PËRCAKTIMI i PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1996, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat në caktimin e pagave dhe shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paga bazë minimale mujore për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë.
2. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) orë pune në muaj të kryera gjatë kohës normale të punës.
3. Paga bazë minimale orare të jetë 127 (njëqind e njëzet e shtatë) lekë.
4. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.
5. Vendimi nr.445, datë 11.7.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2013.