një marrëveshje historike për të dy vendet dhe të gjithë rajonin.”

KOMENTE